Mesazhi i Merkelit: Krijojeni Specialen
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, të martën ka qenë mysafir i zonjës më të fuqishme në Evropë, kancelares Angela Merkel, e cila i ka dhënë mbështetje të fortë shtetit të Kosovës, por që ka kërkuar përmbushjen e detyrimeve për krijimin e Gjykatës Speciale dhe vazhdimin e dialogut me Serbinë.
Shefi i Qeverisë së Kosovës është pritur me nderime më të larta shtetërore, me ç’rast ka parakaluar së bashku me nikoqiren e takimit, kancelaren Merkel, në tepihun e kuq.
Pas ekzekutimit të himnit kombëtar gjerman dhe atij shtetëror të Kosovës, kryeministri kosovar bashkë me kancelaren Merkel parakaluan para Gardës së Nderit të shtetit gjerman.
Në vizitën e parë që ka zhvilluar në Berlin prej se ka marrë udhëheqjen e Qeverisë së Kosovës, Mustafa së bashku me zëvendësin e tij, Hashim Thaçi, dhe një pjesë të kabinetit qeverisës ka marrë porosi të qarta nga kancelaria gjermane Merkel si për krijimin e Gjykatës Speciale, vazhdimin e dialogut me Serbinë, luftën kundër krimit dhe korrupsionit./zeri/


