Meliza Haradinaj: Hyra në politikë që të bëj diçka
Meliza Haradinaj është përfaqësuese e popullit të Kosovës në Kuvendin Komunal të Prishtinës nga radhët e partisë Aleanca për Ardhmëri e Kosovës, e udhëhequr nga Ramush Haradinaj.
Meliza iu bashkëngjit AAK-së në vitin 2007 duke u bë anëtare e forumit rinor të kësaj partie. Pas krahëve të saj, Meliza ka një biografi të bollshme në fusha të ndryshme të politikës dhe humanizmit. Në një intervistë për portalin Shqipmedia, Meliza flet për rrugën e saj drejt suksesit, vështirësitë që rinia shqiptare ka, problemet e femrave, problemet e shqiptarëve të Maqedonisë e shumë të tjera.
“Aktiviteti dhe jeta ime nuk ka dalluar shumë nga bashkëmoshatarët e tjerë. I përkas brezit të cilit i u është mohuar shkollimi në gjuhën amtare, ku dita e parë e imja e shkollës në shtator 1991 është zhvilluar në një dhomë të improvizuar si klasë, duke vënë fletoret në gjunjë e jo në bankë, e duke mbajtur gjysmën e orëve të mësimit në demonstrata. Por edhe ashtu ia kemi dalë dhe kemi arrit edhe aty ku është vështirë. Më bën krenare shumë ky fakt, dhe jam e sigurt që nuk jam e vetmja që ndihet kështu. Sot, nuk besoj se nevojitet motivim më i fortë për mobilizim politik sesa gjendja e vështirë dhe e rrezikshme në të cilën është Kosova sot. Kjo mjafton që ne të rinjtë të mos ndalemi me studime, punë, e përgatitje për të marrë përgjegjësitë dhe obligimet që na takojnë në shtetin e ri. Gjithsesi qëllimi i angazhimit në jetën politike është që të bëj diçka, e jo të bëhem dikush. Kështu do të jetë gjithmonë”.
Meliza në këtë intervistë ka folur edhe për eksperiencën e saj në Britaninë e Madhe ku ishe pjesë e Universitetit të Oxfordit.
“Me Oxfordin, diametri im i dijes dhe studimit padyshim se është zgjeruar dhe ka marrë tjetër kahje. Isha 1 vit për studime postdiplomike atje, por ishin pikërisht përvojat dhe shkollimi i përfituar në Kosovë që më kanë dërguar aty. Klasa ime në Oxford përbëhej prej studentëve e profesionistëve që vinin nga shtete e sisteme edukimi me qindra vjet të vjetra, ndërsa unë vija nga një vend ku shkollimi në gjuhën amtare ka qenë ilegal dhe i persekutuar. Ditën e parë atje dëgjova fjalinë: ‘Në Oxford qielli është gjithmonë i kaltër dhe dielli gjithmonë rezon.’ Sot kësaj thënie sa vjen e i shtohet kuptimi për mua. Qëndrimi im atje, përveç shkollimit, ishte edhe një përgjegjësi për të prezantuar Kosovën (edhe pse simbolikisht) sa më mirë në qarqet universitare dhe forumet ndërkombëtare që organizoheshin aty. E rëndësishme është që është krijuar një lidhje direkte me këtë universitet dhe do të punoj që t’a zgjerojmë akoma më shumë në funksion të Kosovës dhe studentëve kosovarë”.