RCCOLA

Mehmeti: Qeverisja komunale në krizë të thellë

/ 4 minuta lexim
KKVITI

Gjilan – Hetimet në komunën e Gjilanit që janë duke u zhvilluar ndaj menaxhmentit të komunës së Gjilanit respektivisht ndaj kryetarit të komunës dhe disa zyrtarëve komunal janë një dëshmi se kjo qeverisje është në krizë të thellë të besimit në raport me qytetarët thotë Arben Mehmeti i LDK-së.

Hetimet e fundit të zhvilluara ndaj procesit të partneritetit publiko privat kanë nxitur reagime tek partia më e madhe opozitare në Gjilan LDK-ja. Shefi i këtij grupimi politik në Asamblenë Komunale, Arben Mehmeti tha për rajonipress se këto hetime dëshmojnë qartë se qeverisja komunale është në krizë të thellë të besimit në raport me taksapaguesit.”Nga këto hetime dëmtohet imazhi i institucioneve komunale sepse kemi të bëjmë me keqpërdorimin e taksave për interesa të ngushta klanore, shoqërore e familjare ” tha Mehmeti.

Mehemti tha se është shumë rëndë të kërkohet respektim të ligjshmërisë nga qytetarët kur pikërisht këta zyrtarë hetohen për veprime të kundërligjshme nga organet e drejtësisë. “Ky fakt cenon rëndë rendin juridik dhe publik që janë parime bazë të demokracisë në një vend. Dhe këto hetime nuk janë të vetmet që janë duke u zhvilluar ndaj zyrtarëve komunal , prandaj në këtë qeverisje komunale është instaluar një regjim komunal jo ligjorë në shumë fusha të qeverisjes dhe që standardë janë veprimet e paligjshme të vazhdueshme” ka shtuar Mehmeti.

Sipas tij LDK qysh në start kishte qenë kundër dy marrëveshjeve dhe ka votuar kundër këtyre dy marrëveshjeve të partneritetit publiko-privatë , që kanë të bëjnë me dy objektet e karakterit afaristë dhe banesorë duke vlerësuar që në fillim se janë në kundërshtim me ligjet në fuqi në Kosovë.

Fundamenti

“Edhe çështja e ekskursioneve të shkollave poashtu ka qenë një brengë e jona që nga fillimi sepse ekskursionet janë shndërruar në biznes profitabilë për kompani dhe zyrtarë të caktuar prandaj ne që nga fillimi kemi kërkuar që të ndërpriten në formën çfarë janë organizuar sepse kjo formë është e kundërligjshme” tha Mehmeti.

Mehmeti thotë se nuk janë vetëm këto veprime të kundërligjshme të kësaj qeverisje lokale sepse janë edhe disa veprime që janë kundërligjore dhe që organet e drejtësisë do të duhej të merreshin nëse nuk janë duke u marrë sepse është obligim i tyre, me trajtimin dhe sanksionimin e atyre që kanë mundësuar këto veprime të kundërligjshme si : Shkelja e ligjit të vetëqeverisjes lokale dhe ligjin e planifikimit hapësinor në rastin e Fidanishtes, shkeljen e LVL dhe ligjin mbi ndërmarrjet publike në lidhje me kushtëzimin e qytetarëve, shkeljen e LVL dhe vendimeve të kuvendit komunal në lidhje me rastin e ‘’Porodinit’’, kontratat në vepër dhe projekti i drunjve dekorativë janë shkelje e ligjit mbi menaxhimin e financave publike dhe ligjin e prokurimit publik, borxhet ndaj kompanive janë një ndër shkeljet më të mëdha ligjore nga qeverisja lokale në këtë rast kemi shkelje të rëndë të LMF dhe LPP të Kosovës dhe disa shkelje tjera ligjore që me kohë do të bëhen publike dhe do të adresohen në organet e drejtësisë.

“Dhe kur kemi parasysh këtë gjendje alarmante jo ligjore në komunë nuk kemi çka presim pos intensifikim të veprimeve nga organet e drejtësisë dhe në ndërkohë kreu i komunës duhet patjetër të dorëzoj mandatin qytetarëve dhe njëkohësisht me kërkim falje të madhe për ta sepse shumë pak kanë marrë nga ajo që ju është premtuar dhe për veprimet e kundërligjshme nga kjo qeverisje lokale”, tha Mehmeti./rajonipress/