RCCOLA

Metush Haxha – të lumtë dora

/ 4 minuta lexim

Gjilan – Metush Haxha (1880-1965) lindi e u rrit në katundin Haç të çarkut të Gjilanit. Ishte pjesëmarrës i të gjitha kryengritjeve të fundit që u zhvilluen në Grykë të Kaçanikut kundër pushuesve turq. Për ma tepër Metushi ishte shejtar i shkëlqyeshëm. Ai ia shpoi kazanin pampurit turk tek po kalonte nëpër Grykën e Kaçanikut. Sa të tjerë e kishin provue këtë gja, por pa sukses ngase lokomotiva kishte cilindrin e avullit me shtypje të naltë të vendosun horizontalisht.

Plumbat rrëshqitnin (teptisnin) poshtë ose nalt dhe vështirë ishte të gjendej kandi prej 90˚. Këtë kand e gjeti dhe e zuni vetëm shejtari i pashoq – Metush Haxha. Mbasi e shpoi kazanin, treni vazhdoi dhe disa hapa dhe u ndal – u ndal qarkullimi i trenave në udhën e frengit (hekurudhës) Selanik -Mitrovicë.

Dami që i shkaktoi Metushi Perandorisë së ugurzisë turke nuk ishte i vogël, për këtë sigurisht qe njoftue edhe xhelati i Stambollit. Duhej edhe nji lokomotivë tjetër për ta tërheq këtë coftinë për riparim, riparimi nuk ishte i lehtë kur dihet se në këtë kohë ende nuk njihej puna e saldimit. Lokomotivat prodhoheshin vetëm në Europë e jo në Turqinë anadollake e të mbrapambetun.

Sa e sa herë Metushin e kishin thirr nëpër dasma në këtë anë, vetëm e vetëm për me e vra shejin që ishte kusht për me vazhdue krushqit e me u kthye me nuse. Shej vehej nji asht ose nji filxhan i kafës, ky burrë kurrë nuk e rrëzonte shejin me të parin – e treta e vërteta e i zoti i dasmës nuk e ka kujtë (pranue) nëse sheji vritej me të parën tue thane se “plumbi këtuhit e kishte udhën” e drejtonte shejin sërish dhe thoshte “e tashti vraje në mujsh me e vra” thuhet se mbrapa shejit shumëherë e kanë vue nji copë bukë dhe sheji nuk vritej (bestytni).

Shpeshherë Metushin vinin e merrnin me kali vetëm me e rrëzue shejin se dasma nuk do të përfundonte pa u krye kjo punë. Me Bozk Stubllën ishin shokë të pandashëm që të dy luftarë të Grykës së Kaçanikut e të Grykës së Konçulit, bashkëluftarë dhe truproje të Idriz Seferit.

Qenë shejtarë të mire, e vrisnin zogun në qiell. Metushi kishte pushkë të gjatë në cilën mund të flinin 12 çura. Në livadhe të Zhegrës ai e kishte vra nji serb të këtij katundi ngase kishte sha shumë keq. Për këtë rast gjykata e Shkupit e kishte lirue për shkak të mospërputhjes së emnit, megjithatë familja e tij e pagoi këtë gjak 50 lira – ar, serbët e Zhegrës qenë shqiptarë të sllavizuem.

KKVITI

Gjatë L2B Metushi e kaloi Moravën dhe doli në Shqipni, punoi si rojtar në Budrikë, Radivojc, Devajë, etj. herë-herë vinte natën dhe fshehurazi te Haçt e shihte familjen, fqijt, etj. Mbas L2B ai ka hecun shumë për besëpaqe, ka marr pjesë në shumë pajtime e mbarime që asht nji akt burrnor e atdhetar.

Jo vetëm që nuk duhet harrue këtë luftar e atdhetar e shejtar të shquem por atë duhet nderue e në radhë të parë do të ishte tepër mirë që Shoqata e Shejtarisë e Gjilanit të emërtohet me këtë emën të madh – me emnin e Metush Haxhës. Krenari për këtë shoqatë do të ishte me e mbajt emnin e nji atdhetari të traditës, e nji luftar të Grykës Kaçanikut dhe të Grykës Konçulit, kur dihet se njeriut si ai nuk i shkonte asnji plumb huq, emnin e nji shejtari të shkëlqyeshëm, emnin e nji njeriu që ia shpoi barkun sulltanit gjakpirës, emnin e nji njeriu që i shkaktoi dam të madh Turiqisë ugurzezë.

Kjo shoqatë duhet të emërtoj e mbaj nji garë, çmim a shpërblim me emnin e Bozk Stubllës që të nderohet e të mos harrohet ky burrë, ky atdhetar i madh, ky luftar që rrëzoi e praptoi sa e sa ushtarë turq e serbë.

Qamil S. Dardhankodra