Merita Hajdari, kandidate për KP të Komunës së Martigny

Merita e sheh të nevojshme që të krijojë një urë lidhëse ndërmjet shqiptarëve dhe zviceranëve. Këtë e cilëson si një ndër arsyet se pse po kandidon në Këshillin e Përgjithshëm, në partinë PLR/FDP

Merita Huruglica- Hajdari është me prejardhje nga Medvegja, Kosovë Lindore por jeta e saj ka rrjedhur në Zvicër pasi që qysh si tri vjeçe ishte vendosur në Martigny për të jetuar së bashku me familjen.

Në një rrëfim për albinfo.ch ajo ka treguar se studimet i përfundoi për fushën e juridikut, por veten, tash e disa vite po e sfidon edhe në politikë pasi që e sheh të nevojshme që të krijojë një urë lidhëse ndërmjet shqiptarëve dhe zviceranëve. Këtë e cilëson si njërën ndër arsyet se pse po kandidon në Këshillin e Përgjithshëm, në partinë PLR/FDP.

Kush është Merita Huruglica-Hajdari?

M.H.Hajdari: Jam mbesë e familjes shqiptare Hajdari, me origjinë nga Medvegja. Kam lindur në Kosovë dhe për pak ditë do t’i mbush 30 vjeç. Kur isha vetëm tri vjeçe kam ardhur në Zvicër dhe jam vendosur në Martigny. Në muajin maj 2020 e kompletova emrin tim me kurorëzim martesor “Huruglica”.

Cili është profesioni i juaj?

M.H.Hajdari: Të gjithë procesin shkollor e kam përfunduar në Martigny. Kam përfunduar fillimisht shkollën komerciale, mandej kam vazhduar në fushën juridikut. Tash e 10 vjet veproj si asistente juridike në një zyrë te një avokat dhe noter, në Martigny.

Përveç kësaj, me çka tjetër merreni?

M.H.Hajdari: Me raste angazhohem si interpretuese në shqip-frengjisht tek autoritetet gjyqësore si dhe në punën time të përditshme. Në zyrën ku punoj kam për detyrë të përkujdesem për nxënësit që ndjekin shkollën komerciale aty ku unë fillova.
Funksionoj si eksperte në provimet përfundimtare te nxënësit e fushës së juridikut.
I përkas dhe një komisoni të komunës në Martigny që ka për detyrë t’i vizitojë nxënësit e vitit të parë që mbajnë praktikë në të gjitha profesionet në rajonin komunal. Përveç këtyre angazhimeve, jam zgjedhur e para kandidate shqiptare në komunen e Martigny si këshilltare e përgjithshme në vitin 2016, kurse në vitin 2018 kam qenë kandidate për modifikimin e kushtetutes të kantonit të Valais. Në vitin 2019 jam propozuar dhe jam pranuar si delegate zëvendësuese për përfaqësimin e kantonit të Valais, në Bernë, për partinë PLR(FDP.

Pse vendosët të kandidoni me partinë PLR, për Këshillin e Përgjithshëm?

M.H.Hajdari: Në vitin 2016 më ftuan të përfshihem në politikë dhe të kandidoj në këtë parti. Ishte një propozim sfidues që më la në mendime disa javë, por edhe njëkohësisht më nderoi shumë.
Realisht qysh nga mosha 16-vjeçare politikën e Zvicrës e përjetoja nga afër, pasi që ndikohesha nga puna ime shumë e afërt me një avokate që ishte nënkryetare në një komunë si dhe me një kryetar komune afër Martigny. Pasi partia PLR insistoi dhe mbas shumë reflektimeve erdha në përfundim se e gjej veten te vlerat e partisë PLR, shoqëria shqiptare ka nevojë për mua në atë pozitë dhe kisha një dëshirë të madhe që t’i dhuroj kohë në shenjë
falënderimi Komunës së Martigny për këto që m’i ka ofruar deri tani. Pranova dhe u zgjodha! Në fakt, tash po kandidoj për një mandat të dytë për Këshillin e Përgjithshëm.

Çka mendoni të arrini me kandidimin tuaj?

M.H.Hajdari: Një mandat më dukej pak. Në fillim nuk mund të punosh aq sa duhet. Muajt e parë mëson më shumë dhe nuk ke hapësirë për të punuar. Kam kontakte të regullta e të mirfillta me gjithë shoqërinë shqiptare dhe zvicerane. I mbështes dhe mundohem që të tregojëme fakte tek zviceranet që shqiptarët nuk i gjejm vetëm në vende të punës fizike por tashmë në të gjitha sferat dhe që janë të domosdoshëm në Zvicër. Mundohem që me karakterin tim të sinqert e të drejtpërdrejt, me përpikmëri e guxim të bëj ndryshime për gjeneratat në vijim, fëmijët tanë. Paragjykimet që ka përjetuar më parë komuniteti ynë në shkollë apo në punë rreth kultures, mbiemrit, emrit të tyre, apo fesüe, tashmë të shuhen totalisht. Në anën tjetër, ne shqiptarët duhet t`i jemi mirënjohës Komunës së Martigny, dhe Zvicrës për këto që bëjnë për ne, për integrim, dhe gjitha të mirat që sot i gëzojmë. Secili që dëshiron këtu ka mundesinë ta gjejë veten. Më kpnkretisht unë u jap mundësinë votuesve të jem një ndermjetsuse për të dy palet (zviceranët – komuniteti shqiptar)

Cilat janë synimet tuaja për të ardhmen?

M.H.Hajdari: Kam synime të më tutejshme për nivele më të larta politike. Ndërsa në afat të shkurtër, në mandatin e ardhshem do te propozohem në nivelin ekzekutiv komunal apo ne nivelin juridik komunal që edhe i përket profesionit tim. Nëse populli më mbshetet si deri më tani, pse të mos punoj edhe në parlamentin e Zvicrës, në Bernë.

Albinfo.ch: Nëse keni diçka për të shtuar në lidhje me kandidimin tuaj?
M.H.Hajdari :Nuk është e lehtë si femër ta huazosh emrin tënd publikisht, të debatosh për ndryshime që të gjitha gjeneratat e ardhshme do t’i gëzojnë. Përkrahja është e nevojshme dhe mirënjohja për punën e angazhimin. Unë kandidoj që të punojmë e të zhvillojmë gjithçka së bashku për të ardhmen e jo për interesa personale. Suksesi do të jetë i perbashkët.

Merita Hajdari, kandidate për KP të Komunës së Martigny

Shpërndaje.
© RAJONIPRESS

Vërejtje!

RajoniPress.com nuk do të botojë shkrime që nuk i përmbushin kriteret dhe standardet profesionale të gazetarisë bashkëkohore. Nuk do të ketë për askënd mbyllje apo censurë, por jemi të fokusuar që në këtë agjenci, lajmi, shkrimi, raporti, intervista dhe opinioni të plotësojnë kriteret profesionale. Gjithashtu opinionet, analizat, komentet, nuk duhet të shkelin parimet etike (gjuhën e urrejtjes, fyerjet, diskriminimet e çfarëdoshme).