Mesazhi i Bllokut për PDK-në: Në zgjedhje hyjmë bashkë

Nëse vendi do të shkonte në zgjedhje të jashtëzakonshme, ashtu siç po pretendon Partia Demokratike e Kosovës, atëherë Blloku i përbërë nga LDK-ja, AAK-ja, Lëvizja Vetëvendosje dhe Nisma për Kosovën mund të garojnë me një listë të përbashkët. Kështu i ka thënë Gazetës Blic një burim i lartë brenda Bllokut LVAN.
Sipas këtij burimi, është duke u punuar në këtë drejtim, dhe liderët e partive kanë një dakordim edhe për këtë çështje.
“Nëse shkohet në zgjedhje, po punohet që Blloku të shkoj bashkë si është kështu: LDK, VV, AAK dhe Nisma”, ka thënë ky burim për Gazetën Blic.
Sipas këtij burimi, nëse PDK do të vazhdoj edhe më tutje me kërcënimin për zgjedhje të reja, atëherë shumë shpejt edhe nga drejtuesit e LVAN-it, do të bëhet publike një gjë e tillë.
Megjithatë, ky burim nuk ka saktësuar se si do të jetë renditja në listë, kush do t’i prij asaj dhe nga sa kandidatë do t’i ketë secili subjekt.
“Detajet ende nuk janë diskutuar, mirëpo është diskutuar ideja e një liste të përbashkët në rast se do të vije deri të zgjedhjet e reja. Blloku LVAN është më i vendosur se kurrë që ta rrëzojë Hashim Thaçin prej pushteti”, ka thënë për Gazetën Blic.
Sipas këtij burimi, “LVAN synon që të siguroj një fitore të thellë e ta lë PDK-në me 20 deputet”.
Ky qëllim nëse jo një propagandë, duket i pa arritshëm, sepse PDK sot ka 33 deputet të saj, ndërsa me koalicion 37. Një rënie e tillë është praktikisht e pamundshme.
Përtej kësaj sipas disa analizave të brendshme, burime në PDK thonë se nëse zgjedhjet do të mbaheshin sot, ajo mund të merr më shumë se 40 deputet.
Disa prej zyrtarëve të VLAN-it të kontaktuar nga gazeta nuk kanë dashur që të flasin për këtë çështje.
Ndërkaq, edhe më herët është diskutuar ideja e një listë të përbashkët ndërmjet LDK-së, AAK-së e Nismës, mirëpo në atë kohë, Vetëvendosje nuk ishte pjesë e marrëveshjes me LAN-in.
Ndërkohë, gjatë ditës, portali Gazeta Blic ka raportuar se si PDK-ja po insiston që me çdo kusht të ketë zgjedhje të reja.
“PDK e ka kuptuar vendosmërinë e partive shqiptare që nuk dëshirojnë të hyjnë në bashkëqeverisje me ta, prandaj tash opsion tjetër nuk i ka mbetur vetëm që të zvarrisin sa më shumë thirrjen e seancës konstituive, dhe kësisoj edhe çuarjen e vendit drejt zgjedhjeve të reja”, ka thënë për Gazetën Blic një burim i afërt me zhvillimet e fundit politike.
Sipas këtij burimi, zvarritja e thirrjes së seancës konstituive përmes Flora Brovinës dhe avantazhi që ua ka dhënë atyre verdikti i Gjykatës Kushtetuese, do të shfrytëzohen maksimalisht nga ana e PDK-së, në mënyrë që të vënë në lëvizje ndërhyrjen ndërkombëtare.
“Nëse Blloku nuk do të thyhet edhe me ndërhyrjen e ndërkombëtarëve, atëherë PDK do të mundohet që në çdo formë të mos lejoj formimin e institucioneve nga ana e LVAN-it dhe kësisoj ta çoj vendin në zgjedhje të reja”, ka thënë ky burim.
Kanë kaluar katër muaj që nga përfundimi i zgjedhjeve, dhe ende partitë politike nuk po munden që t’i formojnë institucionet. PDK edhe pse doli partia e parë në zgjedhje me mbi 30 për qind, nuk po mund të gjejë partner për bashkëqeverisje.
Në anën tjetër, LDK- AAK- Nisma dhe Vetëvendosje, kanë arritur marrëveshje për bashkëqeverisje, dhe e kanë shumicën në Kuvend, mirëpo vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese, ku të drejtën për zgjedhjen e kryeparlamentarit ia jep vetëm PDK-së, ka bllokuar konstituimin e Kuvendit dhe të Qeverisë. /Gazeta Blic/