Migjen Basha më afër kombëtarës zvicerane
Në të ardhmen e afërt mund të bëhet pjesë në përfaqësuesen helvetike, pjesë e së cilës janë edhe pesë shqiptarë të tjerë
25 vjeçari është i gatshëm ta pranojë ftesën e Ottmar Hitzfeldit, pasi është lodhur duke pritur angazhimin me ekipin kuqezi.
Pas paraqitjeve të shkëlqyeshme që po bën me skuadrën e Torinos në Serie A, Migjen Basha ka rënë në sytë e selektorit të Zvicrës, Ottmar Hitzfeld.
Mesfushori me prejardhje nga Suhareka është kontaktuar nga helvetikët, derisa është vëzhguar edhe në derbin Juventus – Torino
Basha të shtunën e ka dërguar në Itali, respektivisht në derbin e qytetit Juventus – Torino, asistentin e tij Michael Bont, që ta përcjellë nga afër mesfushorin kosovar, i cili posedon pasaportë zvicerane dhe shqiptare.
Bont është ndarë i kënaqur me paraqitjen Bashës, derisa i ka premtuar se në të ardhmen e afërt mund ta ftojë në përfaqësuesen helvetike, pjesë e së cilës janë edhe pesë shqiptarë të tjerë; Xherdan Shaqiri, Valon Behrami, Granit Xhaka, Blerim Xhemajli e Admir Mehmedi.
“Pas ndeshjes Juventus – Torino e kam takuar asistentin e selektorit të Zvicrës, Michael Bont, i cili kishte qenë në ndeshje për të më vëzhguar. Gjatë bisedës ai më tha se janë të interesuar për mua, por më porositi që të vazhdoj të luaj me këtë ritëm për të marrë ftesë nga Ottmar Hitzfeld”, deklaroi Basha për Express.
Ish mesfushori i Atalantas pohon se nëse merr një ftesë nga përfaqësuesja e Zvicrës, do të detyrohet ta pranojë, pasi Federata Shqiptare e Futbollit (FSHF) ende nuk ka mundur ta zgjidhë problemin me FIFA’në për ta angazhuar me ekipin kuqezi.
Basha tash e tri vite është në pritje të një përgjigjeje nga FIFA, nëse do ta lejojë që ta veshë apo jo fanellën e Kombëtares shqiptare, por ende nuk ka marrë asnjë përgjigje.
“Jam lodhur duke pritur një përgjigje nga FIFA se a do të ma lejojë të luaj me Shqipërinë apo jo. Nëse ftohem nga Hitzfeld, duhet ta pranoj ftesën, edhe pse dëshira ime është që ta vesh fanellën kuqezi”, theksoi Basha.
Që nga koha e ish-selektorit kroat Josip Kuze, mesfushori i Torinos ishte i gatshëm t’i bashkohej Shqipërisë, mirëpo FIFA ishte ajo që nuk e lejoi therandasin ta bëjë një gjë të tillë, pasi më herët kishte luajtur me ekipin U21 të Zvicrës.
Mirëpo, me iniciativën e selektorit të ri të Shqipërisë, Gianni de Biassi, Migjen Bashës sërish i ishin ngjallur shpresat se mund ta realizojë ëndrrën.
Por, iniciativa e trajnerit italian dhe Federatës Shqiptare të Futbollit për ta bindur FIFA’n se 25-vjeçari ka të drejtë të luajë me ekipin kuqezi deri më tani ka rezultuar e pa suksesshme.(albinfo)