Eko Higjiena

Mexhit Devaja, kolosi i sportit kosovar në librin më të ri “Një jetë me hendbollin”

/ 2 minuta lexim
Eco Higjiena

Gjilan- Libri i Artan Muhaxherit i titulluar “Një jetë me hendbollin” tregon më së miri rrugën e Mexhit Devajës i cili mbetet një nga figurat më madhore të hendbollit kosovar, por jo vetëm kaq. Devaja ka thënë se jam krenar për punën të cilën e kam bërë për të mirën e hendbollit. Të enjten duke filluar nga ora 18.00 në teatrin e qytetit në Gjilan promovohet libri “Një jetë me hendbollin” i Artan Muhaxhirit ku pritet të flasin figura të rëndësishme ndërkombëtare nga fusha e sportit.

“Një burrë i fjalës, këmbëngulës në qëllimet e veta, modest, i drejtë e shumë punëtor”. Kështu e ka përshkruar autori i librit figurën e Mexhit Devajës në librin “Një jetë me hendbollin” i cili pritet të promovohet këtë të enjte (sot) në Gjilan.

Libri “Një jetë me hendbollin” sjell në një formë më ndryshe fakte, prapaskena interesante, opinione të atyre që e njohën punën dhe bashkëpunuan për gjatë rrugëtimit të tij me hendbollin.

Fundamenti

Libri përmban momente interesante, zhvillime nga më të ndryshmet duke filluar nga lobimi, kontaktet, njohjet me delegacionet e huaja, angazhimi maksimal në ndërkombëtarizimin e hendbollit. “Karakteri i fortë, morali brilant, guximi dhe trimëria e pashembullt e Mexhitit, bëri që ai dhe hendbolli i Kosovës të krijoj miq dhe përkrahës në gjithë Evropën dhe më gjerë. Prandaj emri i Mexhitit do të mbetet i respektuar në analet e historisë jo vetëm të hendbollit, por në përgjithësi të sportit të Kosovës” është thënë në hyrje të librit.

Kurse vet Mexhit Devaja ka thënë se “jam krenar për punën të cilën e kam bërë, për të mirën e Hendbollit dhe shtetit tim. U trasua një rrugë shumë e mundimshme për gjeneratat e ardhshme që t`i bashkëngjiten familjes së madhe evropiane e botërore, sepse nëpërmjet sportit vlerësohet edukata e një shteti. Këtë mundësi tani e kanë hendbollistët e hendbollistet e Kosovës”.

Ndryshe në promovimin e librit pritet të flasin Lutfi Haziri, Tarik Cengiz, Zoran Rodojqiq, Besim Hsani, Astrit Memia etj./rajonipress/