Uji Dea

Metamorfoza e Isës

/ 4 minuta lexim

Isa Mustafa nuk e përjashton mundësinë e një koalicioni të ri mes LDK’së dhe PDK’së, pas zgjedhjeve të reja. Ai ka thënë se qëndrimi i tij se kurrë nuk do të ketë koalicion me Hashim Thaçin, ka pasur të bëjë vetëm me zgjedhjet e kaluara. Pozicionin e Mustafës, analistët konsiderojnë të natyrshëm pasi LDK asnjëherë nuk i ka bërë opozitë të fortë PDK’së.

Qëndrimi i Liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa kundër koalicionit me PDK’në ka ndryshuar krejtësisht.

Tash, Mustafa nuk e përjashton një bashkëqeverisjen me Partinë e Hashim Thaçit, i cila aktualisht udhëheq me Qeverinë e Kosovës.

Në kohën e Fatmir Sejdiut, Isa Mustafa vazhdimisht ka dalë kundër koalicionit PDK-LDK, duke thënë se kurrë nuk do të bëhet koalicion me Hashim Thaçin.

Dy vite e gjysmë më vonë, Kryetari i LDK’së dhe i Prishtinës thotë se qëndrimi i tij ka qenë vetëm për zgjedhjet e fundit.

“Ajo çfarë është thënë më herët është thënë për zgjedhjet e kaluara. Për zgjedhjet e ardhshme do të ndërtojmë kritere të reja dhe ato kritere do të merren në Këshillin e Përgjithshëm të LDK’së”, ka thënë Mustafa, në një intervistë televizive.

Ai nuk e ka përjashtuar që pas zgjedhjeve të reja të ketë një koalicion mes dy partive më të mëdha, ndonëse ka thënë se shumë probleme të Kosovës nuk do të zgjidheshin me një opsion të tillë.

“Me herët e kam thënë, por tash kemi hyrë në një proces, të cilin duhet të marrin vendime organet partiake. Asnjë parti nuk e përjashtoj për arsye se për secilën prej tyre do të diskutojmë në organet e Partisë dhe do të marrim vendimet përfundimtare”, ka shtuar ai.

Ndryshimin e qëndrimit të Isa Mustafës nuk kanë dashur ta komentojnë në PDK.

Zyrtari që ka përkrah koalicionin pas zgjedhjeve të fundit me LDK’në, Rrustem Mustafa thotë se deklaratat e Kryetarit të LDK’së janë të vonshme.

Eco Higjiena

“Tash kanë ndërruar kohët”, ka thënë anëtari i Kryesisë së PDK’së, Rrustem Mustafa.

Ndërkohë, analistët e shohin qëndrimin e Isa Mustafës si reflektim të gjendjes së LDK’së në Kuvend, e cila përkrah shumicën e nismave qeveritare.

“Qëndrimi i ri i Kryetarit të LDK’së është më real. Besoj se e kanë të qartë se nuk munden me qenë partia e parë dhe nga ana tjetër nuk munden as me pas ndonjë koalicion me partitë tjera që me tejkalu PDK’në”, thotë analisti Shkelzen Maliqi.

Sipas tij, Partia e Isa Mustafës nuk ka mundur të akomodohet në pozicionin opozitar, pasi prej pasluftës ka qenë në pushtet.

“Kam dëgjuar zëra që thonë se në Kryesinë e ngushtë të LDK’së ekziston disponimi që nuk duhet të shmanget pushteti sepse kjo po e dobëson partinë”, ka thënë ai.

Edhe analisti tjetër, Ardian Arifaj thotë se nuk duhet çuditur me qëndrimin e Isa Mustafës, pasi LDK dhe PDK kanë qenë edhe dy herë tjera në bashkëqeverisje, në vitin 2001-2004 dhe 2007-2010.

Sipas tij, LDK ka pësuar me qëndrimin në opozitë dhe tash është në poziconin që më mirë pak pushtet se hiq.

“Sjellja e LDK’së në Kuvend e vërteton se asnjëherë kjo parti nuk ka qenë opozitë e zjarrtë në raport me PDK’në. Shumicën e moskuptimeve i kanë pasur për Ligjin e Prishtinës, ndërsa për gjëra të tjera janë pajtuar”, ka shtuar Arifaj.

Ndërkohë, Lideri i LDK’së ka lëshuar pe edhe sa i përket marrëveshjes së arritur në prillin e vitit 2011 për shkurtimin e mandatit të Qeverisë.

“Ne jemi për ta rrëzuar këtë Qeveri, por ta rrëzojmë në mënyrë të rregullt . Që ne të bëjmë zgjedhje të rregullta në vend”, ka thënë Mustafa.(express)