Meriton Salihu: Në Bullgari treguam kualitet dhe e arritëm qëllimin kualifikimin në “Main Round”

Kombëtarja e Kosovës në futsall ka arritur rezultate të kënaqshme në garat paraeliminatore për Kupën e Botës 2024, në Varna të Bullgarisë, në Grupin C duke u kualifikuar në “Main Round”.

Për Dardanët është kjo hera e parë në histori që arrinë të kualifikohet në këtë raund, duke arritur rezultate prej dy fitoreve e një humbje.

Kombëtarja e Kosovës ka arritur ta mposht Bullgarin 2-0, ndërsa Skocinë 4-1, ndërsa ka pësuar humbje nga Armenia 2-1 duke u renditur në pozitë të dytë. Për futbollistin Meriton Salihun, i cili karrierën e tij po e zhvillon në shtetin Helvetik në Zvicër, kjo ka qenë një ëndërr e të gjithë futbollistëve Dardan, kualifikimi në mesin e 36 kombëtareve, ndërsa Salihu ishte edhe golashënues në ballafaqim me Bullgarinë.

“Jam shumë i lumtur e krenar që së bashku me bashkëlojtarët e mijë e kemi dhënë më të mirën që kemi mundur. Ishte një atmosferë jashtëzakonisht e mire, kemi pasur përballë kombëtare shumë të forta ndaj Bullgarisë, kemi mundur të shënojmë fitore edhe më të lartë, ndërsa ndaj Skocisë kemi shpalosur tërë potencialin që kishim, ndaj kombëtares së Armenisë fati nuk ishte në anën tonë edhe pse e kemi merituar fitoren por nganjëherë gjërat nuk shkojnë ashtu siç duhet. Ne kemi arritur të jemi në mesin e 36 shteteve më të mira dhe me pak fat kemi mundur të jemi lider në Grupin C, nuk duhet harruar se të gjitha këto kombëtare kanë pasur futbollist të natyralizuar që ishin përforcuar shumë por disiplina dhe dëshira e madhe e të gjithë futbollistëve ishte që të vazhdojmë garat më tutje dhe këtë e arritëm, shpresojmë dhe jam i bindur edhe pse do të jetë vështirë do të arrijmë që më në fund ta bëjmë popullin e Kosovës krenar me rezultatet tona“.

Në garat në “Main Round”, marrin pjesë 36 kombëtare të cilat ndahen në 12 grupe me nga tri kombëtare, 12 fituesit e grupeve dhe 4 me të mirat të pozitës së dytë shkojnë direkt në raundin elite.

Tetë kombëtaret tjera të vendit të dytë luajnë play-off me sistem vajtje-ardhje. Katër fituesit e këtyre ndeshjeve kompletojnë skuadrat e raundit elite./rajonipress/

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS