Metamorfoza e Albinit, nga vezët, gazi dhe sulmet, te lutjet e shantazhet
Rezultati zgjedhor që doli nga zgjedhjet e 11 qershorit, ndonëse akoma jo final dhe i certifikuar, që e nxori VV-në si forcën e dytë politike pas koalicionit PAN, po e dëshmon më së miri se sa i etur paska qenë dhe mbetet ish-lideri i ‘Vetëvendosjes’, Albin Kurti, për pushtet. Një njeri që tani shpërfaqet e tregon se nuk dallon fare nga liderët e tjerë, pasi që ai deri dje i gjuajti me vezë e me gaz lotsjellës Isa Mustafën dhe të tjerët, nuk la gjë pa thënë dhe pa vepruar kundër LDK-së dhe Isa Mustafës, deri në sulme tek shtëpia e tij personale, ndërkaq tash, sepse i duhen votat e tij, e thërret, e lut, e besa edhe shantazhon përmes shkrimeve që obligativisht LDK-ja duhet t’i bashkëngjitet vetëm ‘Vetëvendosjes’. Sipas analistëve politikë, kjo tani i bie që po qe se LDK-ja shkon me PAN-in janë të këqij, e po që se shkojnë me VV-në janë të mirë! Kjo situatë sipas njohësve të rrethanave politike në vend flet për standarde të dyfishta të Albin Kurtit dhe VV-së dhe luftë për pushtet pa i zgjedhur mjetet, prandaj ata konsiderojnë se tani është momenti ideal që LDK-ja të mos lëshojë pe dhe të insistojë që kryeministri të jetë vetëm nga LDK- ja, në rast se VV-ja i do votat e tyre, e që të njëjtit deri dje sulmonin edhe shtëpinë e Isa Mustafës, gjë që asnjëherë nuk kanë guxuar ta bëjnë në rastin e Hashim Thaçit e Kadri Veselit.
Taktikat opozitare për ta bindur Lidhjen Demokratike
Sipas politologut Gurakuq Kuqi, drejtor në Institutin për Studime Politike dhe Mediale, nuk ka mbetur parti apo lider partiak në Kosovë pa i përdorur deri më tani standardet e dyfishta dhe atë në çdo rrethanë dhe kësaj vije nuk i shmangen as ‘Vetëvendosje’ dhe Albin Kurti, me qëllim të arritjes deri në pushtet.”Vetë krijimi i një partie politike është esenca e pjesëmarrjes, fitorja në zgjedhje dhe marrja e pushtetit. “Vetëvendosje” çdoherë ka qenë e kujdesshme kur deklaronte se ishte kundër Isa Mustafës dhe jo LDK-së, ashtu si satisfaksioni i Adem Grabovcit me AAK-në, edhe kjo tani me mospjesë- marrjen e Isa Mustafës në qeverisje është satisfaksion për VV-në. Kurti është lideri më i votuar në Kosovë dhe synimi për postin e kryeministrit nuk mund t’i mohohet as këtij, kur të tjerët me më pak vota po e synojnë këtë post. VV-ja e dëshiron në çdo mënyrë PDK-në në opozitë, pasi kështu ia siguron një të ardhme edhe më të fortë vetes dhe i bën nder edhe Kosovës dhe janë të gatshëm të bëjnë koalicion me LDK-në”, është shprehur ai.
Sipas tij, tani sigurisht që VV-ja përdor çdo mënyrë që ta bindë LDK-në, madje ta stigmatizojë publikisht që detyrimisht të shkojë me VV-në. “Megjithatë, LDK-ja dyshoj që do të pranonte një koalicion me VV-në dhe kryeministri të vijë nga kjo e fundit. LDK-ja besoj pranon një koalicion me LDK-në vetëm nëse aty do të ishte edhe AAK-ja dhe kryeministër Ramush Haradinaj, pasi as ky i fundit nuk do të pranonte ndryshe. E deklarata vetëm me postin e kryeministrit, e bërë nga LDK-ja, është vetëm për rritje të pazareve, edhe pse jo e pamundur”, potencoi Kuqi për gazetën “Kosova Sot”.
Dallime të thella ndërmjet LDK-së dhe VV-së
Analisti politik, Ridvan Emini, pohon se tani Albin Kurti e ka ndërruar dukjen, por jo idenë. “Ideja e tij është e konstruktuar mbi premisat që janë thelbësisht kontradiktore me qasjen e tij në real-politikë. Albini i idesë ka mbetur përbrenda konstruksioneve të tija teorike-vepruese, duke i shantazhuar aktorët e tjerë politikë, duke e etabluar prapë në diskursin e tij logjikën ose, ose. Të njëjtit sipas tij etiketohen moralisht në kategoritë ose i mirë ose i keq, varësisht nga bashkëpunimi me të. Sipas Kurtit, LDK-ja ka vetëm një alternativë, ajo është që t’i bashkohet VV-së, sepse nëpërmjet VV-së do të “shpërlahet nga e kaluara e saj e palarë”. Kjo njëherazi tregon kontradiktën politike dhe moskonsistencën, sepse ideja e Albinit dhe VV-së është diametralisht e kundërt me qasjet e LDK-së në proceset shtetformuese”, ka thënë ai. “Frymëzimi intelektual i Albin Kurtit është i kundërt me atë të eksponentëve të LDK-së. Albini në vigjiljen e fushatës zgjedhore i ka kërkuar bekimin Rexhep Qoses dhe Adem Demaçit, i influencuar dhe frymëzuar nga ta, të cilët ishin kundërshtarët e rreptë të Ibrahim Rugovës. Përveç kundërshtimeve në kontekstin zhvillimeve të viteve të ’90-ta, ata e kanë shpallur tradhtar dhe kanë avokuar për dënimin maksimal ndaj tij. Andaj kjo moskonsistencë e Albinit shkon vizavi me dukjen e tij që është një imazh i rrejshëm i idesë së vjetër”, tha Ridvan Emini për “Kosova Sot. Sipas tij, LDK-ja zgjidhjen e vetme e ka t’u mbetet besnike kushteve të tyre, të cilat ia kanë determinuar udhëtimin e tyre politik, sepse nëse bashkohet në një koalicion të tillë (VV-LAA) ata do të ishin kundër gjenezës së tyre politike, që është fryma rugoviane. “Mendoj se LDK-ja nuk ka vetëm një alternativë, ajo mund t’i bashkohet PAN-it për t’i përfunduar proceset e përbashkëta shtetformuese ose të mbetet konsekuente në qëndrimin që të mbetet në opozitë, mirëpo bashkë- jetesa me këtë koalicion shtet-formues do të anatemohet nga diskursi populist i VV-së, duke e bërë që LDK-ja të kategorizohet si e keqja në këtë proces apo si bashkëpunëtore e së keqes”, u shpreh Emini.
Një herë i fyen, pastaj bën pazar me ta
Analisti politik, Reshat Badallaj, thotë se me sjellje të tilla dhe shantazhe të kësaj natyre merren vetëm njerëzit e kategorive banditeske.”Pra, kam thënë dhe po e ripërsëris se këta janë krye banditët e bandave politike. Albin Kurti është njëri ndër ta, i pabesë, i pavendosur dhe luan bisht si t´i teket. Ky njeri është shumë i pavendosur, por ky shitet tek ata që nuk e njohin, ky ndryshon tamam si moti, që katër stinët ndërrohen brenda ditës. A është ky Albin Kurti dhe sejmenët e tij aty rrotull që në ditën kur u mbajtën zgjedhjet e vitit 2014 nuk la gjë në fytyrë të tokës pa i sharë në rrënjë e në degë të gjitha partitë tjera. A është po ky Albin Kurti që u fut në pazare për interesa të tyre, që e lanë vendin gjashtë muaj pa institucione, duke u takuar nëpër kafene, qorrsokakë dhe hapur për tu martuar me çdo parti”, tha Badallaj për “Kosova Sot”. Për dallim të sulmit ndaj shtëpisë së Isa Mustafës dhe kursimin e asaj të Kadri Veselit dhe Hashim Thaçit, ai thotë se këtë nuk e bënë njerëzit e Albinit, pasi që ishin në krahun e Hashimit dhe të Veselit në mënyrë indirekte./kosova sot/

