Fundamenti

Mehmeti: Rritja ekonomike s’duhet të jetë më e vogël se 8%, ka hapësirë të rritet borxhi publik

/ 5 minuta lexim
Fundamenti

Ish-guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës, Fehmi Mehmeti, ka thënë se rritja ekonomike në vend nuk duhet të jetë më e vogël se 8 për qind, për shkak të sfidave kryesore që i ka Kosova, e që janë papunësia e deficiti i lartë tregtar, raporton Ekonomia Online.

Në një intervistë për Ekonomia Online, Mehmeti ka thënë se sipas parashikimeve, inflacioni gjatë vitit të ardhshëm në nivel të Eurozonës do të jetë 3 për qind, ndërsa në vitin 2025 në 2 për qind.

Rënie të inflacionit, Mehmeti ka thënë se do të ndikojë edhe në Kosovë, teksa shkaktar kryesor e sheh pandeminë.

“Nëse e shohim në nivel global, kemi një rritje në tremujorin e dytë 2023-ës rreth 0.23 për qind. Është një përmirësim në ekonomitë e Eurozonës, për arsye në raportet e mëhershme dhe pritjet e tyre kanë qenë se nuk do të kemi fare rritje ekonomike por do të kemi rënie por është një mesazh kjo përqindje. Pastaj është mirë që edhe inflacioni ka filluar të bie. Në Eurozonë inflacioni është afër 6.2 për qind dhe parashikimet janë që këtë vit, inflacioni do të jetë rreth 5.4 për qind e vitin e ardhshëm do të jetë 3 për qind, që të jep me shpresuar se po shkojmë drejtë përmirësimit të gjendjes ekonomike në nivel të Eurozonës”, ka thënë Mehmeti, teksa rritjen normës së interesit e konsideron si të pashmangshme.

“Kur e përmendi inflacionin, e dini që është një prej faktorëve që mori përmasa dhe që janë të pritshme pas pandemisë dhe kjo e detyroi Bankën Qendrore Evropiane që të marrë masa e vendime për rritjen e normës së interesit katër herë radhazi dhe arriti deri në 4 për qind, e kjo ka bërë që të kemi rritje të normës së interesit në kredi. Pra parashikimet janë që vitin e ardhshëm të kemi rreth 3 për qind inflacionin, pra kjo ndikon në tërësi edhe në ekonominë e vendit por më pastaj pritjet janë që në vitin 2025, pritjet që inflacioni të vie në nivelin çfarë e ka dëshiruar Banka Qendrore Evropiane, që të jetë rreth 2 për qind”, u shpreh ai.

UBT

E rritjen ekonomike për këtë vit, Mehmeti e konsideron të vogël dhe se e njëjta duhet të jetë mbi 8 për qind. Shkak për këtë, ish-guvernatori thotë se duhet për t’i adresuar papunësinë dhe deficitin e lartë tregtar.

“Në Kosovë, në tremujorin e dytë 2023, rritja ekonomike ishte rreth 2 për qind e një raport i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar, është që të kemi një rritje ekonomike dikund rreth 3.5 për qind këtë vit. Nuk është një rritje, zakonisht kemi pasur rritje edhe në vitet tjera dhe unë kam potencuar se neve na duhet një rritje më e lartë ekonomike, përafërsisht deri në 7-8 për qind, me qëllim që t’i adresojmë dy sfidat të cilat në vazhdimësi i ka pasur Kosova dhe vazhdon t’i ketë e që janë papunësia dhe deficiti i lartë tregtar. Tashmë meqë jemi te deficiti i lartë tregtar edhe me të dhënat e fundit që i kemi në dispozicion, flasim për një rritje të deficitit tregtar në 6.7 për qind. Kjo është si rezultat i asaj që ka ndikuar rritja e importit në tremujorin e dytë në 2023 ishte 1.43 miliardë por nëse e shohim eksportet që në periudhë të njëjtë, arritën në 210 milionë por që patën një rënie krahasuar me vitin e kaluar për rreth 9 për qind dhe kjo bëri që të thellohet deficiti tregtar që e konsideroj jashtëzakonisht shumë sfiduese”, thotë Mehmeti.

E borxhi e ulët publik sipas Mehmetit do duhej të rritej, pasi aktualisht është 17 për qind. Thotë se ka hapësirë të rritet deri në 40 për qind.

“Edhe borxhi publik 2.67 miliardë ishte borxhi publik me të dhënat e fundit e nëse e shohim me të GDP, është mbi 17 për qind. Unë gjithmonë e kam thënë se këtu ka hapësirë që të rritet borxhi publik deri në 40 për qind. Realisht, e kam potencuar kurrë asnjëherë nuk është borxhi i lartë publik, përderisa dihet se ku po shkon, kujt i dedikohet ky borxh dhe nëse shkon nëpër aktivitetet të cilat janë vlerë e shtuar e ekonomisë, asnjëherë nuk është borxhi i lartë. Por në anën tjetër, nëse ne nuk e rrisim borxhin dhe kjo do të na dërgojë në atë që ne nuk jemi duke mbështetur ekonominë e vendit”, thotë Mehmeti. /EO/