Mërgim Mavraj: Sa ditë e mërzitshme që s’do të mund t’i vesh ngjyrat kuqezi
Mërgim Mavraj është i pikëlluar që nuk do të jetë në gjendje ta veshë fanellën kuqezi për dy ndeshjet e marsit të Kombëtares së Shqipërisë, për shkak se është i pezulluar.
Kombëtarja kuqezi ka filluar sot përgatitjet për dy kualifikueset e marsit, kundër Turqisë dhe Andorrës, të vlefshme për kualifikime në Kampionatin Evropian 2020, me qendërmbrojtësin 32-vjeçar që nuk ka të drejtë të luajë shkaku i kartonit të kuq, raporton Gazeta Express.
Mavraj po e ndien tashmë mungesën e të qenit pjesë e këtij grumbullimi dhe dy sfidave të 22 dhe 25 marsit.
Përmes profilit të tij në Facebook, kapiteni i kuqezinjve iu ka uruar bashkëlojtarëve të kombëtares më të mirën në startin e këtyre kualifikueseve: “Sa ditë e mërzitshme mos me i vesh këto ngjyra në ditën e grumbullimit të kombëtares. Zoti ju ndihmoftë çuna!”
Mavraj u pezullua me dy ndeshje, pas kartonit të kuq që mori në ndeshjen ndaj Skocisë, në “Loro Boriçi”, më 17 nëntor, në humbjen 2:0. Kjo ishte masa që mori UEFA për atë sjellje të gabuar të 32-vjeçarit, pasi e kaloi në komisionet disiplinore. /Gazeta Express/


