RCCOLA

Mehmeti: Vendimet e BQK-së për shtyrje të kredive e shpëtuan ekonominë e sektorin financiar

/ 4 minuta lexim
Uji Dea

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se falë vendimeve që i kanë ndërmarrë gjatë kohës së pandemisë, kanë arritur ta shpëtojnë ekonominë vendëse.

Sipas tij, raporti më i mirë i likuiditetit ka qenë gjatë periudhës së pandemisë me 39 për qind, raporton Ekonomia Online.Në një intervistë për Ekonomia Online, Mehmeti ka thënë se me vendimin për shtyrje dhe ristrukturim të kredive, janë shpëtuar ekonomitë familjare dhe sektori financiar.

Këtë të fundit, Mehmeti e quan mirë të kapitalizuar, teksa përformancën e tyre e sheh në dobi të ekonomisë kosovare.

E rritjen e aseteve të sektorit bankar, Mehmeti e vlerëson shumë, e cila aktualisht është mbi 60 për qind.“Ju e dini që Banka Qendrore e Kosovës gjatë mandatit tim pesëvjeçar që të ketë një stabilitet financiar, çka ka qenë edhe objektiv primar. Një sistem financiar likuid mirë i kapitalizuar, nuk është që e themi në por edhe në raportet e institucioneve ndërkombëtare, siç është Banka Botërore e Fondi Monetar Ndërkombëtar e institucionet tjera relevante. Sa i përket sektorit bankar si komponentë kryesore e sistemit financiar është rritur si në numër e po ashtu edhe ka zhvillime pozitive apo rritje të të gjitha aktivitetet e saj, duke marrë parasysh faktin që prej 10 bankave që kanë qenë, aktualisht i kam lënë 12 banka. Pastaj kemi rritje të aseteve tek ky sektor gjatë periudhës pesëvjeçare mbi 60 për qind, pastaj rritje të kredive mbi 57 për qind, pastaj rritje të depozitave mbi 65 për qind, në anën tjetër kreditë performuese kanë qenë 2 për qind dhe mirë të provizionuara”.

Mobi Casa

E sa i përket periudhës më të rëndë jo vetëm në ekonominë vendëse por edhe botërore, Mehmeti e sheh në pandemi. Ai ka thënë se falë vendimeve që i kanë marrë si institucion, kanë arritur ta shpëtojnë ekonominë.

“Raporti më i mirë i likuiditetit ka qenë gjatë periudhës së pandemisë me 39 për qind. Kjo tregon se bankat kanë pasur kapital të mjaftueshëm për të suportuar ekonominë e vendit. Ajo që është e rëndësishme të potencohet është që ne kemi qenë shumë proaktiv në vendimmarrje, sidomos gjatë periudhës pandemisë. Ka qenë një sfidë jo vetëm për Bankën Qendrore por edhe për nivel global, për arsye se nuk e kemi ditur se cilat janë efektet e pandemisë dhe pasojat që mund të vijnë. Kemi marrë vendim që e kanë shpëtuar ekonominë e vendit, e kanë shpëtuar sektorin financiar e po ashtu e kanë shpëtuar edhe ekonomitë familjare, kur kemi marrë vendim për shtyrje të pagesës së këstit të kredive për tre muaj”, u shpreh ai, teksa përmendi edhe vendimin për ristrukturimin e kredive për dy herë radhazi.

“Mund të imagjinoni sikur mos të kishim qenë proaktiv qysh në ditën e parë me marrë vendime të tilla, duke pasur parasysh se as në mars e prill, nuk ka paguar askush këst të kredive dhe si rezultat i kësaj në masë të madhe do të ishte rrit përqindja e kredive përformuese dhe në anën tjetër edhe bizneset e ekonomitë familjare nuk i kishin pas mundësi të përballojnë një gjë të tillë por edhe sektori bankar me një kapital që e ka pasur dikund rreth 450 milionë euro, nuk do ta përballonte një gjendje të tillë që kishte ardhë si rezultat i pandemisë”, u shpreh ai.