RCCOLA

Milionat e krimit pastrohen në ndërtimtari

/ 6 minuta lexim
Mobi Casa

Paratë e trafiqeve, kontrabandës, korrupsionit, shpërlahen në sektorë të ndryshëm të biznesit, sidomos në ndërtimtari. Tashmë është e dëshmuar se shumat e mëdha që vinin nga trafiku ndërkombëtar i drogës dhe paratë e tjera të pista, investohen në fushën e ndërtimit në Shqipëri,dhe jo vetëm,përfshirë edhe në vendin tonë. Sipas vlerësimeve të analistëve, sektori i ndërtimit në Kosove është shndërruar në një sektor që shpërlan 90 për qind të parave të drogës dhe krimit të organizuar.

Analistët e ekonomisë dhe përfaqësues të shoqërisë civile pyesin se përse Prokuroria nuk ka hapur raste, bile as edhe një rast të vetëm që nga pas lufta ku qindra miliona euro janë pastruar vetëm në fushën e ndërtimit në tërë Kosovën dhe sidomos në Prishtinë. Ata vlerësojnë se fusha e ndërtimit është bërë sektori më informal në ekonominë e Kosovës. Sipas tyre, duke qenë i tillë, ndërtimtaria është bërë sektori ideal ku po thithen dhe po shpërlahen paratë e drogës dhe krimit të organizuar. Ndërkaq, njohësit e kësaj fushe thonë se e kemi këtë situatë, ngase janë vetë strukturat e shtetit pronare apo bashkëpronare të ndërtuesve, të cilët po pengojnë hetimin në këtë fushë,pasi ndërtimtarët në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë bashkë me mafiooligarkët pa probleme ia “lagin” fytin çdo politikani, çdo prokurori apo gjyqtari.

Financimi i objekteve kolektive, jashtë kontrollit të shtetit

Analisti Faton Mehmeti tha për gazetën”Kosova Sot” se sektori i ndërtimtarisë dhe lojërat e fatit konsiderohen si bizneset që më së shumti përdoren për shpëlarje parash. “Shpëlarja e parave ka të bëjë me përfitimin e pasurisë nga aktivitetet ilegale dhe përpjekjet që këto përfitime të vendosen në sistemet bankare, në mënyrë që të fshihet origjina e tyre, pasuri të cilave është e vështirë t’u gjendet origjina e krimit”, u shpreh ai. “Me qëllim të parandalimit të këtij fenomeni, në vitin 2010 Kuvendi i Kosovës ka miratuar Ligjin kundër pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit. Shpëlarja e parave është duke u bërë në ndërtimtari. Shteti nuk ka kontroll mbi ndërtimin e objekteve kolektive dhe gjithkush investon pa e ditur se nga vijnë paratë. Ndërtimi është sektori që lanë 90 për qind të parave të drogës”, theksoi Mehmeti.

Asnjë rast i hapur nga Prokuroria

Eksperti Florim Rudhani tha për gazetën “Kosova Sot” se tashmë dihet botërisht se ndërtimtaria është bërë sektori ideal ku po thithen dhe po shpërlahen paratë e drogës dhe krimit të organizuar. “Kjo, ngase ndërtimtaria është shndërruar në një sektor që shpërlan 90 për qind të parave të drogës dhe krimit të organizuar”, u shpreh ai.”E kemi këtë situatë, ngase ka dyshime të mëdha se janë vetë strukturat e shtetit pronare apo bashkëpronare të ndërtuesve, të cilët po pengojnë hetimin në këtë fushë,pasi ndërtimtarët në Prishtinë dhe gjetiu në Kosovë bashkë me mafio-oligarkët pa probleme e blejnë leje pune dhe ia lajnë fytin çdo politikani dhe çdo prokurori apo gjyqtari”, ka theksuar Rudhani. Por, ai thotë se është për keqardhje heshtja e organeve të hetuesisë dhe Prokurorisë së Kosovës, por edhe atyre të drejtësisë përballë shpëlarjes së milionave të parave të pista që po bëhen në Kosovë në fushën e ndërtimtarisë. “Me gjithë vërejtjet e shoqërisë civile është për t’u habitur se përse Prokuroria e Kosovës apo ajo e Prishtinës nuk ka hapur as edhe një rast të vetëm që nga pas lufta, ku qindra miliona euro janë pastruar vetëm në fushën e ndërtimit në tërë Kosovën dhe sidomos në Prishtinë”, ka thënë Rudhani.

RCCOLA

Joprofesionistët merren me ndërtimtari

Analisti Xhevdet Neziraj, ish-deputet i Kuvendit të Kosovës, për gazetën “Kosova Sot” tha se është e ditur se fusha e ndërtimit është një prej lëmenjve ku qarkullohet e gjithë kjo pasuri në vendin më të varfër në Evropë dhe me të ardhurat më të vogla për kokë të banorit në rajon. “Ne jemi dëshmitarë se ndërtimet që janë duke u bërë në vendin tonë janë miliardëshe dhe përveç origjinës së parasë, në këtë fushë ka evazion fiskal, sepse shumë pak kontrollohet nga shteti”, theksoi ai. “Njerëzit që janë duke u marrë me këtë fushë më së paku janë ekspertë të fushës së ndërtimit, por janë njerëz që kanë manipuluar me prona të ndryshme dhe janë marrë me çdo lloje veprimtarie, me të vetmin qëllim që të pasurohen individualisht. Është për të ardhur keq që institucionet e shtetit, sa i përket kësaj fushe, kanë dështuar, sepse kemi ndërtime vend e pa vend, me leje e pa leje, me tejkalime të etazheve dhe me keqpërdorime të tjera në këtë fushë”, vijoi më tutje analisti Neziraj. “Prokuroria dhe gjykatat tona kanë dështuar edhe në këtë fushë, sepse lëndët zgjasin me dekada dhe aty ku janë njerëzit e fuqishëm as që guxojnë që të marrin masa, ngase siç po duket prokurorët dhe gjyqtarët tek ne janë vetëm për të dënuar për kundërvajtje ose gjoba të komunikacionit e jo që të merren me raste të vështira, aty ku ka korrupsion, keqpërdorime dhe pastrime të parave”, u shpreh Neziraj.

Mungon mbikëqyrja shtetërore

Selatin Kaçaniku (“Konsumatori”) për gazetën “Kosova Sot’ tha se me gjithë dyshimet e mëdha për investimet që po bëhen në fushën e ndërtimtarisë, është çudi se si deri më tash nuk ka pasur përgjigje nga mekanizmat e mbikëqyrjes dhe të inspektimit. “Deri më sot unë nuk kam dëgjuar se një kujdes, kontroll ose vigjilencë e tillë të jetë aplikuar në industrinë e ndërtimit, por e gjithë kjo punë, më shumë është e orientuar kundër shpëlarjes së parave me qëllim financimi të terrorizmit. Kjo, ngase këta mekanizma, edhe në këtë sektor, sikur qëllimisht duan të na bindin se nuk i shërbejnë qytetarit, por grupeve të interesit”, u shpreh ai. Ndërsa, eksperti i integrimeve evropiane, Ardian Nokaj tha për ” Kosova Sot” se tashmë po dihet që sektori i ndërtimit është makineria që po i pastron paratë e pista në kuotën 90 për qind të parave që vijnë nga droga. Sipas tij, kjo po ndodh, ngase janë vetë strukturat e shtetit në të dyja shtetet shqiptare fajtorë që pengojnë hetimin në këtë fushë.

(Kosova Sot)