Mehmeti: Sistemi bankar është stabil, po e ndihmon ekonominë – Depozitat janë rritur në 5 miliardë euro

/ 3 minuta lexim
Uji Dea

Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, është takuar me shefin e misionit të FMN-së për Kososovën, Gabriel Di Bellatha, raporton Ekonomia Online.

Në një konferencë për medie pas takimit, guvernatori Mehmeti tha se drejtuesit e FMN-së i ka njoftuar për zhvillimet në sistemin financiar dhe bankar.

Ai theksoi se po kontribuojnë në ekonominë e vendit.

Mehmeti bëri të ditur se vlera e aseteve të bankave ka arritur në 4.6 miliardë, vlera e kredive në 4 miliardë euro dhe depozitat në 5 miliardë euro.“Gjatë këtyre takimeve i kemi informuar drejtuesit e FMN-së për zhvillimet e sistemit financiar dhe bankar, i cili është mirë dhe me rritje dyshifrore dhe do të vazhdojë të luajë rol të rëndësishëm në ekonominë e vendit”.

UBT

Guvernatori Mehmeti ka thënë se BQK ka vazhduar të jetë e angazhuar në realizimin e detyrave të saj në mbajtjen dhe ruajtjen e një sistemi financiar stabil dhe vazhdimisht në rritje.

Ai ka thënë se sistemi financiar në Kosovë, ka vazhduar të jetë likuid dhe mirë i kapitalizuar ku në të gjithë indikatorët, ka shënuar rritje dyshifrore, duke qenë një nga faktorët e rëndësishëm në rritjen dhe zhvillimin ekonomik të vendit.“Gjithsej mjetet e sistemit financiar në vend, më 31 gusht 2022, kanë arritur vlerën e përgjithshme prej 9.3 miliardë euro. Ndërsa, mjetet e sektorit bankar kanë vazhduar trendin e rritjes edhe gjatë vitit 2022, duke arritur vlerën rreth 6.4 miliardë euro në muajin gusht 2022, e cila paraqet një rritje vjetore prej 11.1 për qind. Në gusht 2022, vlera e përgjithshme e depozitave është në vlerë prej 5.2 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 11.8 për qind, derisa rritja e depozitave ka vazhduar edhe gjatë muajit shtator, me një prej 12.7 për qind. Sektori bankar vazhdon të jetë i qëndrueshëm duke rritur aktivitetin kredidhënës dhe duke luajtur një rol shumë të rëndësishëm në kreditimin e ekonomisë së vendit edhe gjatë këtij viti. Vlera e portofolit kreditor të sektorit bankar në fund të gushtit 2022 ishte në shumë prej 4.2 miliardë euro, me një rritje vjetore prej 18.6 për qind, derisa norma mesatare e interesit për kredi ishte 6.0 për qind”, ka deklaruar Guvernatori.

Tutje, Guvernatori Mehmeti ka thënë se kreditë joperformuese kanë vazhduar me trendin rënës dhe sot norma e kredive joperformuese është në nivelin prej 2.1%, që është tregues dukshëm më i mirë krahasuar me vendet e regjionit apo edhe më gjerë.

Gjithashtu, sektori bankar vazhdon të jetë mirë i kapitalizuar dhe likuid, ku treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit për sektorin bankar shënon 16.1 për qind, që është dukshëm mbi kërkesat rregullatore prej 12 për qind, ndërsa treguesi i likuiditetit është 35.7 për qind, ngjashëm, më lartë se kërkesa rregullatore prej 25 për qind.

Para mediave, Guvernatori ka folur edhe për sektorin e sigurimeve, i cili ka pasur rezultate pozitive. Guvernatori Mehmeti ka falënderuar përfaqësuesit e Fondit Monetar Ndërkombëtar, për kontributin dhe përkrahjen e vazhdueshme të Kosovës dhe të Bankës Qendrore të Republikës së Kosovës.