ARKATANA

Mehmetali Behluli, dëshmori nga Dobërçani që u kthye në flamur të lirisë

/ 3 minuta lexim
Hidromorava

Gjilan – Nga Dobërçani deri në vijat e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, emri i Mehmetali Behlulit mbetet i gdhendur në kujtesën e krenarisë kombëtare. Ai ishte një nga ata djem që nuk hezituan ta linin gurbetin, familjen dhe jetën e qetë, për t’iu përgjigjur thirrjes së atdheut në ditët më të vështira të Kosovës.

Nga mërgimi drejt vijës së frontit në Koshare, Mehmetali Behluli ishte një nga ata burra që jetën ia kushtuan lirisë së atdheut. Me shpirtin e një luftëtari të patrembur dhe zemrën plot dashuri për Kosovën, ai la rehatinë e gurbetit për t’iu bashkuar radhëve të Ushtria Çlirimtare e Kosovës në ditët më të vështira të kombit shqiptar.

Në betejat heroike të Koshares, aty ku u thyen kufijtë e frika u mposht nga guximi, Mehmetali Behluli luftoi me vendosmëri deri në flijimin sublim. Ai nuk kërkoi lavdi personale, por lirinë e popullit të vet. Me pushkë në dorë dhe flamurin kuqezi në zemër, ai u bë simbol i trimërisë dhe sakrificës, duke e dëshmuar se atdheu mbrohet me gjak e ideal.

Rënia e tij heroike e ktheu në emër të pavdekshëm për Dobërçanin, për Gjilanin dhe për gjithë Kosovën. Mehmetaliu nuk vdiq, ai u shkri në flamurin e lirisë, duke mbetur përgjithmonë roje e kujtesës kombëtare dhe frymëzim për brezat që vijnë.

Në lapidarin e dëshmorëve të ngritur në parkun e fshatit, shkruhen fjalë që përshkruajnë më së miri figurën dhe sakrificën e tij:
“Ky bir besnik i shpirtit liridashës shqiptar ishte ushtar i përbetuar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në Zonën Operative të Pashtrikut, në Brigadën 126 të Hasit. Mbrojti parimin themelor të ushtarit të lirisë se ‘Kush bie duke luftuar, kthehet në flamur’, dhe Mehmetaliu u kthye në flamur”.

ARKATANA

Mehmetali Behluli i ardhur nga mërgimi për t’iu bashkuar luftës çlirimtare, duke dëshmuar se dashuria për atdheun ishte më e fortë se largësia dhe jeta në dhe të huaj. Ai zgjodhi frontin e luftës në vend të rehatisë së gurbetit, duke u bërë simbol i sakrificës dhe i idealit për liri.

Banorët e Dobërçanit dhe bashkëluftëtarët e kujtojnë si djalë të urtë, trim dhe të përkushtuar ndaj çështjes kombëtare. Rënia e tij nuk ishte fund, por kthim në simbol të qëndresës shqiptare. “Ishe si flakadan që çan errësirën e popullit shqiptar ia solle lirinë”, thuhet në përkushtimin për dëshmorin.

Sot, emri i Mehmetali Behlulit qëndron krenar në historinë e Gjilanit dhe të gjithë Kosovës, si një kujtim se liria e gëzuar sot ka themelet në gjakun e dëshmorëve.

Ai mbetet nder i fshatit, i Anamoravës dhe i gjithë shqiptarëve, njëjtë nga ata që dhanë jetën për të mos vdekur kurrë./rajonipress/