RCCOLA

Meriton Korenica – njeriu i garave evropiane për Ballkanin, gati për kampionate më të mëdha

/ 3 minuta lexim
RCCOLA

Meriton Korenica është njëri nga lojtarët më të mirë dhe më vendimtar të Ballkanit në ndeshjet evropiane të këtij edicioni. 26-vjeçari i gjithanshëm ka folur në një intervistë për Telegrafin në lidhje me formën e tij të mirë, golat dhe asistimet, por edhe për synimet me klubin therandas dhe një transferim të mundshëm së shpejti.

Ballkani është afër të përsërisë suksesin e sezonit të kaluar, duke siguruar kualifikimin në grupet e Ligës së Konferencës.

Kampioni i Kosovës është vetëm edhe dy ndeshje larg kësaj arritje, pasi ka siguruar fazën “play-off”, ku do të ndeshen me BATE Borisovin.

Therandasit pas eliminimit nga Ludogorets në kualifikueset e Ligës së Kampionëve, ranë në raundin e dytë kualifikues të Ligës së Konferencës, ku mposhten Larnen në dy ndeshjet, 3-0 në shtëpi dhe 1-4 në udhëtim.

Në raundin e tretë kualifikues, Ballkani ishte i fortë edhe për Lincoln Red Imps të Gjibraltarit, duke i mposhtur gjithashtu në dy ndeshjet.

Në ndeshjen e parë në “Fadil Vokrri”, therandasit fituan me rezultat 2-0, por u desh të pritej minuta e 59-të për të parë zhbllokimin e rezultatit me anë të Meriton Korenicës, i cili shënoi për epërsinë 1-0 duke i dhënë forcë ekipit të tij.

Korenica ishte vendimtar edhe në fitoren e mbrëmshme (e enjte), duke shënuar një supergol nga distanca për epërsinë 1-0, ndërsa në fund fituan 1-3.

Fundamenti

Djaloshi nga Rahoveci asistoi edhe në ndeshjen e parë ndaj Larnes, teksa shënoi një gol të bukur dhe asistoi edhe ndaj Ludogoretsit në Prishtinë, duke vendosur emrin e tij si njëri nga lojtarët kryesor të Ballkanit.

Në një intervistë për Telegrafin, Korenica ka folur në lidhje me formën e tij të mirë, golat dhe asistimet, por edhe për synimet me klubin therandas dhe një transferim të mundshëm së shpejti.

“Një kualifikim shumë i rëndësishëm për ne që siguruam fazën play-off. Tani i kemi edhe dy finale dhe shpresoj të shkruajmë përsëri historinë”, ka thënë fillimisht Korenica për Telegrafin.

“Golat janë motiv shtesë. Mundohem gjithmonë t’i ndihmoj ekipit, por jemi një grup shumë i mirë dhe të gjithë i ndihmojmë njëri-tjetrit”.

“Për transferim jashtë vendit do flasim mbas fazës play-off, pasi jam i fokusuar në këto dy finale, për ta dërguar Ballkanin përsëri në grupe të Ligës së Konferencës”, përfundoi ylli rahovecian.

Në “play-off”, Ballkani do të luajë ndaj BATE Borisovit, me ndeshjen e parë që zhvillohet në Prishtinë më datë 24 gusht, ndërsa ndeshja në udhëtim luhet me 31 gusht. /Telegrafi/