KKVITI

Milionat e dyshimtë nuk i heton askush

/ 6 minuta lexim
Uji Dea

Pasurimi enorm i shpejtë, por pa e shpjeguar se si e krijojnë pasurinë e dyshimtë politikanët e shtetit të Kosovës, krijon një precedent të paparë dhe model të keq edhe në mesin e vendeve të rajonit.

DEKLARIMI NË ANTIKORRUPSION BËHET NJË PUNË E PADOBISHME

Organet e drejtësisë nuk i prekin politikanët e kamur

Eksperti i fushës së legjislacionit, prof. dr. Muhamet Kelmendi, thotë se deklarimi i pasurisë së politikanëve në Agjencinë Kundër Korrupsion është menduar për të shërbyer si provë për të ndalur korrupsionin dhe për të luftuar krimin, por në fakt nuk po ndodhë ashtu.

Pasurimi enorm i shpejtë, por pa e shpjeguar se si e krijojnë pasurinë e dyshimtë politikanët e shtetit të Kosovës, krijon një precedent të paparë dhe model të keq edhe në mesin e vendeve të rajonit. Deklarimi i pasurisë në Agjencinë Kundër Korrupsion sipas ligjit, sado që është formal, zbardh vazhdimisht milioner të shumë të politikës kosovare, por e vërteta e prejardhjes së asaj pasurie, konfiskimi dhe ndëshkimi i atyre, që e kanë fituar kundërligjshëm, mbetet një punë e pa kryer akoma nga drejtësia kosovare. Tani edhe vetë përfaqësues të partive politike dhe analistët theksojnë se pothuajse e ka humbur çdo kuptim deklarimi i pasurisë së politikanëve në Agjencinë Antikorrupsion, pasi që prokuroria deri më sot nuk është marrë seriozisht me ato pasuri milionëshe që kanë deklaruar politikanët. Me të drejtë shtrohet pyetja se si ka mundësi që politikanët tanë dhe pushtetarët të jenë klasa më e pasur në rajon, shumë më të pasur edhe se politikanët në Maqedoni, Serbi e madje edhe në Shqipëri, me ato paga që në asnjë mënyrë nuk mund ta arsyetojnë mbulueshmërinë e nivelit të pasurisë. Deputeti Adem Salihaj thotë së gjendja është e tillë, ngase vetë politika e kriminalizuar ka krijuar hapësirë të tillë manovrimi dhe pamundësimi të funksionimi të shtetit ligjor, prandaj edhe në këtë rrafsh askush nuk merret me këtë çështje. “Kur një klasë politike, e instaluar në pushtet është e zhytur në korrupsion, atëherë ajo i ka në dorë të gjitha segmentet e shtetit dhe nuk e lejon asnjë organ që të hetojë aferat korruptive. Ne vendet kyçe të drejtësisë kjo klasë politike instalon njerëz, që e mbrojnë korrupsionin, jo njerëz që e ndjekin atë”, theksoi Salihaj, shkruan gazeta Kosova Sot.

Uji Dea

Boshllëqet ligjore

Deputeti Zafir Berisha, nga Nisma për Kosovën, thotë se përveç faktit që nuk po vepron prokuroria në hetimin e rrugëve të pasurimit të tillë enorm të individëve të ndryshëm, është lënë edhe aso hapësire e zbrazët ligjore qoftë për ta fshehur pasurinë, apo qoftë dhe për ta deklaruar atë sipas dëshirës së individit, pa e pasur të përcaktuar kriterin e vlerësimit dhe arsyetimit të prejardhjes së saj. “Prokuroria jo vetëm që nuk është marrë me këto raste, por problem tjetër në vete paraqet edhe Ligji për deklarimin e pasurisë, i cili nuk është shumë mirë i hartuar dhe rregulluar, nuk është i definuar sa duhet, prandaj njerëzit, ata që e kanë obligim ligjor deklarimin e pasurisë, mund ta deklarojnë atë edhe sipas dëshirave të tyre”, ka thënë ai. “Unë mendoj si person zyrtar që e deklaroj pasurinë, këtë deklarim të pasurisë po duhet ta bëjmë akoma me hamendje, e duke përjashtuar këtu faktin që kemi njerëz, tek të cilët dallimi në deklarimin e pasurisë nga viti në vit ndryshon shumë, lë për të dyshuar se aty ka elemente që të merren edhe organet kompetente me këto lëvizje, duke pasur për bazë nivelin e të hyrave dhe deklarimet”, u shpreh Berisha. “Kjo kur themi që pasuria deklarohet sipas dëshirës, nënkupton së ata që janë shumë të pasur dhe me dyshime për pasurim të paligjshëm ia ulin vlerën pasurisë së deklaruar, por ka edhe ndonjë rast, kur dikush e deklaron nivelin e pasurisë, vlerën më shumë sesa që realisht e ka. Kjo do të mbetet kështu, derisa me ligj nuk përcaktohen edhe kriteret e sakta të vlerësimit të pasurisë së deklaruar nga zyrtarët publikë”, tha Berisha për “Kosova Sot”.

Prokuroria injoron rastet e AKK-së

Eksperti i fushës së legjislacionit, prof. dr. Muhamet Kelmendi, thotë se deklarimi i pasurisë së politikanëve në Asociacionin Kundër Korrupsion është menduar për të shërbyer si provë për të ndalur korrupsionin dhe për të luftuar krimin, por në fakt nuk po ndodhë ashtu. “Në bazë të dhënave në Agjencinë, prokuroria është dashur dhe duhet të hapë hetimet ndaj çdokujt që ka dyshime për krim dhe për korrupsion. Kjo është ana ligjore. Por, deri sot nuk kemi asnjë procedurë penale ndaj askujt që ka paraqitur kjo Agjenci fakte në prokurori dhe këtu është turpi i kësaj drejtësie. Nga Agjencia është deklaruar se mbi 100 raste të krimit dhe të korrupsionit i ka paraqitur në prokurori. Asnjë nuk është hetuar. Kjo tregon kapjen e ashpër të shtetit nga krimi dhe korrupsioni”, ka thënë ai. Sipas tij, në këtë gjendje është krejtësisht jonormale edhe puna e Agjencisë. “Por, megjithatë mendoj që AKK-ja duhet të vazhdoj të punojë në mënyrë që të vazhdojnë të vërehen rastet e pasurimit marramendës të politikanëve, prokurorëve, gjykatësve, ekonomistëve, financierëve dhe të tjerëve në politikën e Kosovës dhe institucione. Nëpërmjet kësaj shihen së paku degjenerimet në shtet dhe më lehtë e kanë pastaj edhe mekanizmat e ndryshëm për të luftuar kriminalitetin, kudo që këta mekanizma pavarësohen nga politika. Jam i mendimit se ato të dhëna do të shërbejnë edhe më vonë në drejtim të kapjes së krimineleve dhe të dënimit të tyre. Kjo do të shërbejë edhe si argument për konfiskim të pasurisë së krijuar pa mbulesa ekonomike të karakterit ligjor”, tha prof. Muhamet Kelmendi./kosova sot/