Hidromorava

Mehmeti synon edhe një mandat: Kosova storie e suksesit për investitorë, mbi 9 miliardë € gjenden në sistemin financiar

/ 5 minuta lexim
RCCOLA

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, ka thënë se Kosova është storie e suksesit sa i përket nxitjes së investitorëve të huaj. Sipas tij, nëntë nga 12 bankat në vend, janë me kapital të huaj, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Mehmeti ka thënë se norma mesatare e interesit në kredi ka shënuar rritje prej 6.2 për qind, e që sipas tij është më e lartë në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar.Ndërkohë që norma mesatare e interesit në depozita, shënoi rritje nga 1.3 për qind sa ishte në tetor 2021 në 1.5 për qind në tetor 2022.

Mehmeti ka treguar se brenda pesë viteve të mandatit të tij të parë, u janë tërhequr licencat 14 institucioneve të ndryshme financiare në vend, për shkak të shkeljeve të mëdha ligjore dhe të rregulloreve të brendshme të këtij institucioni.

“Ne kemi politika shumë të mira. Normat më të ulëta që i kemi ne nuk ka ndonjë vend në rajon por edhe Evropë, pastaj mostatimimi i devidentes e shumë faktorë tjerë nxitës që të kemi investime të huaja në Kosovë, dhe është duke u zhvilluar një politikë e mirë në drejtim të asaj. Nëse e shohim sektorin financiar në vend ose për sektorin bankar, është storie e suksesit për investime të huaja. Prej 12 bankave që i kemi në Kosovë, nëntë prej tyre janë me kapital të huaj që kryesisht vijnë prej vendeve të Bashkimit Evropian dhe që i përbëjnë 90 për qind të asseteve të sektorit bankar në vend. Kjo vjen si rezultat i asaj që kemi politikat e licencimit konform praktikave më të mira ndërkombëtare. Mbikëqyrjen e kemi konform praktikave më të mira ndërkombëtare dhe gjithashtu edhe rregullativen konform direktivave të Bashkimit Evropian”.Mehmeti ka folur edhe për fitoren e BQK-së në Tribunalin e Arbitrazhit në lidhje me rastin e institucionit mikrofinanciar “IuteCredit”.

RCCOLA

Sipas Mehmetit, fitorja në Arbitrazh e ka dëshmuar që vendimi i marrë nga institucioni që ai udhëheq, ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm.“Gjatë mandatit tim pesë vjeçar, ne gjithsej 14 licenca të regjistrimit i kemi tërheq. Tash së fundmi Arbitrazhi e vërtetoi që vendimin që e kemi marrë si BQK ka qenë i drejtë dhe në harmoni me kërkesat që dalin prej ligjeve që i kemi në Kosovë dhe kjo është inkurajuese edhe për investitorët që i kemi këtu por edhe për ata që dëshirojnë të vijnë të investojnë që kemi me zbatueshmeri të mirë të ligjit. Rasti i fundit që është lajm i mirë edhe për Kosovën, është se Arbitrazhi Ndërkombëtar për rastin ‘Iute Credit’ ka vlerësuar që vendimi jonë ka qenë i drejtë dhe i ligjshëm”, u shpreh ai.

E sa i përket sektori bankar në vend, Mehmeti e vlerëson si likuid dhe mirë të kapitalizuar.

Ai thotë se vlera e tyre në sistemin financiar në vend arrin në 9.4 miliardë euro, me një rritje prej 12 për qind.Ndërsa thotë se ka rritje edhe të kredive të reja, duke bërë që vlera totale e tyre të jenë në 4. 2 miliardë euro.“Sistemi financiar vazhdon të jetë likuid dhe mirë i kapitalizuar. Vlera e asseteve në sistemin financiar në vend arrin 9.4 miliardë euro, me një rritje prej 12 për qind. Nëse e shohim sektorin bankar si komponentë kryesore të sistemit financiar në vend, tregon se kemi rritje, kreditë kanë arritur në 4.2 miliardë euro me një rritje prej 18. 4 për qind. Nëse i shohim vetëm kreditë e reja deri në tetor të këtij viti janë lëshuar 1. 56 miliardë euro me një rritje prej 13. 6 për qind. Nëse e shohim strukturës brenda kredive, më shumë se 65 për qind është e dedikuar për biznese e pjesa tjetër për ekonomi familjare. Kjo tregon mbështetjen që sektori bankar vazhdon të jap për ekonominë e vendit. Vlera e depozitave ka arritur në 5. 3 miliardë euro”, thotë Mehmeti.

Ndonëse mandati i përfundon në fillimvitin e ardhshëm, Mehmeti synon që BQK-në ta udhëheq edhe për një mandat. Thotë se menaxhimi i duhur në kohët më të vështira për këtë institucion, i jep të drejtë të kërkojë besimin edhe për një mandat.“Kur folën për pandeminë dhe agresionin rusë në Ukrainë, nuk ka qenë e lehtë të menaxhohet sistemi financiar në vend në kohën e pandemisë. Pastaj shumë sfiduese edhe agresioni rus në Ukrainë. Gjatë gjithë këtyre periudhave ne kemi arrit që të kemi një sistem financiar të qëndrueshëm në vend dhe gjatë gjithë këtyre periudhave kohore e kemi pas funksional në të gjitha aspektet, prandaj sot nëse flasim për performancën e Bankës Qendrore edhe vitin e kaluar por edhe sot e kemi një performancë shumë të mirë financiare të BQK-së, kjo si rezultat i rritjes së aktiviteteve të BQK-së dhe rezultat i menaxhimit të mirë të investimeve që i kemi bërë si institucion, dhe kjo ka rezultuar në rritjen e të hyrave dhe qëndrueshmërinë financiare që ta ketë BQK-ja. Pastaj rasti i ‘Iute Creditit’, dhe të gjitha këto më bëjnë të besoj që përse mos të mendoj edhe për një mandat tjetër ku kemi shumë punë për të bërë”, u shpreh Mehmeti për EO.