Meta: Tensionimi i situatës në veri të Kosovës po komandohet nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen në rajon

/ 2 minuta lexim

Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta ka reaguar lidhur lidhur me tensionimin e një anshëm të situatës në veri të Kosovës nga ana e strukturave serbe.

Meta thekson se ky tensionim po komandohet nga Beogradi dhe se kjo është një lojë tepër e rrezikshme për paqen në rajon.

“Tensionimi i situatës në komunat veriore të Republikës së Kosovës dhe dirigjimi i këtij tensionimi nga struktura kriminale, që komandohen nga Beogradi, është një lojë tepër e rrezikshme për paqen dhe sigurinë në rajon dhe më gjerë. Kjo situatë përkon me tendencën e vazhdueshme të Rusisë së Putinit për të përshkallëzuar luftën agresive në Ukrainë dhe tërheqjen e vëmendjes së opinionit botëror me krijimin e tensioneve dhe vatrave të reja të krizës në vende të ndryshme të botës”, thekson Meta.

Mobi Casa

Ish-presidenti i Shqipërisë bën thirrje që drejtuesit shtetërorë dhe institucionalë të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-në, BE-në dhe NATO-në të gjejnë zgjidhjen e duhur.

“Mbështesim çdo veprim të institucioneve shtetërore të Republikës së Kosovës, për të mbrojtur rendin demokratik e kushtetues të vendit dhe bëjmë thirrje për ulje të tensioneve. Qëndrojmë fuqishëm në mbështetje të së drejtës legjitime të shtetit të Kosovës për të zbatuar rendin dhe ligjin në tërë territorin e Republikës. Bëjmë thirrje që drejtuesit shtetërorë dhe institucionalë të Kosovës, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA, BE dhe NATO të gjejnë zgjidhjen e duhur për problemet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke zbatuar marrëveshjet e arritura me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar dhe në zbatim të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Të gjithë me vetëpërmbajtje, durim dhe largpamësi duhet t’i shërbejnë forcimit të paqes, stabilitetit, sigurisë dhe perspektivës europiane të shtetit të Kosovës dhe rajonit tonë”, përfundon ai. /Telegrafi/