Uji Dea

Merita Pinta, shqiptarja në krye të pesë qendrave për të moshuar në Zvicër

/ 10 minuta lexim
Mobi Casa

Ka ardhur në Zvicër nga Kosova si nxënëse 14 vjeçe. Sot, Merita Pinta është shembull për integrimin e gruas shqiptare në Zvicër dhe një afariste shumë e suksesshme.

Merita Pinta është tashmë një emër mjaft i njohur në komunitetin shqiptar të Zvicrës. Ajo është pronare dhe presidente bordi e firmës “Prima Pflege” në kuadrin e së cilës funksionojnë 5 qendra ose shtëpi pleqsh. Merita është në krye të një ekipi prej rreth 100 punonjësish të shëndetësisë që funksionon për mrekulli. Në intervistën për albinfo.ch ajo shpalos rrëfimin për rrugën e saj të veçantë jetësore.

Albinfo.ch: A mund të na tregoni: Kush është Merita Pinta?

Merita Pinta: Jam e lindur më 15 gusht 1978 në bjeshkët e Jezercit prej nga, kur isha vajzë 5 vjeçe, dolëm me banim në Manastircë, komuna e Ferizajt. Babai im, Shabani, doli në vitet 80-ta për të punuar në Zvicër. Jemi 5 fëmijë, kam dy motra dhe dy vëllezër. Si 14 vjeçare erdha me familjen time në Zvicër dhe fillova të integrohem e të shkollohem këtu. Fillimisht nuk ishte edhe e lehtë ndarja nga vendlindja. Më mungonin shoqet, familjarët… Nga ana tjetër, ardhja në Zvicër ishte edhe gëzim por edhe me të gjitha sfidat procedurale që na dalin në fazën e integrimit në vendin e huaj. Pasi mbarova shkollën fillore në Aarau, bëra një praktikë gjashtëmuajshe në Spitalin Kantonal të Badenit. Aty u binda se karrierën do ta vazhdoja në këtë fushë. Prandaj përfundova profesionin për asistente. Para 21 vitesh u martuam, krijuam familjen me bashkëshortin, Bajram Pinta, me të cilin kemi dy djem: njërin 14 dhe tjetrin 8 vjeç.

Dëshira e madhe që të di e të mësoj më shumë për njeriun, nuk më linte të qetë. Kështu që vazhdova ta zhvilloj planin për karrierën që e kam arritur deri tash, me shumë vullnet dhe dashuri për punën. Brenda 15 viteve të fundit përfundova studimet për infermiere, pastaj diplomova në fushën pedagogjike të arsimit ku edhe mbaja përgjegjësinë kryesore për nxënësit dhe studentët në firmën ku kam punuar më parë. Mandej vazhdova me studimet për menaxhim në institucionet shëndetësore dhe paralelisht diplomova edhe për sigurinë e kualitetit. Për mua ka qenë një kohë me sfida e përvoja të ndryshme por edhe e pasur me mësime jetësore.

Albinfo.ch: Kur keni marrë për herë të parë në udhëheqje një shtëpi pleqsh, si menaxhere po edhe si pronare?

M. Pinta: Menjëherë pasi mbarova studimet, kam udhëhequr dy qendra në firmën “Betreutes Wohnen Aargau”. Si pronare dhe presidente e bordit jam që nga themelimi i firmës “Prima Pflege”, para tri viteve.

Albinfo.ch: Kjo që keni bërë ju, është një arritje shumë e madhe për një femër, për më tepër për një grua me prejardhhje të huaj. A ka paraqitur ndonjë pengesë në rrugën tuaj fakti se jeni e huaj, gjegjësisht shqiptare?

M. Pinta: “Prima Pflege” është rritur shumë shpejt. Fillimisht kishim 20 punëtorë kurse tash kemi afër 100. Ndërsa roli im si grua shqiptare në menaxhim ka sjellë rezultate shumë të suksesshme biznesi në vitet e kaluara. Kësaj i gëzohem shumë dhe besoj se do të zhvillohet mirë edhe më tutje. Me siguri se kam përjetuar edhe unë raste ku të tjerët të shohin si të huaj. Por mendoj se kur shkojmë në një vend të huaj, nuk do të thotë që t`u nënshtrohemi të tjerëve me paragjykime por të jemi të vetëdishëm dhe të mbrojmë drejtat tona, të punojmë për një integrim të dyanshëm, cilësor. Ta ruajmë identitetin personal dhe kombëtar me një vetëdije të lartë, është diçka legjitime.

Albinfo.ch: A keni pasur ndihmën e kolegëve ose menaxherëve të shtëpive ku keni punuar, për të arritur deri këtu?

M. Pinta: Po, ndihmën më të madhe që e kam pasur në këtë drejtim është ajo nga firma “Regionales Pflegezentrum” në Baden nga drejtori z.Hans Schwendeler. “Regionales Pflegezentrum AG” është partneri ynë kryesor në këtë projekt të madh. Jam tejet mirënjohëse për besimin e të dy palëve, që u krijua ndërkohë në partneritetin tonë të biznesit. Për mua personalisht kjo është vlera më e madhe për rezultate afategjate në çdo rrugë biznesit.

Projekti ka filluar në pranverën e vitit 2017, i kompletuar me shtëpinë në Bad Zurzach, Oeschgen, Eiken dhe Laufenburg. Ndërsa shtëpinë e parë e kam hapur në verë të vitit 2016, në Tegerfelden. Megjithatë mendoj se ka shumë rëndësi ndihma në jetën e përditshme dhe për këtë falënderoj shumë bashkëshortin tim, Bajramin.

Albinfo.ch: Ju tashmë i keni 5 shtëpi të pleqve: A na e përshkruani organizimin e tyre?

M. Pinta: Shtëpitë funksionojnë me një koncept bazik të definuar nga Organizata “Prima Pflege”. Kemi pleq të cilëve u duhet për 24 orë në ditë ndihma jonë. Por ka edhe nga ata të cilëve ndihma e personelit u nevojitet vetëm për disa aktivitete të ditës. Të gjitha shtëpitë janë 24 orë në funksion.

UBT

Albinfo.ch: Sa punëtorë shqiptarë keni gjithsej në këto shtëpi? A jeni e kënaqur me punën dhe disiplinën e tyre?

M. Pinta: Në të gjitha shtëpitë kam punëtorë dhe punëtore shqiptare. Me siguri janë mbi 20. Në fushën e shëndetësisë kemi shqiptarë me shumë potencial të madh dhe mund të them, të jashtëzakonshëm. Institucionet shëndetësore në Zvicër janë përplot me punëtorë por gjithashtu edhe me kuadro të larta shqiptare. Ekziston një forcë e madhe pozitive për ne si popullsi por varet krejtësisht nga ne, shqiptarët që punojmë dhe jetojmë në Zvicër se me çfarë përgjigjësie, vetëdije dhe me cilat qëllime ecim në këtë drejtim.

Gjithsesi, jam e kënaqur me punën qe e bëjnë bashëkëpunëtorët e mi shqiptarë në firmën time. Me qëllim ju kam ofruar këtë vit edhe 8 vajzave shqiptare të reja të shkollohen në firmën time. Është një gjeneratë e veçantë sepse mendojnë për punën si zviceranët por zemrën e hapur e kanë absolutisht shqiptare. Ky kombinim më duket se na duhet patjetër për zhvillim, sidomos kur bëhet fjala në kontekstin social. Ndërsa tri vajza/nëna shqiptare vazhdojnë studimet për infermiere në gusht të këtij viti. Zhvillimi i personelit në firmë, mund të them është më i rëndësishmi. Se ata janë të cilët përpiqen 24 orë rreth përkujdesjes së pleqve në detyrën e tyre me një përgjegjësi të madhe.

Albinfo.ch: Më 1 qershor patët “Ditën e derës së hapur” të qendrës tuaj të re “Residence im Park”. A jeni e kënaqur me rrjedhën e saj?

M. Pinta: Po, jam absolutisht e kënaqur. Sidomos nën tingujt e violinistit të mirënjohur Shkëlzen Doli që na solli një atmosferë jashtëzakonisht të bukur festive. Nga ana tjetër jam befasuar se sa shumë pati shqiptarë të interesuar të cilët bënë pytje për vendet e lira, shërbimet, pagesën në shtëpitë tona etj. për prindërit e tyre apo personat që i njohin. Dy miq më gëzuan tejet shumë për ardhjen e tyre. Fjala është për Bekim dhe Emine Brestovcin, të cilët kanë ardhur enkas nga Kosova për të qenë të pranishëm në këtë ditë të veçantë për firmën time. Gjithashtu më gëzuan partnerët tanë për prezencën dhe përurimet Hans Schwendeler, pastaj deputetja e Parlamentit të Aargaut Regulla Dell Anno nga Badeni, ambasadori i Shqipërisë në Zvicër, Ilir Gjoni, ministri këshilltar i Ambasadës së Kosovës në Zvicër, Islam Spahiu, politikania e re Qëndresa Sadriu deputetja tjetër, znj. Glattbrugg dhe shumë miq, dashamirës dhe të interesuar. Ndërsa për organizimin e festës u kujdes me stafin e tij drejtori i Hotelit “Park Hotel” Ralph Möller. Gjithashtu falënderoj bashkëpunëtorët e mi dhe në veçanti Leonora Pecin, që udhëheq repartin në “Residenc”.

Albinfo.ch: Për fund: A mund të na tregoni rreth bashkëpunimit me violinistin e njohur Shkelzen Doli? Kur daton dhe për çfarë bashkëpunimi është fjala?

M. Pinta: Unë dhe Shkëlzen Doli jemi themelues të firmës në Zvicër “Pinta & Doli Group AG”, që u themelua në dhjetor të vitit të kaluar. Gjithashtu kësaj firme i bashkëngjitet edhe “Swiss Arts Corporation”. Shërbimet kryesore të firmës tonë janë organizimi i koncerteve, eventeve, në Zvicër dhe jashtë Zvicrës. Mund të them se e kemi marrë ndoshta si një obligim kombëtar që muzikën dhe artin shqiptar ta prezantojmë si është më së miri. Jam e bindur se në art dhe në kulturë fshihen shumë vlera të bukura kombëtare. Ndihem e privilegjuar e me shumë fat të madh të bashkpunoj në këtë drejtim me artistin e madh siç është Shkëlzen Doli. Dhe nuk njoh dikë tjetër që na sjell kaq ngjyra të bukura artistike shqiptare. Për të kam respektin më të madh që mund të kihet për një njeri. E falënderoj përzemërsisht dhe publikisht që na e prezanton anembanë botës me tingujt e violinës muzikën e bukur autoktone shqiptare.

Punojnë si zviceranët, zemrën e kanë “absolutisht shqiptare”

“Me qëllim ju kam ofruar këtë vit edhe 8 vajzave shqiptare të reja të shkollohen në firmën time. Është një gjeneratë e veçantë sepse mendojnë për punën si zviceranët por zemrën e hapur e kanë absolutisht shqiptare. Ky kombinim më duket se na duhet patjetër për zhvillim, sidomos kur bëhet fjala në kontekstin social”.

Bashkëpunimi me Shkëlzen Dolin, një obligim kombëtar

Unë dhe Shkëlzen Doli jemi themelues të firmës në Zvicër “Pinta & Doli Group AG”, që u themelua në dhjetor të vitit të kaluar. Gjithashtu kësaj firme i bashkëngjitet edhe “Swiss Art Coporation”. Shërbimet kryesore të firmës tonë janë organizimi i koncerteve, eventeve, në Zvicër dhe jashtë Zvicrës. Mund të them se e kemi marrë ndoshta si një obligim kombëtar që muzikën dhe artin shqiptar ta prezantojmë si është më së miri.

Autor i fotografive: Rromir Imami

Merita Pinta, shqiptarja në krye të pesë qendrave për të moshuar në Zvicër