Mëkati im i vetëm, jam i biri i Mehmet Maliqit

Filozofi kosovar, i cili do të këshillojë Ramën për çështjet e rajonit, iu përgjigjet akuzave për sondazhet në Tiranë, por edhe atyre që e cilësojnë “dorë të zgjatur të Serbisë”.
Sipas Shkëlzen Maliqit, një histori e veçantë miqësie mes tij dhe Ramës daton prej vitit 1992, edhe sikur qëndronin në anët e kundërta të barrikadës. Kështu e cilëson ai raportin me Edi Ramën, që dy ditë më parë e prezantoi si këshilltar të tij për rajonin. Përfshirja e filozofit kosovar në kabinetin e Ramës ngriti një dallgë të re debati këndej e andej kufirit.
Në një intervistë për Mapo ai pohon, megjithatë, se nuk mund të krenohet me sondazhet e bëra në Shqipëri, nën logon e kompanisë ‘Gani Bobi’”, ndërsa shton se më shumë se nga cilësia e sondazheve, ai është paragjykuar për shkak të prezantimit të tyre në “TV Klan”.
“Nuk mund të mos e përmend sondazhin e fundit që e kemi realizuar në vjeshtë të vitit 2011, i cili e ndihmoi Edi Ramën për ta ndërtuar, së bashku me Ilir Metën, strategjinë e fitores më 23 qershor”, shton ai.
Në rrjetet sociale dhe në komentet që pasuan emërimin e tij, Maliqi etiketohet edhe si “dorë e zgjatur e Serbisë në Kosovë”.
“Prejse jam bërë person publik në vitin 1982, më kanë vlerësuar disa me admirim dhe respekt, e disa si dorën e zgjatur të Serbisë, si sorosidë dhe kualifikime tjera denigruese. Mëkati më i madh që më mvishet është ai se jam i biri i Mehmet Maliqit, komunist i nomenklaturës titiste dhe ministër i rendit i Kosovës në vitet ’80”, ka thënë Maliqi. /Mapo/Telegrafi/