Mikroregjioni evropian mund ta zhvillojë Gjilanin dhe Luginën

Gjilan – Lutfi Haziri në një takim që ka pasur me Riza Halimin, Galip Beqirin e Shaip Kamberin kanë folur për projektet konkrete që mund të zhvillohen përmes mikroregjionit evropian. Haziri tha pas takimit se Lugina është pjesë e pandashme e institucioneve kosovare derisa Riza Halimi e ka çmuar lart takimin e së shtunës mes dy qeverive shqiptare.
Lutfi Haziri është shprehur optimist të premtën rreth të ardhmes së Mikroregjionit Evropian ku përfshihen edhe shqiptarët e Luginës së Preshevës dhe vet Komuna e Gjilanit me rrethinën e Kumanovës, raporton rajonipress.
Haziri në takimin që pati me liderët e Luginës këtë të premte, Riza Halimin, Galip Beqirin e Shaip Kamberin tha se Lugina do të mbetet gjithmonë pjesë e pandashme e institucioneve kosovare.
Haziri tha se Mikroregjioni Evropian që përfshinë Gjilanin- Kumanovën e Tërgovishtën do të zhvillojë ekonomikisht këto qytete dhe në veçanti do të jetë një ndihmesë e madhe edhe për Luginën.
Haziri tha se është koha e fundit që shqiptarë e Luginës të çlirohen nga ato taksa dhe padrejtësi të shumta që i kanë paguar edhe politikisht edhe ekonomikisht. “Tirana e Prishtina duhet të merren më seriozisht me Rezolutën e aprovuar në Parlamentin e Kosovës sepse atje kemi një Kosovë të vogël që ka mbi 100 mijë njerëz që kanë nevojë për ta larguar diskriminimin, dhe në vend të saj kanë nevojë për përkrahje e buxhet” tha Haziri.
Haziri tha se rruga në Stanqiq ndihmon shumë në zhvillimin e ekonomisë dhe të turizmit.
Kurse Riza Halimi deputet i vetëm shqiptarë në Parlamentin e Serbisë tha se pret shumë nga takimi mes dy qeverive shqiptare.”Ky është një hap shumë i madh dhe pozitiv sepse tash më shumë se kurrë kemi nevojë për përkrahje e mbështetje financiare. Fondi i premtuar për Luginën do ta zhvillojë ekonominë dhe pjesët shqiptare në Luginë sepse realisht atje kemi një diskriminim dhe një pastrim etnik”.
Halimi tha se trekëndëshi Gjilan – Kumanovë- Tërgovishte ka mundësi të zhvillojë projekte në kulturë, arsim, ekonomi, dhe informim./rajonipress/