Meucci: Korrupsioni është bërë mënyrë e jetesës në Kosovë

Shefi i Misionit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), Gabrielle Meucci deklaroi se korrupsioni është një mënyrë jetese në Kosovë. Ai ka thënë se 65 gjyqtarë dhe prokurorë të EULEX-it, nuk janë supermenë për ta ndryshuar gjendjen.
I pari i EULEX-it duke folur si mysafir në studion e Info Magazines në Klan Kosova ka dhënë një deklaratë interesante kur është pyetur për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit.
“Do ju kisha pyetur juve dhe gjithë qytetarët e Kosovës një pyetje. A keni dështuar ju në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit? A mendoni se 40 gjyqtarë dhe 25 prokurorë mund ti ndryshojnë gjërat në vendin tuaj, nëse ju nuk doni të merrni pjesë në këtë luftë. Nuk mund të mbështeteni në 65 supermenë që vijnë në vendin tuaj për t’ju ndryshuar life-stylin(mënyrën e jetesës). Në Kosovë ka një ‘life style’ që duhet ndryshuar”, pohoi shefi i EULEX.
I pari i këtij misioni është shfaqur i befasuar me qasjen e popullatës ndaj keqpërdorimeve të vazhdueshme që bëhen nëpër Kosovë.
“Mendoj se kosovarët janë shumë tolerantë ndaj sjelljeve të parregullta. Ne çdo ditë shohim që njerëzit i vërejnë parregullsitë, por nuk reagojnë. Ne kërkojmë që ata të ngriten dhe të thonë se jo kjo nuk bën dhe kështu nuk bëhet. Nuk mund të ndryshohet kultura e 1.7 milionë njerëzve nga një grusht prokurorësh e gjykatësish të EULEX”, nënvizoi Meucci.
Italiani që në krye të misionit erdhi 3 muaj më parë, kur iu referua shifrave dhe funksionimit të EULEX-it në 7 vjetët e kaluar, ka thënë se misioni evropian ka qenë i suksesshëm në kryerjen e obligimeve të veta.
Por ai është shfaqur kritikë ndaj disa prokurorëve ndërkombëtar që tentonin të bënin spektakël me deklarime bombastike.
“Mendoj se në të kaluarën janë dhënë deklarata sikur të flisnim për një fushë argëtimi. Çështja e peshqve të mëdhenj vjen nga ideja e drejtësisë politike. Disa kanë menduar se do të bëhet drejtësi në politike sikur të vijnë disa kauboj, i vendosin të gjithë prapa grilave dhe pastaj shohin kush çka ka bërë. Mirëpo kjo nuk është drejtësia, nevojiten materiale, fletë, dëshmi që të vërtetohet fajësia e dikujt”, pohoi i pari i EULEX.
Italiani ka akuzuar rëndë edhe ish prokuroren Maria Bamieh, kur ka komentuar akuzat e saj ndaj misionit evropian.
“Mendoj se ajo është shfaqur raciste kur i është referuar italianëve, shqiptarëve, rumunëve, malazezëve e grekëve sikur njerëz të korruptueshëm. Por kur jemi te akuzat e saj, në EULEX është krijuar një task forcë për të hetuar secilin pretendim të saj. Dhe shpresoj ta zbardhim këtë”, pohoi ai.
Por sipas tij ky skandal ka dëmtuar imazhin e misionit që ai e drejton.
“Pra nëse nuk do të ishte ashtu, ju nuk do të më pyesnit për një gjë të tillë apo jo”, ka komentuar ai.
Meucci ka folur edhe Gjykatën Speciale.
Sipas tij, nëpër luftëra të drejta e të padrejta shkaktohen krime, andaj italiani ka thënë se duhet ky institucion duhet të krijohet, derisa ka bërë me dije se askush nga misioni nuk është në dijeni për emrat e të akuzuarve të mundshëm.
Meucci ka përshëndetur marrëveshjen ndërmjet kryeministrave Mustafa dhe Vuçiq në Beograd për drejtësinë në veri.
Ndonëse ka potencuar se nuk i di detajet, ai e ka quajtur atë një mundësi të mirë për të lëvizur përpara, kur ka shfaqur gatishmërinë për të ndihmuar në zbatimin e saj. /Klan Kosova/