ARKATANA

Mësimi i madh i Ismail Kadaresë

/ 4 minuta lexim
Mobi Casa

Nga Rudina Xhunga – Është ende në dorën tonë, ta ndryshojmë sa jemi në kohë. Të ndryshojmë mënyrën e shikimit. T’i falemi një mijë herë në ditë Kadaresë, të shpallim dhjetëra çmime me emrin e tij. Për të nuk mjafton një statujë në park, do të duhej një park me statuja për Kadarenë, ku çdo skulptor ta shohë në një mënyrë të ndryshme. Kemi një nevojë urgjente për Kadarenë. Po na merr lumi shijet dhe shpresën.

Një nga pamjet më të bukura të kësaj jave, një nga ato fotografitë që mbesin gjatë, në sy, ishte fotoja e Ismail Kadaresë te Mitrushi dhe Lasgushi, në Pogradec. Fotoja që tregon përkuljen e shkrimtarit më të madh shqiptar, me lule në duar, te monumenti i Lasgushit, ishte prekëse dhe e mrekullueshme. I madh, e mrekullueshme, janë bërë fjalë të zakonshme dhe nuk tregojnë më asgjë, as shkallë, as gradë, ngaqë përdoren vend e pavend, sepse vend e pavend janë njerëzit që ne zgjedhim të pëlqejmë, imitojmë, duam, ndjekim, por Kadare, Poradeci, janë ikona dhe nuk kanë nevojë për përcaktimet tona. Ne kemi nevojë për përcaktimet e tyre.

Një vend thellësisht i çoroditur, si Shqipëria, në tranzicion pafund, politik, ekonomik, etik, moral, shoqëror, ku s’di kë të besosh, çfarë të besosh, ku të frymëzohesh, pse të vazhdosh, një vend pa semaforë, pa autoritete morale, pa identitet, pa dashuri dhe krenari për më të mirën e vet, pa dallim për vlerat dhe antivlerat, ka shumë nevojë ta shohë këtë përkulje me lule në dorë të Kadaresë te Lasgushi. Që të kuptojë, se ca gjëra nuk blihen, ca gjëra nuk trashëgohen, ca gjëra nuk shiten, ca gjëra nuk thuhen, ca gjëra nuk harrohen, ca gjëra janë të pavdekshme.

Siç është Ismail Kadare, krijuesi i letërsisë më të mirë të këtij vendi. Është e pabesueshme që një vend kaq i vogël si Shqipëria, të ketë prodhuar letërsi si ajo e Kadaresë, e krahasueshme pa kurrfarë inferioriteti me çdo letërsi të madhe botërore.

Nuk ka rëndësi çfarë çmimesh i kanë mbetur pa marrë, ka rëndësi sa mirë është folur për Shqipërinë, kur është folur për Kadarenë. Një vend me imazh emigrantësh, prostitutash dhe kriminelësh, një vend që ka qenë objekt kurioziteti dhe është kthyer në objekt talljeje, nuk ka shumë si Kadare që ta bëjnë të jetë krenar dhe i barabartë.

ARKATANA

Ndaj kur e pashë atë foto, ku ai në vitin e 80 të jetës, përulej të miku i tij, i një tjetër dimensioni hyjnor, por jo të krahasueshëm me Kadarenë, ndjeva dëshirën që ajo foto të kthehej në poster, në çdo rrugë Tirane, ku promovohet mjerimi intelektual, vdekja e artit, vlerës, ku promovohet ftesa për asgjë dhe askund.

Në mos nuk mundemi në rrugë e autobusë, se gjithçka është privatizuar, do të duhej të kthehej në kulturë shtetërore, respekti ndaj njerëzve të mëdhenj të këtij vendi, siç është kthyer në sport kombëtar promovimi publik i plehrave të këtij momenti të vështirë që po kalojnë shqiptarët, kur ju duhet të ndahen nga krimi, që s’e dinin se ishte krim (këtej e andej kufirit).

Sepse kemi marrë për të mirëqenë çdo gjë, ndaj jemi në këtë pikë. Sepse kemi qenë prodhues dhe konsumues të një bote plot krim, prostitucion, arrogancë, injorancë dhe para të lehta.

Por mjerë ne, jo vetëm për çfarë lejuam të ndodhë, por sidomos për çfarë do t’u tregojmë fëmijëve, kur të na pyesin për kohën tonë. Ç’muzikë, ç’letërsi, ç’pikturë, me kë do të mburremi dhe krenohemi, ne, bashkëkohësit e Ndocajt dhe Gugusë?!

Është ende në dorën tonë, ta ndryshojmë sa jemi në kohë. Të ndryshojmë mënyrën e shikimit. T’i falemi një mijë herë në ditë Kadaresë, të shpallim dhjetëra çmime me emrin e tij. Për të nuk mjafton një statujë në park, do të duhej një park me statuja për Kadarenë, ku çdo skulptor ta shohë në një mënyrë të ndryshme. Kemi një nevojë urgjente për Kadarenë. Po na merr lumi shijet dhe shpresën.

Privatësia

Faqja jonë e internetit përdorë cookies. Ato janë skedar të vegjël që ndërveprojnë me pajisjen tuaj dhe kjo bëhet në mënyrë që ne t'ju ofrojmë përvojën më të mirë të mundshme gjatë përdorimit të faqes sonë.

Për të u informuar rreth politikave tona të privatësisë, ju lutem vizitoni faqen privatësia.

Cookiet e domosdoshëm

Cookiet e nevojshëm duhet të aktivizohet në çdo kohë në mënyrë që ne të mund të ruajmë preferencat tuaja për preferencat e cookies.

Cookies të palëve të treta

Kjo faqe interneti përdorë Google Analytics për të mbledhur informacione anonime si numri i vizitorëve në sajt dhe shfletimi i faqeve.

Mbajtja e aktivizuar e këtij cookie, na ndihmon neve të përmirësojmë faqen tonë në internet.