Mehmet Zylfiu ri – zgjedhet kryetar i Parlamentit Studentor në Universitetin e Gjilanit
Gjilan – Pas mbajtjes së zgjedhjeve studentore në Universitetin “Kadri Zeka” në Gjilan, është bërë konstituimi i Parlamentit Studentor, si organi më i lartë i përfaqësimit të studentëve në këtë Universitet. Deputetët e mandatuar ri-zgjodhën me shumicë votash studentin e fakulteti ekonomik Mehmet Zylfiu të nominuar nga Unioni i Studentëve Pro Europian (USPE), për kryetar të organit më të lartë të përfaqësimit të studentëve.Përveç konstituimit, u bë zgjedhja edhe e Kryetarit dhe Sekretarit të Parlamentit Studentor. Kryetar i Parlamentit Studentor u zgjodh Mehmet Zylfiu, derisa sekretar Blerina Ajvazi.
Mehmet Zylfiu, kryetar i Parlamentit Studentor, u zotua se do të jetë zë i fuqishëm i studentëve, do ta mbrojë interesin e tyre dhe do të punoj maksimalisht për përfaqësim sa më të denjë për studentët. “Do të angazhohemi të kontribuojmë në ngritjen e cilësisë së studimeve duke kërkuar në vazhdimësi personel akademik të kualifikuar gjithashtu duke luftuar dukuritë negative siç janë kopjimi në provime, ndërhyrje këto që direkt prekin ngritjen e kualitetit të kuadrove që do të diplomojnë, poashtu në bashkëpunim me këshillat e fakulteteve do të përpiqemi që gjithnjë të organizojmë jetën studentore përmes aktiviteteve të ndryshme debateve, bashkëpunimit me OJQ për trajnime të fushave të ndryshme, vizitave brenda dhe jashtë vendit e projekteve tjera që do të ndikonin pozitivisht në jetën aktive të studentëve”.
Para disa ditësh është bërë edhe konstituimi i Këshilleve Studentore nëpër njësitë akademike të UKZ-së, ku Këshillet e Studentëve zgjodhën për kryetar në fakultetin:
Ekonomik – Leotrim Smirqaku
Juridik – Arlind Ajvazi
Edukim – Fatmir Kastrati dhe Shkenca Kompjuterike – Rrezart Rexhepi.
Zgjedhjet e Studentëve në Universitetet Publike në Republikën e Kosovës mbahen çdo dy vite, ku studentëve i garantohet përfaqësim edhe në organet kryesore akademike dhe menaxherial të Universiteteve, si në Senatin e Universiteteve, Komisionet e përhershme dhe përkohshme, Këshillet e Profesorëve nëpër njësi akademike./rajonipress/


