Eko Higjiena

Migjen Kelmendi: Serbia prioritet i qeverive perëndimore, lidere politike e rajonit, kjo nuk asht në kurriz të Kosovës

/ 13 minuta lexim
Fundamenti

Gazetari, publicisti, intelektuali, shkrimtari Migjen Kelmendi ishte i ftuari i dytë i Forumeve UET, i cili u rikthye sërish në auditorë jo për promovim libri, por për të diskutuar mbi situatën në Kosovë: të shkuarën, të tashmen dhe të ardhmen e saj. Qëndrimi i Shqipërisë dhe kryeministrit Rama, qasja e re e SHBA-së dhe Bashkimit Europian ndaj Serbisë; konjukturat e reja në Ballkan me ndryshimin e tre qeverive; qëndrimi i opozitës kosovare; ishin disa prej çështjeve që u prekën gjatë bashkëbisedimit me studentë dhe pedagogë të UET, nën tematikën “Kosova, 25 vjet më pas”.

Nëpërmjet shtëpisë botuese UET Press, Kelmendi ka ardhur te lexuesi i Shqipërisë me dy botime: librin “Unë jam Kosovë”, një përmbledhje shkrimesh të botuara në gazetat “JAVA” dhe “Koha Ditore”, prej vitit 1999 e deri më 2008-n, dhe romanin “Gryka e kohës”, i botuar për herë të parë në 1994.

Ju keni shkruar për Kosovën si shtet multietnik qytetar, i të drejtave të njeriut, i barazisë gjinore. Pa përmendur çështjen etnike që duket e tejkaluar, sot jemi te e ardhmja, 25 vite më pas, nga ato dorëshkrime që janë botuar në “Koha ditore”, dhe në gazetën “Java”, që duhet thënë ishte i pari organ shtypi i shkruar në gegnisht. Sot, 25 vjet më pas, ku është Kosova e ëndërruar, e parashikuar multietnike qytetare?

Bashkëpunimi me UET m’ka ba me ardhë sot këtu, se po bahen 3 vjet që po e evitoj daljen në publik. Tue e pasë nji korrelacion me UET, po e ndiej obligim me i nda disa observime të mia të fundit për situatën politike në përgjithësi. Qysh përfundoi Kosova si shtet qytetar? E gjeni në botimin e UET PRESS, “Unë jam Kosovë”, libër që përmbledhë mendimet dhe opinionet e mia për nocionet e mëdha si shteti, kombi, gjuha, flamuri, që e kishin anticipue Kosovën si shtet qytetar. Kur e kishim lansue gazetën “Java”, me 1 Dhetor 2001, lansuem debatin për identitetin kosovar: çka domethanë ‘kosovar’; ‘kusha asht Kosovari?’; si artikulohet, si identifikohet?; qysh asht partikular në raport me identitetin shqiptar? Ai debat ka qenë i gjatë dhe u përmbyll në vitin 2005, i përmbledhun në librin që u botue shqip dhe anglisht: “Kush asht Kosovari – Debat mbi Identiteti kosovar”.

Lansue në vitin 2001, këto ishin tema delikate dhe të gjithë mendojshin, tana partitë, elita e shkollueme e Kosovës, nacionalistat e rëndomtë, jo mirë të shkolluem, ishin të bindun se mbas NATO’s proceset politike në Kosovë kanë me përfundue me themelimin e shtetit të dytë shqiptar në Ballkan. Edhe Tirana zyrtare bile ende i referohet Kosovës si ‘shtet shqiptar’. Kosova nuk asht shtet-komb, Kosova, njashtu siç asht e sanksionueme edhe në Kushtetutë, asht shtet qytetar. Të gjitha etnitë janë të reprezentueme në te. Asht shtet i të gjithëve: edhe i serbëve, edhe i boshnjakëve, edhe i turqve. Kushtetuta u garanton ulëse në Kuvend tana etnive tjera. Gjuha zyrtare asht edhe shqipja, edhe serbishtja, edhe anglishtja si e tretë. Kur i ke krejt këto parasysh, ju e shihni se krejt ajo që asht anticipue me gazetën JAVA dhe me ato debate që janë zhvillue aty, ndodhën me shpalljen e Pamvarësisë.

Në Kallnor të vitit 2002, në JAVA e kemi pas shpall konkursin për Flamurin e Kosovës, si duhet me qenë dhe me u dukë Flamuri i Kosovës. Kjo, asokohe, u pa si sakrilegj, si kijamet, si provokim i madh. Por, kur Kosova e shpalli pamvarësinë, bashkëpunëtori i kryeministrit Thaçit, zavendëskryeminstri, me të cilin isha i afërt, m’tha: “Migjen urime, u ba siç deshte ti”. I thashë: “Kadale, nuk asht kjo punë dëshire, une veç jam mundu me anticipue dhe me ju ndihmu juve, që mos t’ju vjen si traum, se shteti ka me qenë qytetar”. “Shtet çikë” i thojsha me humor Kosovës asokohe, njashtu siç në familjet patriarkale shqiptare, kur lind çikë, s’ishte sihariq!

Megjithatë, ju keni qenë një mbështetës i veprimtarisë së UÇK-së. Ndryshe nga politika e ngurtë e Rugovës, ju ishit më pro kësaj pjese.

Kur u shfaq ushtria dhe nisi me veprue, kjo ishte e papritun në republikën e Rugovës, në republikën e LDK, ku propagandoheshin metoda paqësore për veprim politik. Në vitet ’90, Beogradi e kishte instalue nji semi-apartheid po i them, se nuk kisha me thanë se ishte apartheid klasik, dhe Milošević e propagandonte sentencën: “Mir vlada na Kosovu”! Paqja po mbretnon në Kosovë. Nuk ka nevojë për intervenime nga jashtë. Kjo “paqe millosheviqiane”, siç e kam quejt edhe nëpër artikujt e asaj kohe, ka qenë dashtë me çdo kusht me u thye. Sepse, pa u thye paqja (e rreme), pa u kriju situata e konfliktit me Serbinë, nuk ka pas mundësi bashkësia ndërkombëtare me intervenu. Nuk intervenohet në nji vend ku ka “paqe”. Këtu e shihni rolin e randësishëm historik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që e then këtë paqe të rreme, e krijon situatën e konfliktit dhe e hap rrugën për intervenim.

Sot kemi një realitet krejt tjetër. Liderët e UÇK-së janë pjesë e rëndësishme e politikës, janë nën akuza nga Gjykata Speciale.

Asht observim, dedukcion i jemi personal gjithmonë: pjesa e parë thamë, ishte ajo pjesa e bukur e historisë së Kosovës, intervenimi, çlirimi, themelimi i shtetit, shpallja e pamvarësisë. Gjatë gjithë kësaj kohe, Kosova, Prishtina politike ishte darling, dashnorja amerikane, dashnorja europiane në Ballkan. Krejt procesi i shtetformimit dhe pamvarësisë asht ideue deri në detaje, asht bashkrendue e realizue deri në fund, deri te shpallja, me ndihmën e State Department dhe qeverive europiane. Prandaj edhe pasuen ato 100 njohje menjiherë. Kjo ke ajo pjesa e bukur e nji relacioni tonë me amerikanët dhe europianët. Po çka ndodhi në këte pjesën e dytë, kryesisht këto 5 vjetët e fundit?

Radikalisht ka ndryshu qëndrimi amerikan ndaj Serbisë, sidomos mbas luftës n’Ukrainë. Serbia sot asht darling e Shtëpisë së Bardhë dhe e State Department. Politikani ma i randësishëm në këtë kontekst sot asht Vučić. Asht personi përmes të cilit këto dy instanca të nalta politike amerikane po përpiqen me çdo kusht që Serbinë, disi me e largu nga ndikimet ruse dhe nga ato kineze, për me e kthy rrugën e Serbisë drejt Europës dhe NATO’s.

Kjo shkon në kurriz të Kosovës?

Nuk asht në kurriz të Kosovës. Kështu po mendon qeveria e Kurtit, por kjo duhet me u pa nga nji kand ma i gjanë. Çka ka të re? Ndërrimi i politikave për rajonin dhe ripërcaktimi i prioriteteve të reja nga ana e Washingtonit dhe Brukselit. Sot fokusi asht n’Beograd, dhe protagonisti asht Vučić. Këte detyrë, aspak të lehtë, ja ngarkojnë nji diplomati të rryem, zotit Christopher Hill. Edhe pse i pensionuem, e ftojnë dhe ja japin ingerencat e plota në këte mision. Zoti Hill ka qenë gjithmonë i afërt me autoritetet n’Beograd. Në Konferencën e Rambouillet, ai shprehej kundër intervenimit ushtarak ndaj Serbisë, dhe propagonte nji autonomi të Kosovës mbrenda Serbie.

Lufta n’Ukrainë vetëmsa i akceleroi këto politika e prioritete të reja, që si finale patën – kthimin e Serbisë si fuqi rajonale. Sot Serbia perceptohet si partnere e shteteve perendimore, lidere e rajonit, kandidate per anëtarësim n’UE dhe NATO. Mirëpo, ky rikonfigurim i forcave politike në rajon, ku Serbia duhet me qenë në qendër, ku Serbia asht prioriteti i qeverive perendimore, kerkonte edhe qeveri e protagonista te ri politik ne shtetet e rajonit. Pajtimi dhe komplementariteti i Beogradit me keto politika e prioritete perendimore nuk ishte pa kushte. Kthimi i influencës së Serbisë në rajon, si para intervenimit te NATOs, dhe roli i ri i saj si lidere politike dhe ekonomike e rajonit, kërkoi shembjen e tri qeverive në rajon. Influenca e Serbisë ishte e cungueme dhe e pengueme me shpalljen e Pamvarësisë së Kosovës, me qeveritë sovraniste në Podgoricë dhe në Shkup, andaj kjo situatë duhej ndryshue. Protagonistat e shembjes se pengesave në mënyrë që Serbia me e rikthye influencën dhe rolin e saj në rajon, në dritën e prioriteteve të reja perendimore, ishin Edi Rama, Dritan Abazoviq, Albin Kurti dhe Hristian Mickoski.

Mbrenda këtyne ndryshimeve, duhet me e pa dhe kuptue edhe Gjykatën Speciale, si kusht i paevitueshëm i Beogradit, që reprezentuesit e luftës në Kosovë, suksesin e të cilëve Beogradi gjithmonë e ka përjetue si ofendim, medoemos me u gjykue dhe me u largue nga skena politike e Kosovës.

Uji Dea

Pra janë interesa gjeopolitike. Po interesat e Kosovës ku qëndrojnë në këtë konfigurimin e ri, le të themi, të Ballkanit?

Kam droe se ky ripërcaktim i prioriteteve dhe ky rikonfigurim i pozicioneve në rajon, nuk po lexohet saktë dhe nuk po kuptohet mirë. Nëse Serbia na qenka sot prioriteti amerikan dhe europian i rajonit, kjo nuk domethanë se qeveria në Kosove u dashka me marre pozicion refuzues ndaj këtyne prioriteteve. Kosova nuk e ka komoditetin mos me qenë bashkëpunuese dhe komplementare me politikat amerikane e europiane në rajon. Nji qeveri e përgjegjshme do duhej me e gjetë vendin dhe interesin e vet në këte konstalacion të ri të forcave në rajon. Ky pozicion që sot e ka qeveria në Kosovë, për mu asht i gabuem, sepse po na qet jashtë skene, po na antagonizon me faktorët ma të randësishëm ndërkombëtarë, bashkudhëtarët e shtetësisë sonë, pa të cilët, aktin e fundit që mbeti pa u krye – rrumbullakimin e njohjes së subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës – nuk mundemi me e krye.

Po Vuçiq, që është punuar me të, por nuk është ndërruar?

Mendoj se ai ka ndrrue. Lexojeni Marrëveshjen e Ohrit, mos e ndigjoni retorikën e tij populiste. Marrëveshja asht arritë. Punë e kryeme. Këto përrallat për nënshkrim e ç’nënshkrim janë populizëm për votues e militanta. Edhe Kurti e pranon: “Po, e kam pranu Marrëveshjen e Ohrit, por e kam në pako!”. Nuk ka dyshime që ka marrëveshje mes Prishtinës e Beogradit. Jemi vetëm te faza e implementimit, me çfarë tempoje, kur…Pjesa tjetër asht e kryeme. Vučić deklarativisht shprehet se ‘kurrë s’kam me e njoftë Kosovën”, e në anën tjetër, lidhë marrëveshje me reprezentuesin e nji shteti që nuk njeh! Vučić e ka nji të vërtetë për votuesin dhe publikun në Serbi, dhe nji të vërtetë tjetër për partnerët ndërkombëtar.

Opozita e Kosovës, ku qëndron në këtë politikë të madhe, por edhe në vend?

Opozita e cila ka marrë nji pozicion gati të mëndafsht opozitar, që mjaftohet vetëm me deklarata publike, kritikuese, nuk mendoj se mundet me prue ndryshim. Pozicioni i opozitës në Kosovë nuk asht për me u lavdue. Nuk po shoh se diçka substanciale po ndodh në atë pjesë të arenës politike dhe nuk po shoh se kemi me pas kushedi çfarë ndryshimi të madh në Kosovë. Kjo nuk domethënë se qeveria Kurti i ka të garantueme 50%. Dështimet në ekonomi, në arsim, në shëndetësi, në punësim, në diplomaci…. të qeverisë së Kurtit, e kanë tagrin e vet.

Në konjukturën e re, cilat janë shanset që të ketë njohje të ndërsjellë mes Kosovës e Serbisë? Cila është rruga e re që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës? Le ta themi troç, planet e Thaçit për shkëmbim territoresh?

Nuk ka qenë as ide e as plan i Thaçit shkëmbimi. Ishin Vučić, Edi Rama dhe Grenell që e joshën Thaçin me ju bashkue. Ka qenë shumë e guximshme ajo ide. Nuk po them që s’kishte me qenë nji zgjidhje, por kjo nuk bahet pa faktorët ndërkombëtarë.

Po sikur kjo të jetë e vetmja zgjidhje?

Oh jo, nuk asht. Kosova shtet, Kosova e pamvarun, Kosova europiane asht zgjidhja. Nisjani ma s’pari me mësue gegnisht këtu në Tiranë, nisjani me u adaptue e me u mësue me Prishtinën si qendër e re politike, kulturore, ekonomike, si shtet i ri i Ballkanit, dhe me na pa si partner.

Gabim asht kjo qasje e Tiranës. Dobrica Ćosić asht konsiderue gjithmonë baba i mendimit politik serb. Ai ka dalë i pari me tezën razgraničenje (ndamje, përcaktim kufini). Hera e parë që e kam ndigju këte ide ka qenë në vitet ’80, ku propozohej Kosova me u nda mes Serbisë e Shqipnisë.

Nëse komuniteti ndërkombëtar është dakord me këtë, çfarë qëndrimi duhet të mbajë shoqëria shqiptare? A duhet ta bëjë këtë kompromis të dhimbshëm? Cila është rruga alternative që Serbia ta njohë pavarësinë e Kosovës, me çfarë presioni?

Çka ka të keqe me pas edhe nji shtet n’Ballkan ku predominant janë shqiptarët? Keq po e përjetojnë veç n’Beograd, sepse simbas tyne, ky shtet i ri po ndërtohet mbi copën e territorit të tyne. Nuk asht se Vučić e don shumë Edi Ramën, po përmes tij, Vučić po i ban bypass Kosovës, institucioneve, reprezentimit politik të Kosovës, dhe për Kosovën ma shumë po flet me këte politikanin me patika, Ramën. E Rama, nga ana tejër, po i pëlqen ky rol që ja ka dhanë Vučić, dhe ka nis me mendue se mundet me reprezentu interesin politik të Prishtinës. Gabim gjigand i tij. N’Prishtinë i thojmë ‘shoki i Batonit’ (Haxhiut:)

Cila është ideja intelektuale autentike kosovare që Serbia ta njohë pavarësinë?

Nuk asht në fuqinë tonë. Asnjiherë bashkësia ndërkombëtare nuk ja ka vu si kusht Serbisë njohjen e Kosovës. Hala n’Serbi s’ka lind ai njeri që guxon me e njoftë Kosovën shtet. Ndoshta gjeneratat tjera të politikanëve, nuk janë këta. Po, nuk kisha me e vu theksin te njohja formale, s’po na duhet me na njoftë Serbia formalisht, po de facto. Serbia na duhet për me na ndihmu me e zgjidhë problemin në veri, i cili asht shndërrue në pengesë për rrumbullakim e subjektiviteti tonë ndërkombëtar. Serbia na duhet si nji shtet kojshi, me të cilin kemi me qenë në relacione paqe e bashkëpunimi. Besoj se edhe njohja formale prej Serbie ka me ndodhë, me nji gjeneratë të re të politikanëve, kur të krijohet nji realitet i ri mbas përfundimit të subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, i cili nuk kryhet, për pa u krye çashtja e veriut.