Fundamenti

Memli Krasniqi: Kryeministri s’e ka parë kurrë Shtëpinë e Bardhë

/ 8 minuta lexim

Ai thotë se takimi me Escobar nuk ishte i këndshëm, pasi pati zhgënjim nga ai për nivelin e raporteve me qeverinë Kurti.

Memli Krasniqi, kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, në një intervistë për Blic Interview me Astrit Gashin, ka folur për takimin e të mërkurës me të dërguarin e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, shqetësimet që ai ka shprehur lidhur me Qeverinë Kurti, pastaj ka folur për vendimin e Qeverisë për pronat për Manastirin e Deçanit, draft statutin e Asociacionit, e të tjera.

Ai thotë se takimi me Escobar nuk ishte i këndshëm, pasi pati zhgënjim nga ai për nivelin e raporteve me qeverinë Kurti.

“Me thënë të drejtën ishte një nga takimet e shumta që kam zhvilluar me Escobar. Dje ishim edhe me kolegët tjerë nga opozita. Nuk ishte takim i këndshëm në kuptimin e asaj se është e vështirë ta dëgjosh një zhgënjim të tillë dhe një vlerësim të tillë për nivelin kaq të ulët të raporteve të Kosovës me SHBA-të, gjë që nuk ka qenë as praktike, as trashëgimi që e kemi lënë, kështu që në këtë kuptim mund të them se ka qenë takim i vështirë sepse pavarësisht pozicioneve tona opozitare, nuk besoj që askush dëshiron ta shohë që Kosova po e humbë atë peshën që e ka pasur në një kohë në raport me SHBA-të, e SHBA-të padyshim që janë aleati më i rëndësishëm, më strategjik, madje qenësor, ekzistencial për Kosovën. Në anën tjetër, ne diskutuam gjerë e gjatë dhe shumë shtruar për të gjitha zhvillimet politike aktuale dhe ato të kohëve të fundit dhe natyrisht që qëndrimet tona që janë edhe të njohura dhe të qarta dhe transparente edhe në opinionin publik, i përsëritëm edhe në takim. Këto nuk janë të reja për përfaqësuesit e SHBA-ve”, thotë Krasniqi.

Kreu i PDK-së tregon detaje nga takimi me Escobarin, teksa thotë se SHBA-të e shohin me shqetësim këtë vit pasi po mbyllet “dritarja e mundësive”, për t’i përfunduar disa prej problemeve më të mëdha me të cilat Kosova është marrë ndër vite.

Po ashtu, kanë folur dhe për vendimin për Manastirin, Asociacionin, dinarin.

“Ju e dini që gjithmonë në çdo vizitë të tij ka pasur edhe një takim me ne dhe mendoj që ka qenë një vlerësim për pozicionin tonë si përfaqësues të qytetarëve, pavarësisht se ne nuk jemi në qeveri. Normalisht që na ka informuar për atë se si e shohin SHBA-të situatën në Kosovë dhe Ballkanin Perëndimor. Ky është një vit problematik. Për pak javë fillojnë fushatat zgjedhore në shtetet e BE-së. Dhe po ashtu është vit zgjedhor në SHBA. Shqetësimi më i madh i SHBA-ve është që po mbyllet ajo që ata e quajnë “dritarja e mundësive”, për t’i përfunduar disa prej problemeve më të mëdha me të cilat Kosova është marrë ndër vite, një nga to është marrëveshja me Serbinë, pastaj proceset që ndërlidhen me anëtarësimet e Kosovës në organizata ndërkombëtare, por edhe konstalacioni politik aktual dhe i ardhshëm i Kosovës. Unë z.Escobar i kam thënë se për çështjet që ndërlidhen me interesin e Kosovës, PDK ka qenë jo vetëm e hapur dhe konstruktive por as në të kaluarën, as sot dhe as nesër nuk do t’i vendosim interesat partiake apo për një grusht votash para interesave të Kosovës, por po ashtu folëm edhe për çështje që ndërlidhen me propozimin e draftit të Asociacionit, vendimin e Qeverisë për Manastirin e Deçanit, vendimin e Qeverisë për dinarin e çështje të tilla që janë preokupim i SHBA-ve”, thekson ai.

Krasniqi ka folur edhe për mungesën e komunikimit të Qeverisë me SHBA-të, për çka foli dhe Escobar.

Ai thotë se SHBA-të janë të shqetësuara për mungesën jo vetëm të komunikimit formal por edhe të komunikimit efikas, të faktit që pavarësisht se mund të ketë diskutime, nuk po kryhet asnjë punë nga Qeveria.

Fundamenti

“Shikoni, kjo është evidente. Z.Escobar edhe në Bruksel, por edhe dje pas takimi me presidenten ka qenë shumë i qartë dhe i hapur dhe eksplicit, që ata janë vërtet të shqetësuar për mungesën jo vetëm të komunikimit formal por edhe të komunikimit efikas, të faktit që pavarësisht se mund të ketë diskutime, nuk po kryhet asnjë punë dhe ky është shqetësimi i tyre sepse kanë kaluar 3 vite qeverisje të Albin Kurtit dhe Kosova ka shënuar vetëm regres edhe në raportet ndërkombëtare, edhe në politikën e jashtme e sidomos në politikën e brendshme dhe natyrisht se ky është një frustrim të cilin shumica e shteteve perëndimore, anëtare të QUINT-it, por edhe SHBA-të si partneri më i rëndësishëm tashmë e ndajnë. Nuk është diçka që ne nuk e dimë sepse megjithatë ne kemi komunikim në vazhdimësi me të gjitha shtetet aleate. Unë në 7-8 muajt e fundit kam pasur vizita 2 herë në Bruksel, në Francë dhe kam pasur kontakte me përfaqësues të shteteve kryesore të BE-së dhe kjo nuk është diçka e re por është shqetësuese sepse nuk po e ndryshon qasjen e Qeverisë. Ka qenë një moment që kryeministri do të duhej t’i thirrte mendjes kur O’Brien foli për cilësinë e partneritetit”, vlerëson Memli Krasniqi.

Por, pse kaq shumë pakënaqësi nga SHBA me kryeministrin?

Për këtë, i parti i PDK-së thotë se kjo pasi Kurti vepron vetëm sipas bindjeve të veta, është befasues në raportet me partneritetet, nuk e mban fjalën e dhënë ndaj tyre dhe merr vendime të rrezikshme pa i njoftuar ata.

“Nga ajo që e shoh unë është fakti që kryeministri vepron vetëm sipas bindjeve të tij, nuk është i parashikueshëm, është befasues në raportet me partneritetet, një gjë është e ditur nuk mund t’i befasosh partnerët, nuk është e mundur që të vazhdohet partneriteti e të thellohet, nëse ti në mënyrë të vazhdueshme nuk e mban fjalën, nëse merr veprime që nuk i ke njoftuar paraprakisht partnerët, në momentin kur ato janë të rrezikshme, si rasti i dërgimit të katër kryetarëve në veri, që pasuan me sanksione që ende nuk po hiqen nga BE, sanksione mund të shihen nga edhe SHBA edhe pse mund të mos jenë shumë eksplicite”, shton Krasniqi.

Ai thotë se shumë zyrtarë të lartë kanë ardhur në Kosovë dhe s’janë takuar me Kurtin por vetëm me Osmanin.

“Kjo është evidente. Në muajt e fundit ka pasur zyrtarë të lartë të SHBA-ve që kanë ardhur në Kosovë, edhe nga DASH, edhe nga Pentagoni dhe nga departamente tjera dhe kushdo që e ka përcjellë me vëmendje, mund ta ketë parë që ata e kanë takuar presidenten por asnjëherë kryeministrin”, thekson ai.

Ai kritikon Kurtin që nuk ka qenë në Uashington që 2 vite e as nuk e ka parë kurrë Shtëpinë e Bardhë.

“Për të qenë korrekt, nuk më takon mua të flas në emër të SHBA-ve por për mendimin tim është evidente, vetë fakti që kryeministri nuk e ka parë Uashingtonit kushedi sa kohë, tregon për këtë nivel jashtëzakonisht të ulët të raporteve tona, është krejtësisht e paarsyeshme, jo normale, ka qenë kundër traditës së politikës së Kosovës mos me pas kryeministrin së paku një herë në vit në Uashington, e mundësisht edhe në Shtëpinë e Bardhë. Ky kryeministër lëre që se ka parë kurrë Shtëpinë e Bardhë, por nuk ka qenë në Uashington që 2 vjet. Ka qenë dhe ka qëndruar 3 javë e gjysmë, ka shëtitur poshtë e lartë nëpër Amerikë dhe ka arritur aty me një kthinë ta takojë këshilltarin e sigurisë kombëtare, por kaq, raportet besoj që janë evidente dhe kjo nuk duhet të kalojë në një qeveri normale pa një shqetësim më të madh por duket se kryeministri nuk e ka këtë shqetësim fare”, deklaron Krasniqi.