Mësuesi Asllan Ibishi me nder përkujtohet nga Llashtica

Gjilan – Asllan Ibishi, veteran i arsimit, është njëri nga mësuesit e rrallë e të dashur që tërë jetën e tij ia kushtoi arsimit, edukimit të brezave të ri, që nga viti 1965 deri në pensionimin e tij në vitin 2008.
Asllan Ibishi u lind me 15 Maj 1943 në Llashticë të Gjilanit. Shkollën fillore 4 vjeçare e kreu në vendlindje, kurse 4 klasë tjera i kreu në Zhegër të Gjilanit. Shkollën e mesme Normale e kreu në Gjilan në vitin 1965 në dhe menjëherë u punësua në Shkollën fillore “Esat Berisha” në Lashticë dhe me shumë sukses e kreu punën e tij në rolin e shenjët të mësuesit.
Mësuesi Asllan nuk u kënaq me kaq, por vazhdoi shkollimin e mëtejmë në Akademinë pedagogjike në Gjilan ku kreu me sukses dhe vazhdoi studimet e mëtejshme në Universitetin e Prishtinës dega e Gjeografisë ku diplomoi në vitin 1991.
Pastaj me pavarësimin e Shkollës së Llashticës në vitin 1992 emërohet edhe në pozitën e drejtorit, të cilën detyrë e kryen me sukses deri në vitin 1995.
Mësuesi Asllan ishte iniciator për ndërtimin e shkollës se fshatit Llashticë “Esat Berisha”, ishte në krye të gjitha aksioneve të fshatit Llashticë si në hapjen e Bibliotekës, hapjen e ambulancës së fshatit, asfaltimit të rrugës, ishte pjesëmarrës në pajtimin e gjaqeve, çdo here kur kishte nevojë fshati aty mund të gjendej mësuesi Asllan.
Mësuesi Asllan në vitin 1989 dërgoi telegramin e parë në përkrahje të grevës së minatorëve.
Mësuesi Asllan ishte Delegat i kuvendit Komunal në Komunën e Gjilanit të cilët i dhanë përkrahje Kushtetutës së Kaçanikut, ishte kryetar i shoqatës humanitare bamirëse “Nëna Terez”.
Mësuesi Asllan nuk mungonte në aktivitetet e tij për të kontribuuar për qeshtjen kombëtare
Mësuesi Asllan disa herë ishte marrë në pyetje nga policia e UDB-së në Gjilan duke kërkuar prej tij për aktivitet e tij dhe duke parë si person i cili paraqet rrezik për interesat e Serbisë.
Mësuesi Asllan gjatë kohës kur ishte edhe drejtor i shkollës së Llashticës ishte marrë në pyetje për 7 here radhazi. përpos tjerave mësuesi Asllan është edhe autor i librit “Golgota e fundit e vitit 1999 në Llashticë” e botuar në vitin 2000, dhe bashkautorë i librit “Llashtica nëpër shekuj” (Monografi) botuar në vitin 2010.
Mësuesi Asllan mbi katër dekada me zell shpërndahu dituri ndër breza në arsimin dhe edukimin e gjeneratave të shumta, të cilët mësuesin e tyre të dashur nuk do ta harrojnë kurrë.
Thuhet se kur vdes një mësues shuhet një yll, sepse mësuesi shkrihet si qiriu për t’ju bërë të tjerëve dritë. Kështu ishte edhe mësuesi Asllan, i cili pa përtesë punoi në ngritjen e arsimit dhe vetëdijesimin e brezave tanë në shumë drejtime, që do thotë se ishte udhërrëfyes për gjeneratat e reja.
Mësuesi Asllan, siç do mësues Shqiptar punoi e kontribuoi në kohë dhe rrethana të vështira, kurse pushtuesi deshi të na e mbyllte dritaren e diturisë, por ai nuk u dorëzua, nuk u ndal, por vazhdoi më punën me mund e sakrificë duke u bërë ballë katrahurës së kohës.
I nderuar mësuesi Asllan, t`i vetëm fizikisht u ndave nga kolegët, nxënësit, bashkëfshatarët, miqtë, e familja jote, mirëpo virtytet tuaja prej mësimdhënësi, mirësjellja prej një kolegu dhe veprimtaria edukativo arsimore që ke lënë pas vete nuk do të harrohen kurrë. Gjithmonë do të jemi mirënjohës për shëmbëlltyrën tënde që na ke lënë dhe krenohemi që të patëm./ymer ibishi/rajonipress/