Eko Higjiena

Merrni masa ndaj shpërndarësve të përgjimeve

/ 3 minuta lexim
FIDANISHTJA

Kryeministri Hashim Thaçi, përmes një letre dërguar Baroneshës Catherine Ashton dhe Komandantit të Operacioneve Civile të BE’së Hansjorg Haber, ka shprehur shqetësimin e tij për shpërndarjen e përgjimeve të EULEX’it ndaj zyrtarëve të lartë institucional.

Në letrën të cilën e ka siguruar Gazeta Express, Kryeministri kërkon që të merren masa të shpejta ndaj njerëzve që, kundërligjshëm, shpërndanë këto përgjime.

“Ne dëshirojmë të besojmë thellësisht që ky lëshim i personelit të EULEX’it është bërë pa qëllim dhe nga neglizhenca apo joprofesionalizmi i personave të kyçur në këtë proces, dhe shpresojmë që EULEX do të ndërmarrë masat përkatëse adekuate ndaj individëve të cilët janë të përfshirë në këtë proces”, thotë Kryeministri në letrën e tij.

Ai pohon se mosruajtja e materialeve të mbledhura gjatë zbatimit të procedurës hetimore dhe zbulimi i këtyre materialeve, në Republikën e Kosovës konsiderohet vepër penale e përcaktuar me Nenin 311 (Shkelja e fshehtësisë së procedurës) dhe Nenin 347 (Zbulimi i fshehtësisë zyrtare) të Kodit Penal.

Po ashtu Kryeministri dyshon nëse përgjimet janë bërë konform ligjit.

Eco Higjiena

“Po ashtu, shpresojmë që në një kohë të shkurtër do të njoftohemi se procesi i përgjimit të telekomunikimit a është zhvilluar në pajtim me Kodin e Procedurës Penale (KPP) gjegjësisht Kapitullin XXIX: Masat e fshehta dhe teknike të vëzhgimit dhe hetimit (Nenet 256-267), në të cilin përcaktohet mënyra e kryerjes së përgjimeve të telekomunikimeve”, thuhet në letër.

“Mbrojtja e privatësisë është vlerë e njohur e demokracisë europiane dhe ndërkombëtare dhe është garantuar edhe me marrëveshjet dhe instrumentet ndërkombëtare që zbatohen drejtpërdrejtë në Republikën e Kosovës (Deklarata Universale për të Drejtat e Njeriut, Konventa Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj), me nenet përkatëse të Kushtetutës së Republikës së Kosovës (Nenet 21, 22, 23, 36, 41(2) dhe nenin 53), dhe Ligjin për Mbrojtjen e të dhënave personale”.

Letra e Kryeministrit vjen disa ditë pasi që në internet dolën disa biseda telefonike të Adem Grabovcit me Kryeministrin Thaçi, Kadri Veselin, Vlora Çitakun dhe Sami Lushtakun.

Fillimisht Qeveria përgjimet i kishte quajtur të fabrikuara dhe shantazh publik, derisa EULEX kishte konfirmuar se përgjimet janë autentike.(express)