RCCOLA

Menaxhimi i situatave nga fatkeqësitë natyrore dhe vetëdija shoqërore

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Nga Nexhmedin Saqipi – Situatat katastrofike, që po ndodhin, këtyre ditëve, në Shqipëri, po na jepin një mësim të mirë se si duhet të veprohet me rastin e fatkeqësive natyrore, duke filluar nga tërmeti, vërshimet, zjarret, furtunat, shembjet e dheut, fatkeqësitë në trafik etj. të cilat, mjerisht, na vijnë pa dijen dhe dashjen tonë.

Kush pos institucioneve, mund t’i menaxhoj këto dukuri, ta cilat po na përsëriten nëpër periudha të ndryshme e nga të cilat, fatkeqësisht më shumë pësojnë qytetarët se sa elita e saj udhëheqëse, patronët dhe bosët e tregtisë sonë ndërshtetërore e ndërrajonale.

Me këto fenomene nuk përballen vetëm shqiptarët si popull, si komb, si pushtete lokale etj, me të njëjtën dukuri ballafaqohen edhe fqinjët e shqiptarëve dhe ata që shtrihen përtej atlantikut. Bile, këta kombe e popuj i kanë jot ë rralla fatkeqësitë natyrore të tipit të uraganit, tornados, erërave të forta me përmasa apokaliptike, duke gëlltitur pallate të tëra nën tokë e duke shkulur me rrënjë, jo vetëm themelet e shtëpive, por edhe drunj, pemë e male të tëra.

Mirëpo, qytetarët dhe institucioneve të këtyre vendeve me katastrofa natyrore, janë të përgatitur psikikisht dhe fizikisht për t’i përballuar ato me çdo çmim e jo si ne shqiptarët të përfshihemi nga frika, paniku dhe defetizmi.

Imagjinone po të kishte ndodhur një tërmet i përmasave 9 shkallësh të rihterit, siç ndodh në Japoni, Indonezi, Turqi, Nepal, Kili, Kina, Peru, Pakistan etj, e gjithë Shqipëria paska pasur me u shemb për tokë. Por, këto vende sikur janë mësuar me këso katastrofash natyre, duke i përgatitur qytetarët, të mos bien në panik, por në mënyrë institucionale dhe profesionale t’i tejkalojnë ato.

Sprovat dhe sfidat

Shqiptarët janë një popull me një pavarësi shtetërore 107 vjeçare në Shqipëri e 11 vjet në Kosovë, të cilat kanë resurse të mjaftueshme njerëzore e natyrore, për t’u organizuar mirë në këto situata emergjente natyrore, të cilat na vijnë nga toka dhe qielli.

Në këtë drejtim shtetet e tona shqiptare duhet të zhvillojnë fushata sensibilizuese me qytetarët për t’i përgatitur ata psikikisht e fizikisht, në mënyrë që ata t’i përballojnë më lehtë dhe më shpejt pasojat e krijuara nga katastrofat natyrore. Duke i marrë parasysh këto veprimtari, nuk do të përsëriteshin veprimet e nxituara si këto të fundit rreth tërmeteve në Shqipëri, të cilat u përfshinë me panik ndër qytetarë dhe me ngjyrime të tjera emocionuese nëpër debate televizive, përmes të cilave akuzohej faktori njeri e shtetëror në dëmet e shkaktuara në njerëz dhe objekte.

Mobi Casa

Populli shqiptar i sprovuar dhe i sfiduar nëpër periudha të ndryshme shekullore, qoftë ato natyrore e njerëzore, duke filluar nga regjimet e ndryshme, i rrethuar me rreziqe nga të gjitha anët, nga sisteme të ndryshme komuniste e demokratike, arriti të çelnikoset për t’i përballuar ato, por jo edhe për t’i menaxhuar sa duhet e si duhet.

Nuk thuhet kot: “Kush pëson – mëson!”, ky tërmet i fundit pavarësisht nga disa mangësi të organizimit të mirëfilltë institucional, do të jetë një shembull se si në ardhmen shqiptarët duhet të veprojnë si komb, me një përgatitje të lartë organizative e institucionale në të gjitha aspektet.

Ndoshta ky tërmet do të shërbej si mësim gjithashtu, për t’u vetëdijesura si popull e si institucion, për veprime të përbashkëta e të koordinuara në të ardhmen, në nivel të përgjegjësive shtetërore e ligjore.

Fatkeqësitë natyrore

Kohëve të fundit, na janë shtuar fatkeqësitë natyrore, të cilat po na befasojnë me forcën e tyre shkatërruese, e që janë shenje alarmuese për ne jo vetëm si shqiptarë, por edhe për të tjerët në Ballkan dhe më gjerë në Evropë dhe botë, ngase ne papërgjegjësinë morale dhe material, nuk sillemi mirë me natyrën, të cilën e keqpërdorim në çdo formë e kur acarohet ajo, ne e fajësojmë njëri-tjetrin për gjithçka.

Fatkeqësitë natyrore, nuk janë të sodit, ato kanë një zanafillë të hershme njerëzore, duke lënë nga prapa shumë ndodhi e ngjarje shumë më të rrezikshme e më shkatërrimtare se sa janë ato sot. Këto fenomene natyre kanë bartur me vete edhe sekretet, nga të cilat ekspertët kanë mbetur pa përgjigje profesionale. Prandaj, njerëzit duhet të ecin sipas kohës e standardeve bashkëkohore, të përgatiten për t’u ballafaquar me këto dukur në çdo kohë dhe në çdo stinë.

Njerëzit nuk duhet të maten me fuqitë natyrore, sepse janë të paaftë për t’u përballur me fuqinë e tyre, por nuk do të thotë se ata duhet të dorëzohen, të zhgënjehen dhe t’i humbin shpresat për t’u mbrojtur nga ato me aq mundësi sa kanë.

Menaxhimi i situatave të tilla katastrofike, është prioriteti të gjitha institucioneve tona, duke llogaritur edhe mbështetjen popullore.