RCCOLA

Merrnin pensionet e të vdekurve, 5 në pranga

/ 2 minuta lexim
RCCOLA

Merr fund mashtrimi me pensionet e të vdekurve. Policia e Tiranës ka vënë në pranga pesë persona të dyshuar se prej kohësh mashtronin me pensionet e personave që nuk jetonin më, ndërkohë që 4 janë nën hetim. Mbrëmjen e djeshme, efektivët e Sektorit Kundër Krimit Ekonomik në policinë e kryeqytetit kanë rënë në gjurmët e grupit të mashtruesve, duke arrestuar pesë prej tyre, ndërsa katër të tjerë janë ende nën hetim.

Hetimet

Burime policore bëjnë me dije se mbrëmjen e djeshme, rreth orës 19:00 minuta, janë vënë në pranga një grup mashtruesish, të gjithë punonjës në Ndërmarrjen e Ujësjellës-Kanalizimeve në Tiranë.

UBT

Më konkretisht, mbrëmjen e së shtunës, në sajë të operacionit të policisë të koduar “MIKS 2013”, në pranga është vënë 52-vjeçarja Lumnije Dibra, 67-vjeçari Abaz Stafhasani, i akuzuar për mashtrim dhe falsifikim, 36-vjeçari Shpëtim Lika, i akuzuar për korrupsion aktiv, 66-vjeçari Nexhat Nasufi dhe 58-vjeçarja Lirije Stafhasani, të dy këta të fundit të dyshuar për mashtrim dhe falsifikim.

Burime policore sqarojnë se ky grup personash ka kryer aktivitet kriminal që nga viti 1998 deri sot. Sipas policisë, grupi i mashtruesve, që prej 15 vitesh, kanë krijuar dhjetëra dosje pensionesh për persona të vdekur apo të krijuar fiktivisht dhe në sajë të këtyre dosjeve, ata merrnin lekët që u takonin personave, sipas dosjeve përkatëse. Forcat blu bëjnë me dije se vlera e pensionit mujor që ata merrnin ishte 13 mijë deri në 18 mijë lekë.

Deri tani, dëmi financiar i shkaktuar nga aktiviteti kriminal i këtij grupi, është rreth 5 milionë lekë të reja. Ndërkohë që nga ana e policisë është provuar implikimi i tyre në 13 raste. Ata akuzohen për veprat penale “Korrupsion pasiv”, “Korrupsion aktiv”, “Falsifikim i dokumenteve” dhe “Mashtrim”, të gjitha të kryera në bashkëpunim mes tyre.