UBT

Mësuesi i sakrificave, heroi i ditëve të sotshme

/ 8 minuta lexim
ARKATANA

Gjilan – Mësuesi Murat Rifati nga Pograxha me të drejtë mund të quhet hero i ditëve të sotshme dhe Ministria e Arsimit, drejtoria e arsimit në Gjilan duhet t`i nderojë këto figura arsimdashëse. Murat Rifati tërë jetën e tij punojë me ditar në dorë duke udhëtuar e sakrifikuar me kilometra të tërë, vetëm që tua përcillte dijen gjeneratave të reja dhe atyre fëmijëve që ndodheshin në brezin kufitar dhe që duhej të udhëtonin me kilometra të tërë për të arritur deri tek shkolla.

Të shkruash për mësuesin Murat Rifati nuk është e lehtë. Ka një biografi të pasur dhe ka një biografi krejt profesionale që lidhet me ditarin e tij në dorë që e pati plotë 40 vite.

Ndonëse tani është në pensionin e merituar, Murat Rifati ka një nostalgji të thellë dhe ka ndjenja të përziera kur flet për kohën e tij kur jepte mësim në Bilinicë, Stublinë, Strezovc, Koretin, Busavataë, Sllubicë, Pogarxhë, Llovcë etj.

Janë këto fshatra kufitare e në largësi prej kilometrash të tërë ku mësuesi Murat me dashuri të madhe mbolli farën e dijes, mbolli suksesin tij që tashmë e kanë përfituar shumë gjenerata.

Po a ishte kohë e rëndë dhe me shumë sakrifica të punoje në atë kohë me gjeneratat e reja e të udhëtosh e të sakrifikosh në borë, në shi, në furtunë dhe kurrë mos të mungosh. Këto rrethana kohe na i shpjegon vet mësuesi Murat. “Sigurisht që dallimi i asaj kohe me këtë të tanishmen është i madh. Së pari infrastruktura, pastaj teknologjia. Unë kam udhëtuar 14 kilometra deri në Stublinë dhe kurrë s`kam munguar. Ishin nxënësit e sjellshëm ata që më motivonin ta ecja këtë rrugë. Jam shumë krenar që për 40 vite ndihmova, arsimova gjenerata të shumta dhe tani ata janë krenaria ime. Në mesin e tyre ka profesor universitar, mjek, gazetar, inxhinier, e profesione nga më të ndryshme. S`ka si të mos ndihem mirë kur mundi im të shpërblehet” shprehet mësuesi Murat Rifati.

Murat Rifati edhe tani ka plotë entuziazëm kur sheh gjeneratat e reja teksa mundohen të punojnë me fëmijët. “Tani mësuesit e rinj janë më të lumtur, kanë kushte më të mira, kanë teknologjinë më bashkëkohore dhe kanë motivin që të jenë gjithmonë pranë nxënësve. Megjithatë mendoj se arsimi gjithmonë është përkrahur pak ose nuk i është dhënë epiteti i merituar” shprehet Murat Rifati.

Thotë se asnjëherë s`ka punuar për mirënjohje apo dhurata, por mendon se njerëzit e arsimit duhet të çmohen më shumë, duhet të nderohen e respektohen nga Ministria e Arsimit.

Murat Rifati ka një porosi për gjeneratat e reja dhe ka një porosi për përgjegjësit e arsimit. “Rinia duhet të mësojë, duhet të edukohet në mënyrë cilësore, duhet të kërkojnë dijen deri në fund. Kurse përgjegjësit e arsimit duhet të investojnë në fshatrat e largëta, nxënësve dhe mësuesve duhet tu krijojnë kushte më të mira pune e udhëtimi” shprehet Rifati./rajonipress/

Mobi Casa

Se ku ka punuar Murat Rifati, në cilat vite ka filluar mësimin e ku e ka mbaruar atë, po e japim biografinë e tij të kompletuar.

Murat Rifati u lind më 25.08.1955 në fshatin Pogragjë të komunës së Gjilanit. Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme normale “Skënderbeu” e kreu në Gjilan në vitin 1975, ku diplomoi si mësues për mësimdhënie në ciklin e ulët.
Nga data 01.11.1975 deri më 20.11.1975 ka punuar si mësues në shkollën fillore “Bratstvo” tani “Idriz Seferi” në Grexhenik të Strezovcit, komuna e Kamenicës. Më pas nga 21.11.1975 deri më 31.08.1978 punoi si mësues në shkollën fillore “Vëllazërim Bashkimi” tani “Abdullah Krashnica-Presheva” të Koretinit, në paralelen e Busavatës, komuna e Kamenicës. Më 31.08.1978 u thirr nga organet e atëhershme të ish-Jugosllavisë që të kryej shërbimin ushtarak, të cilin e mbaroi më 23.11.1979 në Gornji Millanovac të Serbisë.

Nga data 27.11.1979 deri më 31.08.1980 ka punuar si mësues në shkollën fillore “16 Nëntori” tani “Fan S. Noli” në Kamenicë. Më pas ka punuar plot 13 vite si mësues në shkollën fillore “Liria” në fshatin Stublinë, paralele e ndarë fizike e fshatit Pogragjë të Gjilanit, duke udhëtuar në këmbë çdo ditë, mëse 13 km, pavarësisht kushteve klimatike. Nga viti 1993 deri në vitin 1995 punoi si arsimtar i lëndës së Artit figurativ në shkollën fillore “Liria” në Pogragjë si dhe paralelet e saj të ndara në Llovcë dhe Sllubicë.

Nga viti 1995 deri më 1999 punoi si mësues në paralelen e ndarë fizike të shkollës fillore “Liria” e Pogragjës në Bilinicë. Në periudhën e luftës në Kosovë, ai, sikurse mijëra banorë të tjerë të Kosovës, u detyrua të braktiste vatrën e lindjes. Kështu, u shpërngul në Maqedoni, ku qëndroi përplot dy muaj si refugjat në kampin Stenkovec II në Maqedoni.

Aty, nga data 21.04.1999 deri më 21.06.1999 punoi si mësues në shkollën fillore “Kosova na pret”. Që të mos ngelej pa vendim të punës, e orientuan të vazhdoj punën si mësues në aneksin e shkollës fillore “Liria” në Bilinicë, ku punoi përplot 16 vite, duke udhëtuar çdo ditë pune, qoftë me automjet, qoftë në këmbë, deri në vjeshtë të vitit 2011. Më pas vazhdon punën si mësues në shkollën amë të Pogragjës, ku jep kontributin e tij aktualisht.

Pas vitit 1999 u përball me sëmundje të hipertensionit dhe probleme me zemër, të cilat ndikuan që më 09.05.2012 t`i nënshtrohet një operacioni kardiokirurgjik (të hapur) në zemër. Megjithëkëtë, ai nuk hoqi dorë nga puna e tij si mësimdhënës.

Nga e gjithë kjo përvojë pune prej mëse 40 vitesh, tre vite prej tyre ka punuar me klasë të larta dhe pesë vite me klasë të ulëta, jo të kombinuara, ndërsa e gjithë vitet e tjera (30 vite) i ka shërbyer mësimdhënies, duke bërë punë njëkohësisht me klasë të kombinuara nga dy klasë.