RCCOLA

Mehmeti: Rritja ekonomike këtë vit 4%, deri në tetor diaspora dërgoi 1 miliard € remitenca

/ 2 minuta lexim

Diaspora ka dërguar në Kosovë 1 miliard euro remitenca deri në tetor të këtij viti, e që krahasuar me vitin e kaluar paraqet një rritje prej 5.5 për qind. Ndërsa rritja ekonomike për këtë vit, shkon deri katër për qind, raporton Ekonomia Online.

Kështu ka thënë Guvernatori i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK), Fehmi Mehmeti, në konferencën e fundit për këtë vit.

Ai ka thënë se ekonomia e Kosovës e filloi vitin 2022 me një perspektivë të mirë dhe se sipas vlerësimeve të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, norma reale e rritjes së Bruto Produktit Vendor në vitin 2021 ishte 10.75 për qind.

Megjithatë, tha se gjatë vitit 2022, ndryshimi i dinamikave globale si pasojë e luftës në Ukrainë, që u shoqëruan me rritje te inflacionit, u reflektua edhe ne aktivitetin ekonomik në Kosovë.

Mobi Casa

“Sipas vlerësimeve të BQK-së, BPV-ja ne 2022 pritet të shënoj rritje të ngadalësuar prej 3 deri në 4 për qind, kryesisht për shkak të tkurrjes së kërkesës së brendshme dhe rritjes së importit, ndërsa eksportet kanë ndikuar pozitivisht”.

Po ashtu, viti 2022 shënoi një ritëm me të shpejte të rritjes edhe për remitencat e dërguara nga diaspora në Kosovë. Vlera e remitencave të pranuara deri në fund të muajit tetor 2022 është 1 miliard euro, që paraqet rritje vjetore prej 5.5 për qind”.

“Bazuar në të dhënat e regjistruara deri në shtator të këtij viti, shpenzimet e jorezidentëve në Kosovë, pjesa më e madhe e të cilave janë nga diaspora, ishin në shumë prej 1.48 miliardë euro, e cila paraqet një rritje prej 26.1 për qind në krahasim me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”, tha tutje Mehmeti.

Guvernatori i BQK-së tha se ka rritje të kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar, raporton EO.“Deri në tetor të këtij viti, vlera e kredive të reja të lëshuara nga sektori bankar ishte 1.59 miliardë euro, që paraqet një rritje vjetore prej 13. 6 për qind, përderisa vlera e përgjithshme e kredive aktive në sektorin bankar deri në shtator të vitit 2022 ishte 4. 27 miliardë euro, e cila paraqet një rritje vjetore prej 18. 4 për qind , krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar”.