Eko Higjiena

Mësimet e demokracisë

/ 3 minuta lexim
KKVITI

Nga Vjosa (Osmani) Sadriu – Kosova gjatë viteve të fundit është përballur me forma të ndryshme të qeverisjes së dhunshme. E dhunshme në kuptimin e dhunimit të të drejtave të qytetarëve, keqpërdorimit të parasë publike, kapjes së të gjitha institucioneve shtetërore, e në veçanti atyre që duhet të jenë të pavarura.

Gjatë muajve të fundit, nga po këta që shkatërruan institucione të cilat ishin ndërtuar me shumë mund e sakrificë, po i shohim përpjekjet e fundit për t’a mbajtur pushtetin me cdo kusht, pra për të mbajtur pozitat e tyre me zor. Shembuj të tillë ka pasur mjaft anekënd botës, por kryesisht kanë përfshirë regjime autoritare dhe diktatoriale. Këto regjime, vërtetë kanë refuzuar të largohen duke ju bindur rregullave të demokracisë, por pastaj përfunduan shumë më keq duke e marrë dënimin nga vetë populli i tyre. Jo rastësisht, raporte kredibile ndërkombëtare, si ai i Amnesty International, e kanë cilësuar këtë qeverisje si regjim gjysmë-autoritar.

Seanca konstituive e Legjislaturës së pestë të Kuvendit të Kosovës është dëshmia e fundit e tendencave uzurpuese të PDK-së. Deputetët e kësaj partie, jo vetëm që uzurpuan vendet që nuk u takonin duke tentuar të provokojnë dhunë në Kuvend, por nëpërmjet deputetes më të vjetër si kryesuese, uzurpuan dhe bllokuan punën e tërë legjislativit, duke injoruar e shkelur çdo dokument juridik në Kosovë, duke filluar nga Kushtetuta e vendit e deri tek Rregullorja e Kuvendit. Ky ishte rast i paprecedent në kulturën e parlamentarizmit në Kosovë, dhe me siguri se edhe në vende të tjera do të përmendet si model i keq i uzurpimit të institucioneve.

Uji Dea

Seanca e 17 korrikut po ashtu tregoi se nuk kemi të bëjmë thjeshtë me dallime në mes të palëve, por është PDK në njërën anë, dhe të gjithë të tjerët në anën tjetër. Pse PDK ka arritur të refuzohet nga të gjitha partitë shqiptare e joshqiptare duhet ta analizojë vetë. Por ky refuzim kuptohet shumë qartë nga qytetarët e Kosovës sepse është refuzim i keqqeverisjes, i oligarkisë, i ndërhyrjes politike në institucione të pavarura dhe i shkeljes së interesave të qytetarëve.

Ky refuzim u shprehë në mënyrën më demokratike të mundshme, pra nëpërmjet fuqisë së votës dhe fuqisë së numrave në Parlament. Prandaj, përderisa PDK po tenton të krijojë përshtypjen se ekziston ngërç politik në Kosovë, më e mira do të ishte që ta mësonte mësimin bazik të demokracisë: se vendimet i merr shumica, dhe PDK nuk e ka shumicën. Pavarësisht tentimeve të tyre për të inskenuar ngërç politik, ata duhet ta kenë të qartë se nuk mund ta arrijnë një gjë të tillë përderisa vendimet votohen nga 2/3 e përfaqësuesve të popullit. Kjo shumicë ka fuqi të bëjë jo vetëm ndryshime rrënjësore politike por edhe të ndryshojë kushtetutën. 37 deputetët e PDK-së, që përbëjnë 30% të fuqisë në Kuvend, nuk janë më forca dominuese vendimmarrëse. Këtë fuqi e kanë 83 deputetë të partive të tjera, dhe ashtu siç e dëshmuan me 17 korrik, do ta dëshmojnë sërish, dhe më fuqishëm, ndaj çdo tendence të PDK-së për të vazhduar kapjen dhe ngulfatjen e shtetit.

(Autorja është anëtare e Kryesisë së LDK-së dhe deputete e Kuvendit të Kosovës)