UBT

Miliona për “mercenarët” politikë!

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Nga Lavdim Hamidi – Gjithçka është e klasit të parë, prej ulëses së aeroplanit, dhomës së hotelit, drekave e darkave nën përcjelljen e verave të shtrenjta në restorantet luksoze të kryeqendrës evropiane dhe dita përfundon me një mëditje prej 100 euro, apo gati sa paga mujore minimale në Kosovë.

Këtë luks e kanë pasur secili prej tyre për më shumë se dy vjet, të cilët kanë shkuar në tavolinë me palën serbe për të negociuar çështjet e brendshme të Kosovës, apo më saktësisht zgjidhjen e problemit të veriut të vendit.

Janë këta politikanët e shtetit më të varfër në Evropë, të shoqëruar me një batalion përcjellësish, të cilët do të vazhdojnë të përfitojnë nga vendimi i fundit i kryeministrit Hashim Thaçi, i cili tashmë, para pak ditësh ka ndarë edhe hiç më pak se 700 mijë euro për mbulimin e shpenzimeve për përfaqësuesit e zyrës së tij dhe të ministrive që marrin pjesë në delegacionet e ndryshme. Përpos kësaj, qindra mijëra euro ishin ndarë edhe në fillim të këtyre bisedimeve, në vitin 2011, kur Edita Tahiri takohej me Borko Stefanoviqin e Serbisë.

Rreth tavolinës së bisedimeve ata reflektojnë standard të njëjtë, pavarësisht se pala serbe dhe ndërmjetësit evropianë as nuk mund ta imagjinojnë se po e përfaqësojnë një shtet me 45 për qind të papunë dhe me 20 për qind varfëri të skajshme.

Derisa shumica e popullsisë në Kosovë mezi sigurojnë bukën e gojës, përfaqësuesit e tyre në Bruksel thuhet se më së vështiri e kanë të vendosin se në cilin restorant do ta hanë darkën, apo të cilit vit ta porosisin verën. E kanë “zbuluar” së voni se “vera më e vjetër qenka më e mirë”!.

Të fokusuar se çfarë kompromisesh të dhimbshme do të ndodhin me këto bisedime, askush nuk e ka “çarë kokën” se si pamëshirshëm po e shterojnë kuletën e shtetit përfaqësuesit e Kosovës.

KKVITI

Dhe në fakt, kur u mor vesh se për zgjedhjen e kryepolicit të veriut nuk do të vendosë Hashim Thaçi, por Ivica Daçiqi, se kur data e zgjedhjeve lokale do të caktohet në Beograd e jo në Prishtinë, tash po na dalin në pah beneficionet e delegacionit vendor në këto bisedime.

Janë po këta negociatorë, në krye të të cilëve është zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, që nuk e kanë parë të udhës të tregojnë asnjëherë deri më tani se ku i shpenzuan paratë e taksapaguesve kosovarë, me arsyetimin se janë “duke bërë punë të madhe për Kosovën”.

“Punë të madhe” patën bërë edhe negociatorët tjerë në bisedimet e Vjenës, të cilët shpenzuan rreth 2 milionë euro nga buxheti. Përpos klasit të parë në aeroplanët e “Austrian Airlines”, hoteleve me 5 yje dhe mëditjeve të majme, ata kompensoheshin financiarisht vetëm pse ishin pjesë e ekipit të Kosovës të quajtur në atë kohë “Dream Team”.

Mësohet se që nga vitit 2006, kur patën filluar bisedimet në Vjenë, e deri më tani kur janë në përfundim bisedimet për veriun në Bruksel, fatura e përgjithshme e këtyre negociatave ka tejkaluar shifrën prej 5 milionë euro.

Po të ishin të vërteta pohimet se në këto bisedime po shkojnë për zgjidhjen e çështjes kombëtare e shtetërore, atëherë negociatorët kosovarë të cilët edhe ashtu marrin paga nga shteti, nuk do të duhej të përfitonin mëditje të majme dhe të shpenzonin shuma marramendëse në luks, pasi që në këtë mënyrë ata e kanë dëmtuar rëndë financiarisht shtetin, duke dalë kështu në rolin e mercenarëve.