Fundamenti

Mësuesit gjermanë, nëpër Shqipëri, gjurmëve të Karl May

/ 4 minuta lexim
Hidromorava

Edhe pse May nuk ka qenë kurrë atje, përshkrimet e tij mbi “Grykat e Ballkanit”, përputhen me përjetimet e mësuesve.

Mësidhënës dhe miq të tyre nga Sulzbach-Rosenberg kanë zhvilluar ekskursionin e tyre në “Land der Skipetaren” (vendin e shqiptarëve) gjatë pushimeve pranverore.

Edhe pse Karl May (shkrimtar gjerman i romaneve aventuristike i shekullit XIX) nuk ka qenë kurrë atje, përshkrimet e tij mbi “Grykat e Ballkanit” dhe mbi malet e egra të atjeshme, përputhen plotësisht me përjetimet e grupit të mësuesve.
Pas aterrimit me aeroplan në Tiranë, grupi vizitoi qytetin malor, Krujën, ku heroi kombëtar i shqiptarëve, Skënderbeu gjatë shekullit 15 u kishte bërë ballë otomanëve për disa dekada me radhë dhe i cili për herë të parë kishte krijuar diçka që ngjan me një shtet të mëvetësishëm shqiptar.

Në Krujë, krahas një muzeu etnografik, ndodhet edhe muzeu i Skënderbeut, por i cili më shumë të ngjan me një Walhall heronjsh.

Vizita në kryeqytet, Tiranë u kufizua me një udhëtim qarkor dhe me një vizitë në Muzeun Kombëtar dhe në Xhaminë Ethem Bej.

Ditën tjetër grupi mori rrugën drejt Elbasanit dhe brendisë së vendit. Ky qytet, nën diktatorin komunist Enver Hoxha ishte bërë qendër e industrisë së çelikut. Sallat gjigante sot janë shndërruar në gërmadha industriale, me dimensione më të mëdha se Maxhütte (Industria gjermane e çelikut).

Pak para se të hynin në qytetin e Ohrit, buzë liqenit me të njëjtin emër, udhëtarët kaluan kufirin për në Maqedoni. Sikur liqeni, njëri ndër më të vjetrit në botë, falë florës dhe faunës së tij unike, ashtu edhe vetë Ohri, në saje të qytetit të tij të vjetër me pamje osmane me shtëpi të bukura qytetare, janë shpallur trashëgimi e mbrojtur nga Uneskoja.

KKVITI

Kështjella gjigante e Samuilit dominon me pamjen e saj mbi qytetin, kishat, xhamitë dhe mbi liqenin. Darka, në një lokal tipik maqedonas, hyn në mesin e pikave kryesore të këtij udhëtimi.

Paralelisht me kufirin me Shqipërinë, ekskursioni ka vazhduar nëpër grykën e lumit të Dibrës. Synimi i udhëtarëve ishte vizita e kryeqytetit, Shkupit. Pas shëtisë në qytetin e vjetër oriental, vizitës një ekspozite pikturash, pastaj hamamit turk dhe kishës së St. Pantaleonit, ura e gurit me harqe të çon drejt qendrës moderne. Ishin irrituese shtyllat dhe harqet me gjigantizmin e tyre nacionalist, me të cilat po rimodelohej sheshi. Statujat kolosale të Aleksandrit të Madh dhe të babait të tij, Filipit II të Maqedonisë, shihet qartë se janë aty për të treguar se në çfarë historie mbështetet shteti!

Pas vizitës së qytetit antik Stobi, përmes Ohrit, grupi merr rrugën malore nëpër serpentinat e Shqipërisë. Kudo rrugës takon bunkerë të vegjël për një person, të cilët, me qindra mijë, i kishte dërtuar Enver Hoxha nga frika prej fqinjve.

Kështu, grupi, pas vizitës që i bëri muzeut të ikonave në Korçë mbërrin në qytetin Gjirokastër, vendi i lindjes së Enver Hoxhës. Qyteti i vjetër shtrihet në një kodrinë dhe, në saje të ndërtesave që ka, i është njohur statusi i trashëgimisë kulturore të botës, ashtu si dhe gërmadhave të qytetit antik Butrinti, përballë ishullit të Korfuzit.

Në përmbyllje të udhëtimit, grupi ka vizituar qytetin bregdetar Saranda dhe pastaj Beratin, qytetin më të vjetër të Shqipërisë.

Ishte një udhëtim mbresëlënës i realizuar përmes dy shteteve të vogla me një pejzazh të shumëllojshëm, me shumë kntraste kulturore dhe me kontradikta të thella zhvillimore në mes të pjesës rurale dhe qyteteve të mëdha.(albinfo.ch)