Mërgimtarët vijnë me xhepa të zbrazur
Ardhja e mërgimtarëve shqiptar nuk ka gjallëruar sheshet e shumë qyteteve të Maqedonisë, sikur vite më parë. Ata kanë ardhur në vatrat e tyre familjare me nga një “IPhone 5” dhe vetura të zakonshme, por me xhepa gjysmë të zbrazur.
Rrogat e vogla, të cilat sillen prej 1 mijë deri në 1500 euro, kreditë e tyre marramendëse dhe harxhimet e rritura familjare kanë bërë që të ngushtohet buxheti i tyre.
Shumica prej tyre gjatë pushimit preferojnë të rrinë në shtëpi, për të kursyer paratë, sa për të qëndruar në familje, as sa kanë planifikuar pushimet e tyre.
“Nuk është ajo kënga e mëparshme. S’ka më para në Perëndim. Jemi futur në kredi dhe borxhe ndaj bankave dhe janë shtuar harxhimet e familjes. Mezi grumbullojmë ca para për të ardhur në pushim”, thotë Bekim H. nga Tetova, që jeton në Gjermani, transmeton INA.
Sipas tij, për të kaluar një pushim mesatar deri në një muaj ata marrin me vete prej tremijë euro.
Mërgimtarët rrëfejnë se jeta në Perëndim është bërë e vështirë dhe se paratë të cilat i fitojnë me djersë ua merr shteti me taksa dhe tatime.
Ata gjatë pushimeve pranojnë se nuk dalin shumë dhe nuk bëjnë jetën e natës apo udhëtimet e preferuara, sikur dikur më parë.
“Ne të moshuarit nuk dalim, sepse është bërë vështirë për të përballu edhe pushimin këtu. Vetëm fëmijët tanë dalin dhe u japim ndonjë euro për të dal me familjarët dhe shokët e tyre. Por, edhe ata jo që harxhojnë shumë para”, thekson Idriz M. nga Shkupi..
Edhe Rufat Sh. nga Kumanova, i cili tashmë 25 vite jeton në Holandë, rrëfen për krizën e cila i ka kapluar mërgimtarët shqiptarë në vendet e perëndimit.
“Me një pension prej 800 euro, e kam të pa mundur ta vizitojë familjen. Edhe pse në moshë, më duhet të punojë në të zezë nga Holanda në Gjermani”, shprehet ai.
Në gjendje më të mirë janë mërgimtarët që vijnë nga Zvicra, por edhe ata ankohen vazhdimisht.
Një numër i vogël i mërgimtarëve shqiptar kanë mbërritur edhe nga SHBA-të. Numri më i madh i tyre është nga zonat e Dibrës, Manastirit, Prespës, Kërçovës dhe vendbanimeve të tjera. Ata bëjnë pushime ndryshe, pasi që sigurohen dhe mobilizohen mirë për të kaluar një muaj pushime në vendlindje.
Viteve të fundit gjithnjë e më tepër ulet numri i mërgimtarëve të cilët vizitojnë familjet e tyre në vendlindje. Të pakt janë ata që vijnë, për shkak të martesave të fëmijëve me djem e vajza nga atdheu, duke e zbrazur numrin e popullsisë rinore në këto treva dhe duke mbetur njerëzit në moshë të shtyrë.
Krizën e mërgimtarëve e kanë kuptuar edhe disa ndërmarrje shqiptare të cilat thonë se nuk i kanë realizuar fitimet e pritura dhe se malli i tyre nuk po shitet sikur më parë në kohën kur kurbetçinjtë vinin në vatrat e tyre për pushime. /Telegrafi/


