Milani pas Kasamit
Milani ka shumë tifozë shqiptarë. Por, klubit të madh italian mund t’i bashkohet edhe një futbollist shqiptar. Fjala është për Pajtim Kasamin, i cili është nga Struga e Maqedonisë, por që i mbron ngjyrat e përfaqësueses së Zvicrës, shkruan Zëri.
Mediat italiane kanë raportuar se “Rossonerët” shumë moti janë duke e përcjellë mesfushorin e Olympiacosit. Sipas mediave përtej Adriatikut, skautët e Milanit të enjten kanë shkuar në ndeshjen e Europa Leagues në mes Anderlechtit dhe Olympiacosit për ta shikuar nga afër shqiptarin, i cili po shkëlqen në Greqi me gjigantin e këtij shteti.
Përpos Milanit, për Kasamin të interesuara janë edhe shumë klube tjera evropiane, por dominojnë ato nga Serie A dhe ekipet e Bundesligës gjermane, përcjell Zëri.
Kasami është 23 vjeçar, ndërsa i ka shënuar pesë gola për Olympiacosin, prejse ishte transferuar te klubi grek nga Fulhami. Ai pati luajtur edhe për Palermon, Luzernin dhe Bellinzonan.
Kasami ka luajtur për të gjitha ekipet e reja të Zvicrës dhe i ka dhjetë paraqitje me ekipin e parë helvetik, me të cilin pritet të merr pjesë edhe në “Euro 2016”. /Zëri/


