RCCOLA

“Memory” vepër me dëshmi nga jeta e thyer

/ 8 minuta lexim

Nga Halil Haxhosaj- Vepra e Zef Mulajt “Jetë e thyer” vijëzon në embrionin e vet të gjitha ngrehinat e jetës në kohën e një thyerje të madhe siç ishte koha e diktaturës në Shqipërinë komuniste.

Titulli i veprës përkon me realitetin duke u shndërruar në metaforë artistike, që mëton t’i ravijëzojë të gjitha krajatat e saj Kjo sintagmë tashmë burimin e vet e ka në biografinë e shkrimtarit të rrëfyer nëpërmes kryepersonazhit të romanit.

Pra autori është realiteti i asaj kohe, ndërsa kryepersonazhi, Leka, i veprës “Jetë e thyer” të Zef Mulajt, është pasqyrimi artistik e letrar i asaj kohe. Gërshetimi i këtyre këndeve rrëfimorë janë bashkëdyzim letrar dhe ngjizën artistikisht në vepër. Andaj gërshetimet e tilla shpesh zbresin thellë në realitetin, sepse autori këtë e bën duke vijëzuar figurat politike të Partisë e të shtetit, të cilat ishin faktorët kryesorë të thyerjes, e pse jo, edhe të përmbysjes së asaj jete.

Rrugëtimi i kryepersonazhit, Leka, që në realitet është vet autori i veprës, ndërmjetëson në të gjitha poret e jetës së asaj kohe historike, e cila mori emrin e vetë si epoka e monizmit dhe e diktaturës së socializmit në Shqipëri. Emërtimi i tillë nuk është i dhunshëm në vepër, sepse përshkruan të gjitha katrahurat e saj, madje ato të përjetuara nga Leka, kryepersonazh.

Dhe rrëfimi në të nuk bëhet në mënyrë të improvizuar, madje as të trilluar, por përkon me të gjitha frytet e asaj kohe, e cila kishte të mbjellat dhe të korrat e veta. Nëpër rrathët e tillë marshon Leka, i cili përjeton dhe shijon të gjitha frytet e kohës së Shqipërisë moniste e diktatoriale. Dhe këtë ai e përjeton që nga koha e fëmijërisë së tij e deri në kohën e pjekurisë, madje edhe më vonë. Forma e rrëfimit në vepër krearohet nëpërmes të formës rrëfimtare, e cila deri diku ka elemente të një ditari të jetës, apo të një romani artistik të shkruar në formë ditari.

Por këtë, autori Zef Mulaj, nuk e trason sepse, më përjashtim ndonjëherë, nuk i shënon ditët, madje as datat, muajt e vitet, edhe pse kjo mund të kuptohet nga lexuesi, i cili ishte përjetues i tyre, por edhe lexuesi tjetër.

Kështu në qendër të veprës frymojnë të gjitha qelizat dhe indet artistike, e pse jo edhe reale të asaj kohe gjysmë shekullore në Shqipëri, e që udhëhiqej nga Partia Komuniste e Shqipërisë, më vonë nga PPSH, e cila ishte jo vetëm kreatore, por edhe ekzekutuese dhe vepruese. Dhe nëpër këto rënie e ngritje, nëpër këto sundime e maltretime kalon edhe Leka me të gjitha personazhet e veprës “Jetë e thyer” të autorit Zef Mulaj.

Ky është romani i dytë i këtij autori që në këtë mënyrë pasqyron jetën e shqiptarëve dhe të Shqipërisë diktatoriale, moniste dhe komuniste. Një gamë të kësaj jete ky autor e paraqet edhe në romanin e tij “Imazh”, edhe pse këtu pasqyrohet jeta e kohës së tranzicionit të Shqipërisë. Por lidhja e këtyre dy hallkave në një formë ose tjetër mishërohen lehtas, duke e plotësuar njëra tjetrën mirë, por edhe me sukses.
Paraqitja e tërë egërsisë, madje edhe e veprimit të komunizmit shqiptar, e pse jo edhe stalinist, nga pena e shkrimtarit Mulaj, bëhet dendur dhe tepër realisht. Kjo shihet mirë nëpër disa episode në vepër, të cilat janë madje edhe nyjëtime kyçe, sepse bartin tërë bagazhin e veprimit dramatik të strukturimit letrar e artistik të veprës.

Njëri ndër momentet e tilla është rasti i kongolezit të zi, i cili kishte ardhur për t’u kalitur me ideologji dhe patriotizëm komunist në Shqipërinë diktatoriale e moniste. Me të njëjtën peshë janë edhe momentet e ankesave të Lekës në instancat e larta të komiteteve politike të Partisë për të vazhduar shkollimin, duke filluar nga ato lokale, të rretheve e deri tek ato qendrore në Tiranë. Shfaqja e kësaj diktature dhe egërsia e saj është e pamëshirshme dhe është centraliste sepse dirigjohet nga një pozitë e cila gjithmonë është syhapur, është “vigjilente” dhe orientuese e të gjitha “të mirave” të popullit.

Fidanishtja

Në pasurinë e popullit, autori Zef Mulaj, paraqet edhe bukuritë e peizazhit të mrekullueshëm të Malësisë, vendlindjes së tij dhe malësorëve, e cila është një pjesë që është ruajtur e tillë nëpër të gjitha poret e shekujve të historisë kombëtare. Andaj edhe flladi, dashuria, uji i kulluar, ajri i pastër dhe pyjet e pasura me bimë të njohura dhe mjekësore e që janë shëruese, e bëjnë këtë pjesë interesante dhe tejet tërheqëse për lexuesin, por edhe për vizitorin. Leka i romanit dhe autori Mulaj i realitetit objektiv, janë pasqyrimet me reale të kësaj ane dhe të atij realiteti në Shqipërinë e kohës së komunizmit dhe diktaturës së saj që ishte unikate e këtij sistemi në rruzullin tokësor.

Vazhdimi i shkollimit të Lekës është një dritare interesante e kësaj vepre. Sipas normave, ligjeve dhe urdhrave të diktaturës askush nuk mund të shkollohej pa lejen e Partisë dhe të pushtetin. E njëjta gjë i ndodh edhe Lekës si personazh, por mbase, edhe Zef Mulajt si autor i veprës. Ky kombinim është një dritare nëpër të cilën depërtojnë këto reflektime që janë shëmtia e një kohe në Shqipëri.

Duke u përvijuar nëpër këto stade dhe nivele pasqyrohet zhvillimi, edukimi, madje edhe shkollimi në atë kohë. Caktimi i shkollarëve bëhej nga lartë sipas pikëpamjeve dhe përshtatshmërisë politike e ideologjike, e jo sipas dëshirës apo aftësisë së të rinjve për dije, arsimim dhe shkollim.

Mbi kurrizin e Lekës bien të gjitha insinuatat që janë aq të pakuptimta sa që njeriu normal as që mund t’i imagjinojë. Rruga e shkollimit të tij është rruga e gjarpinjve, sepse për të shkuar dhe për t’u ulur në bankat e shkollave dhe të fakulteteve në Shqipëri duhej kaluar kjo rrugë. E Leka është i detyruar ta bëjë këtë marshim, i cili ishte tepër i vështirë dhe i paarritshëm për të. Por qëllimi, synimi dhe puna e tij më në fund është triumfuese dhe arritje në cakun e dëshiruar.

Edhe shkuarja në shërbimin ushtarak është një episod tjetër i pasqyrimit të anomalitetit të pushtetit monist e diktatorial të Shqipërisë së asaj kohe. Ushtria, zboret, ushtrimet ushtarake e të tjera janë aq tragjike sa që njeriu i sotëm mund vetëm t’i imagjinojë dhe kurrë të mos i besojë se ishin realitet i udhëheqjes gjysmëshekullore shqiptare. Dukuritë e tilla e bëjnë këtë vepër tejet interesante, madje edhe të dobishme për ta paraqitur këtë segment të pushtetit antipopullor të kohës.
Vepra “Jetë e thyer” e Zef Mulajt ka në strukturimin e vet një gjuhë të pasur në suazat e normës letrare, e cila është tepër e begatshme. Këtë e bën ky autor, i cili e njeh mirë të folmen e vendlindjes së vet, e cila ka begati. Norma letrare veç sa ia shton vlerën kësaj vepre.

Shikuar në tërësinë e saj kjo vepër e Zef Mulajt qëndron suksesshëm në mesin e veprave të shkruara me këtë tematikë pas përmbysjes së diktaturës në Shqipëri. Mbase ajo ka elemente jo vetëm kronike e historike të kohës, por suksesshëm mund të jetë edhe “memory” e roman autobiografik në formë të ditarit me norma dhe koncepcione të tjera dhe më të avancuara.

Portretizimi i personazheve, ngjarjeve dhe sidomos i peizazhit të kohës janë nyjëtime të suksesshme të kësaj vepre në prozë.

Ka edhe elemente të tjera që e shtojnë begatinë e kësaj vepre, e cila është një pasuri e paraqitjes dhe pasqyrimit artistik i asaj “ memory e jete të thyer”./rajonipress/