Mehmeti: Kryetari i PDK-së po i keqpërdor për nevoja të veta zyrtarët komunal

Gjilan – Arben Mehmeti shef i grupit të LDK-së tha për rajonipress se Zyra për informim e komunës së Gjilanit është shndërruar në servis të kryetarit të PDK-së, përkundër që ata paguhen nga taksapaguesit për t`i shërbyer komunës së Gjilanit dhe se ata nuk kanë të drejtë në orar të punës të shoqërojnë kryetarin e PDK-së në Gjilan.
Mehmeti thotë se kjo është një shkelje ligjore e kësaj zyreje dhe se për këtë duhet të jep llogari vetë kryetari i komunës që tërë ditën trumbeton se zyrtarët e tyre gjatë kohës së punës nuk duhet të përfshihen në fushata sepse është keqpërdorim i detyrës zyrtare dhe njëkohësisht shkelje e rëndë që cenon ligjin mbi shërbimin civil te Kosovës.
“Prandaj kërkojmë urgjentisht që u.d. së kryetarit të komunës deri më 3 nëntor 2013 të ndaloj këto veprime të paligjshme të zyrtarëve komunal” ka tërhequr vërejtjen Mehmeti.
Mehmeti tha se është kërkesë e tij si shef opozitar që të shkarkohen nga detyrat nënkryetarët e komunës dhe drejtorët e drejtorive pasi janë pozicione politike dhe në vend të tyre të vendosën zyrtarë profesional dhe që nuk janë pjesë të proceseve të ndryshme zgjedhore.
“Vetëm në këtë mënyrë zbatohet ligjshmëria sepse në të kundërtën pas 3 nëntorit do të ballafaqohen me pasoja të rënda të gjithë zyrtarët që i bashkëngjiten proceseve te paligjshme” tha Mehmeti./rajonipress/