Hidromorava

Merreni seriozisht

/ 5 minuta lexim
Eco Higjiena

Mbi 70 për qind e kosovarëve janë të pakënaqur me orientimin ekonomik të Qeverisë së Kosovës. Por, me gjithë të dhënat shqetësuese të publikuara nga UNDP për nivelin e lartë të korrupsionit e papunësisë, besimi në Kryeministrin Hashim Thaçi është rritur. Njohësit e ekonomisë kërkojnë nga Qeveria që këto statistika të merren seriozisht.

Kosovarët nuk kanë përshtypje të mirë për institucionet publike të vendit. Ata kanë krijuar opinion se ato janë burimi kryesor i korrupsionit, papunësisë dhe i të këqijave ekonomike.

Pavarësisht se duket paradoksale, besimi i tyre në krerët e institucioneve kryesore ka shënuar rritje.

Kryeministri i vendit, Hashim Thaçi del të jetë më i besueshëm në punën e tij sesa numri një i shteti, Atifete Jahjaga dhe kreu i Kuvendit, Jakup Krasniqi.

Kështu së paku tregojnë të dhënat e fundit të publikuara nga UNDP “Fakte të shpejta te pulsi publik”, për perceptimin e qytetarëve rreth situatës politiko-ekonomike në Kosovë.

Sipas këtyre shifrave, mbi 70 për qind e kosovarëve janë të pakënaqur me orientimin ekonomik të vendit. Për këtë ata fajësojnë Qeverinë e Kosovës.

“Lidhur me pakënaqësinë e qytetarëve rreth ekonomisë, rreth 78 për qind e tyre e fajësojnë Qeverinë e Kosovës”, thuhet në raport.

Aty përmendet se afro 72 për qind e qytetarëve mendojnë se problemi kryesor në vend është papunësia, pasuar me 20 për qind të qytetarëve që mendojnë se është varfëria, kurse 8 për qind mendojnë se çmimet e larta janë problem i madh.

Këto të gjetura, njohësit e ekonomisë kërkojnë nga Qeveria e Kosovës që të merren shumë seriozisht.

Ibrahim Rexhepi, drejtor i organizatës STRASS, thotë se të gjeturat e UNDP-së janë i vetmi tregues të cilit mund t’i besohet sado pak rreth besueshmërisë që e ka Qeveria dhe disponimit të qytetarëve.

“Këto raporte bëhen me qëllimin e thjeshtë që me i tregu Qeverisë se çfarë niveli e ka besueshmërinë edhe me ndërmarrë hapat qe asaj i duhen për ta kthyer një shpresë te qytetarët”, ka thënë Rexhepi.

Uji Dea

Në raport përmendet edhe ngritja e përqindjes së atyre qytetarëve që mendojnë se punësimi në institucione publike bëhet në mënyrë jomeritore.

Atdhe Hetemi, zyrtar i këtij projekti, ka thënë se që nga qershori i vitit 2011 deri në tetor të vitit 2012 përqindja e atyre që mendojnë se punësimi në institucione publik është i pamerituar është ngritur nga 67 në 82 për qind.

“Për të krijuar treguesin e bazave pa meritore janë përdorur indikatorët ose pyetjet si nëse qytetarët mendojnë se janë lidhjet familjare, korrupsioni ose ryshfeti, apo anëtarësimi në parti politike për të gjetur punë në sektorin publik. Shumica e qytetarëve mendojnë që këta faktorë janë më të rëndësishëm për të gjetur punë në sektorin publik”, thotë Hetemi. Ndërkaq, sa i përket punësimit në institucione publike në baza meritore, raporti nxjerr se vetëm 13 për qind e njerëzve mendojnë se për të gjetur punë në sektorin publik është i rëndësishëm edukimi, përvoja profesionale dhe trajnimet e ndryshme profesionale.

Raporti vë në pah edhe problemin e rritjes së korrupsionit në institucione publike.

“Të dhënat tona tregojnë se përqindja e qytetarëve që mendojnë se ka prezencë të madhe të korrupsionit në institucione publike është rritur nëse e krahasojmë me prillin e vitit 2012. Shembull, për KEK-un të dhënat e tetorit tregojnë se 54 për qind e qytetarëve mendojnë se ka prezencë të lartë të korrupsionit”, thuhet në raport.

Sa i përket besueshmërisë se krerëve të shtetit, kryeministri i vendit, Hashim Thaçi dhe Qeveria e tij, kanë shënuar ngritje të besueshmërisë nga qytetarët për dallim nga presidentja e vendit, Atifete Jahjaga dhe kreu i Kuvendit Jakup Krasniqi, të cilët kanë shënuar rënie të besueshmërisë.

Ndërsa për institucionet publike, qytetarët mendojnë se ka korrupsion të lartë në to, duke shënuar kështu ngritje të kësaj pike krahasuar me vlerësimet e mëhershme.

Ndryshe, si problem kryesor në Kosovë qytetarët mendojnë se është çështja e papunësisë.

Besueshmëria në krerët e vendit

“Nëse i krahasojmë të dhënat me prillin e vitit 2012 se kënaqshmëria për punën e kryeministrit është ngritur për 4 për qind, gjersa ajo për punën e Qeverisë është ngritur për 6 për qind. Gjithashtu ngritje të kënaqshmërisë vërehet në punën e gjyqeve. Nëse i krahasojmë të dhënat edhe në nëntorin e vitit 2011, kjo ngritje është nga 19, mandej 17 për qind në prill në 24 për qind në tetor të vitit 2012.

Sa i përket kënaqshmërisë së qytetarëve me punën e Parlamentit dhe me punën e prokurorisë, të dhënat tona nuk tregojnë ndonjë ndryshim domethënës, mirëpo, një rënie e kënaqshmërisë vërehet në punën e kryetarit të Parlamentit diku rreth 3 për qind. Gjithashtu një rënie e kënaqshmërisë, diku rreth 7 për qind, vërehet me punën e Presidentes”.(express)