ARKATANA

Mesazhi nga bankat

/ 5 minuta lexim
ARKATANA

Nga Ibrahim Rexhepi – Cili është relacioni ndërmjet 500 milionë eurove të “bllokuara” të sistemit bankar të Kosovës dhe zgjedhjeve 2014?

Në gjykatat e Kosovës janë mbi 10 mijë lëndë – konteste që kanë hapur bankat e vendet, brenda të cilave janë rreth 250 milionë euro që ato kërkojnë nga borxhlinjtë e këqij. Kur dihet se ato, po aq para duhet të ndajnë si provizione për kreditë joperformuese, atëherë ato kanë të “bllokuara” 500 milionë euro, ose një të pestën e totalit të depozitave.

Sado që kjo shumë do të ishte më mirë që të jetë e investuar në ekonomi, megjithatë, ajo dëshmon se sistemi bankar është i mbuluar mirë dhe nuk do të kishte reflektim të keq ndaj depozituesve edhe sikur ai të mos arkëtonte asnjë cent nga këto kërkesa.

Krahas kësaj gjendje, ka nisur të rritet temperatura në fushatën parazgjedhore. Si karakteristikë e saj do të mbeten dy gjëra: milionat e shumtë që paskan mundësi të investojnë partitë politike, nëse e marrin pushtetin, si edhe zbrazjen e listës së të papunëve të evidentuara nëpër zyrat e punësimit- apo më saktë, së paku 200 mijë vende të reja pune!

Do të dëshironim që kjo të ndodhë, jo për shkak të partisë që do të qeverisë edhe për katër vjet, por për të mirën e këtij vendi dhe këtij populli, i cili , duket se e ka kuptuar se pas premtimeve fshihet vetëm dëshira për votë dhe për pushtet.

Fundamenti

Situata me paratë e bllokuara të sistemit bankar mund të jetë mesazh i mirë për ata që kërkojnë votën. Para se të ofrojnë shumë para për investime dhe vende pune, ata duhet të kuptojnë se ka edhe shumë gjëra që janë të pazgjidhura, të cilat mund të paraqiten si problem në realizimin e vizionit të tyre, madje edhe nëse i sigurojnë paratë për të cilat flasin.

Problemi i parë lidhet me sistemin e gjyqësisë. Efikasiteti i ulët i tij ka ndikuar që 20 për qind e parave në kesh që kanë bankat të mbahet në dosje. Njëkohësisht kjo tregon se sa i pafuqishëm është sistemi për garantimin, apo përmbarimin e kontratave. Mund të ketë edhe të atillë që mendojnë se më mirë është që të zvarriten këto lëndë, se sa të paratë të merren nga xhepat e huamarrësve, apo të realizohet hipoteka, por ky është mesazhi më i keq për investitorët. Njëkohësisht ata që premtojnë, kjo gjendje duhet t’iu sinjalizoj se puna nuk qëndron vetëm te paratë, por te ndërtimi i sistemit – shtetit në tërësi.

Meqenëse pjesa më e madhe këtyre kontesteve kanë të bëjnë me kreditë për biznesit, shihet qartë se edhe këtu ka përplot defekte. Ka biznese që hyjnë në obligime, pa pasur të qartë mënyrën se si do t’i përmbushin ato, apo pa ndonjë plan të mirë biznesi. Ndonëse, për këtë bankat nuk mund të shfajësohen krejtësisht, mirëpo, miliardat e premtuar nuk mund t’iu shpërndahen bizneseve që nuk ofrojnë projekte të qëndrueshëm dhe garanci të besueshme për kthimin parasë, meqenëse fondet duhet të rigjenerohen. Kjo në mënyrë urgjente imponon detyrimin bizneseve për raportim financiar, madje me tabelat e audituara. Është e vërtetë e pamohueshme se bizneset vazhdojnë të punojnë me 2-3 bilance, të cilat i rregullojnë varësisht se kujt i adresohen ato. Nëse duhet raportuar pranë Administratës Tatimore të Kosovës, ata e zvogëlojnë fitimin, ndërsa nëse iu duhet të marrin kredi, prezantojnë fitim që rritet prej viti në vit. Gjendja përkeqësohet edhe më shumë për shkak të mungesës së bashkëpunimit ndërmjet institucioneve, meqenëse, në emër të ruajtjes së sekretit, ato nuk i raportojnë njëra-tjetrës për gjendjen e një biznesi, për qarkullimin, likuiditetiten dhe aftësinë për pagesa që e ka.

Në vazhdën e këtyre është edhe gjendja në arsim – a ka përgatitur kuadrat të të gjitha profileve, në mënyrë që bizneset të arrijnë të absorbojnë krejt miliardat që po iu premtohen. Përvojat e deritashme nuk i japin notë pozitive sistemit arsimor në vend, meqenëse ai është shndërruar në një makineri për përfitime nga letrat e quajtura diploma dhe tituj akademik, e jo që të nxjerrin individë të gatshëm për përballen me sfidat që këkron zhvillimi i bujqësisë, energjetikës, apo i xehetarisë, si degë mbi të cilat duhet të mbështet ardhmëria ekonomike e vendit. Premtimi për punësimin e 200 mijë vetëve, shifër që nuk është e patentuar vetëm nga një parti, flet se ato në mendje kanë vetëm një punësim masovik dhe për të zbutur problemet sociale. Ndërkaq, kjo mund të bëhet vetëm përmes investimeve në projekte publike, meqenëse biznesi privat, në plan të parë ka profibalitetin. Mirëpo, mund të ketë edhe të atillë që me qëllim të përfitimit nga fondet, prezantojnë shifra të larta punësimi. Krejt kjo mund të jetë imagjinare, apo e dizajnuar në formatin çfarë e kërkon huadhënësi, e jo mbi mundësitë reale.

(Autori është kolumnist i rregullt i gazetës “Tribuna”)