Eko Higjiena

Mikpritja për amerikanët

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Milaim Shefkiu – Një përqafim i ngrohtë, miqësor, ndërmjet një diplomati dhe një kryeministri ndodhi të hënën në Beograd. Ishte kryeministri serb, Ivica Daçiq dhe ambasadori i SHBA-ve atje, Michael D. Kirby, të cilët e promovuan ambasadën e re të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, me sipërfaqe hiç më pak 14000 metra katrorë. Një objekt tepër modern, që ia tejkalon edhe hoteleve me pesë yje, u promovua nga kryeministri serb dhe diplomati amerikan në qendër të kryeqytetit serb.

Me një investim rreth 150 milionë euro, me salla pritjesh, salla konferencash, restorante, salla rekreacioni etj., objekti i ambasadës së SHBA-ve tejkalon të gjitha kancelaritë dhe ambasadat e vendeve të tjera të botës në rajon, përfshirë edhe ambasadën e vendit mik të Serbisë – Rusisë.

Madje objekti i shtetit që atje është konsideruar si armik, ia kalon për nga vlera dhe bukuria, infrastruktura dhe dizajni, edhe Parlamentit dhe Qeverisë së Serbisë.
Natyrisht që mjetet për ndërtimin e ambasadës së re nuk i ka dhënë Serbia, por vendi ku është ndërtuar objekti është ndarë nga Qeveria e Beogradit.

Kryeministri serb Ivica Daçiq tha se forcimi i marrëdhënieve mes SHBA-së dhe Serbisë është një nga prioritetet e qeverisë që drejton ai. Me këtë rast, diplomatët amerikanë përkujtuan se në Beograd e kanë përfaqësinë që prej 130 vjetësh.

Po e përmend këtë rast nga frika se qeveria në Uashington po i ndërron qasjet e mbështetjes ndaj shteteve në Ballkan. Derisa për disa vite Prishtina është konsideruar si aleate e pashpallur e Uashingtonit, disa veprime të fundit po çojnë ujë në mulli të huaj. Derisa Serbia bën gjithçka për forcimin e raporteve me SHBA, ne i shkëpusim fijet me këtë superfuqi, që praktikisht Kosovën e ka bërë shtet. Madje për shumë vende të botës, Kosova është konsideruar dhe vazhdon të konsiderohet si projekt amerikan.

KKVITI

Ka më shumë se 14 vjet që jemi ndarë nga Serbia, ndërsa ambasada e SHBA-ve vazhdon të mbetet nëpër shtëpi private, e të paguajë qira. E veçanta tjetër është se diplomaten amerikane e ndaluam që ajo të hyjë në Kuvend në seancën plenare, duke i shkaktuar edhe gjurmë që ajo dhe vetë Departamenti Amerikan i Shtetit do t’i mbajnë mend goxha gjatë.

Nuk është shumë me rëndësi se kush ia ka shkaktuar “çivitët” në krah, protestuesit, garda e saj apo policia, por e rëndësishme është se ajo mori gjurmë për mbamendje. Ndërsa skandali tjetër erdhi të hënën, prapë nga “Vetëvendosje”. Kësaj radhe, me vetëdije të plotë, shefi i kësaj lëvizjeje në Kuvend u irritua nga pjesëmarrja e përfaqësuesit të Ambasadës Amerikane në Kryesi të Kuvendit, duke thënë se “prezenca e amerikanit është e panevojshme”.

Këtyre veprimeve po ashtu i parapriu një skandal tjetër, kur nga prepotenca dhe arroganca e drejtuesve kosovarë, iku nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) përfaqësuesja e kësaj ambasade.

Këto skandale, që po bëhen me vetëdije ose edhe pa vetëdije, kanë zbehur maksimalisht imazhin e Kosovës dhe kosovarëve karshi SHBA-së, shtetit të cilit Kosova dhe shqiptarët në përgjithësi i kanë borxh sot e gjithmonë. Derisa shteti që na ka vrarë me shekuj po i krijon infrastrukturë moderne me standardet më të larta zyrtarëve amerikanë, ne i lëmë vragë në trup ambasadores, nuk i lëmë brenda përfaqësuesit e saj, madje edhe i bëjmë presione që të ikë nga AKP.

Edhe studiuesit më të spikatuar e kanë vështirë t’i “bien në fije” këtij populli, i cili “nën pantallonet e reja i ka donet e shqyera e të bëra copë”. Prandaj, dukja e jashtme, mendoj se po na krijon një irracionalitet, një fotomorgenë afrikane. Me veprimet e fundit, treguam se jemi po ata shqiptarë që e hodhëm nga ura gjeneralin Tomson.