Fundamenti

Migrimi para pavarësisë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Nga Gani Sadiku – Migrimi masiv i shqiptarëve të Kosovës në prag të ditës së pavarësisë së vendit, siç duket e zbehë në masë të madhe festimin e 7 vjetorit të shtetësisë së Kosovës. Edhe ashtu janë ngritur pikëpyetje të mëdha se si duhet të festohet, sa para duhet të shpenzohen për pavarësi, dhe bile si për ironi nga strukturat udhëheqëse në kryeqytet është shtruar edhe çështja e ngritjes së flamurit të shtetit.

Vallë si do të festohet pavarësia e një vendi, pa ngritjen e flamujve të atij shteti, apo siç duket shqiptarët e kanë humbur kondicionin e festës së pavarësisë..

Entuziazmi i festimit të pavarësisë së vendit zgjati vetëm nja 2-3 vite, e më pas erdhi duke rënë sa që në vitin 2015 do të festohet fare pak.

Sot në vendin tonë po flitet e po përflitet në media elektronike si dhe në mediat e shkruara se qytetarët e Kosovës lëvizin në mënyrë ilegale për në vendet e bashkimit evropian e me pak për festimin e ditës së pavarësisë së vendit.

Asnjëherë gjate historisë nuk janë ndalur lëvizjet e popullsisë prej një vendi në vendin tjetër, duke kërkuar shpëtim,strehim apo mirëqene ekonomike. Mirëpo migrimet mund të dallohen në bazë të arsyeve që ata i detyrojnë të lëvizin nga vendi i origjinës. Në bazë të kësaj nuk e di si mund ta quajmë lëvizjen e kosovarëve drejt vendeve evropiane, pasi që ata nuk janë të kërcënuar në mënyre të drejtpërdrejtë, as nga ndonjë fatkeqësi natyrore, as nga ndonjë luftë, por më tepër lëvizin për arsye ekonomike, që ka ardhur si pasojë e politikës së gabuar që është udhëhequr në Kosovë, sidomos prej pavarësisë e këndej.

Ky migrim, Kosovën e rrezikon në 3 aspekte.

1.Njerëzit që largohen nga vendi, ikin me një mllef të pa parë ndaj vendit dhe elitës politike të tij.
2.Rënia drastike e natalitetit apo lindshmërisë në Kosovë në krahasim me vitet e ’70 dhe ‘80. Edhe pse Shkalla e rritjes natyrore të popullsisë në vitin 2012, sipas Komisionit Evropian, ishte 11,3 persona për 1.000 banorë – duke qenë ende më e larta në Evropë.
Dhe

3.Për dallim nga lëvizjet e me hershme( gjate historisë) refugjatët e ikur kësaj radhe, nuk do ti mbaje nacionalizmi dhe nostalgjia për vendin, dhe si pasojë shumë prej tyre me një qëllim për tu pasuruar shpejt, do të përfundojnë edhe nëpër burgje duke dëmtuar kështu qeshjen kombëtare.

Fundamenti

Mirëpo faji nuk duhet kërkuar te qytetari, i cili lëshon vendin e vet për të “shpëtuar” veten dhe familjen e tij, nga varfëria,. Duke qenë se në mes të popullatës dhe elitës së “pakonsumuar politike” është krijuar një hendek vështirë i riparueshëm, atëherë jemi dëshmitar se popullata zgjodhi rrugën e migrimit, në mënyrë që atë energji negative e cila është grumbulluar me vite, mos ta përdorë për rrënimin e vendit.

Edhe teknokratët e Brukselit, ashtu siç mbyllën sytë, duke lejuar qarkullimin e lirë, të maqedonasëve, malazezëve, dhe të serbëve, mund të tregohen më tolerantë dhe të ofrojnë një mundësi më të madhe për Kosovën se nuk besoj që do të përmbytet BE-ja nga dyndjet e shqiptarëve të Kosovës.

A mund të jetojnë në një (kulëm) shtet, hajnat e kriminelet ( që 7 vite pas pavarësisë vodhën dhe përvetësuan pasurinë e vendit) në njërën anë, dhe populli i pafajshëm në anën tjetër.? Nëse kësaj radhe nuk xhindet “rruga e shpëtimit” të shtetit, atëherë po del që në Kosovë demokracisë më tepër ia panë “hajrin” ata që vodhën dhe plaçkitën shtetin, se sa vet populli.

Deshëm ne apo s’deshëm, në demokraci duhet një përvojë dhe një tolerancë shpirtërore individuale e cila në rrethana të caktuara, shndërrohet në një të mirë dhe vlerë të përgjithshme shoqërore.

Siç duket ne shqiptarëve demokracia ende po na bien si një setër e veshur mbrapsht me astar sipër, që me dëshirë po e bartim për tu treguar të tjerëve gjoja se ne demokracinë e bartim mbi rroba, duke harruar se ajo duhet të jetë në botën individuale për të qenë më pas një vlerë kolektive.

Demokracia për ne, nuk është diçka e re, mirëpo siç duket nuk shkon mirë, pa qenë pak e përzier me një “diktaturë” të butë e cila tek shqiptarët s’është gjë tjetër veç se një çelës për ta ndezur makinën e fikur të pushteteve “demokratike”.

A është kjo demokracia dhe liria e shqiptarëve.? Ne sot kemi vetëm lirinë e fjalës sepse sot nuk do të burgosesh nëse diku i shkruan dy shkronja K.R (Kosova Republikë), mirëpo neve liria e fjalës na erdhi shumë vonë, vetëm atëherë kur askush se dëgjon fjalën e askujt. Ndërsa në kuptimin e lirisë së lëvizjes, ne shqiptarët vetëm sa u izoluam nga bota. Vallë a është kjo Kosova për të cilën luftuam, që të robërohemi kolektivisht? Apo luftuam për ta krijuar ndjenjën e pafuqisë kolektive.?

Për qytetarin e varfër s`ka kuptim as demokracia, as pavarësia sepse pa mirëqenie ekonomike këto janë vetëm fraza që në “sofrën e shtruar” nuk e begatojnë menynë e të varfërve./rajonipress/