RCCOLA

Mehmet Devaja një jetë ia kushtoi popullit shqiptarë

/ 5 minuta lexim
Uji Dea

Gjilan – Shumë figura patriotike shqiptare, në rrugëtimin e tyre shekullor, sakrifikuan jetën e familjet e tyre për të mirën e popullit shqiptarë që një ditë të jetojnë ditët e lirisë. I tillë ishte edhe Mehmet Devaja, i cili një jetë ia kushtoi popullit shqiptarë.

Mehmet Devaja lindi në vitin 1884 dhe deri në momentet e fundit të jetës së tij – viti 1963, nuk u ndal në asnjë moment duke kaluar shumë peripeci të jetës vetëm e vetëm që çështja shqiptare njëherë e përgjithmonë të del në dritë. Mehmet Devaja ishte një burrë shtatgjatë me mustaqe, i dashur e i afërt me njerëz, por për armikun ishte shumë i ashpër dhe i pa kompromis, ai shquhej për besnikëri, trimëri e guxim – të gjitha këto veti e bën atë njërin ndër pleqnarët më të zëshëm të kohës.

Mehmeti në kohën e mbretit ishte përzgjedhur deputet i Anamoravës, zotësia e tij e bëri që ti kryen disa mandate duke u zgjedhur në organet më të larta të rrethit të atëhershëm të Anamoravës. Duke i parë aftësitë e tij, Mehmet Devaja, zgjidhet për një mandat kryetar i rrethit për Komunën e Gjilanit, ndërsa kishte shumë respekt tek popullata ku diskutimet e tija të zjarrta e bënin që të zgjidhet krye-kuvendar nëpër Oda e Kuvende, pasiqë fjala e tij kishte peshë të madhe patriotike.

Mehmet Devaja ishte një personalitet me tipare të larta patriotike dhe njeri i fjalës, ku ishte për shumë vite Anëtar i Këshillit për Pajtimin e ngatërresave, të cilat ishin të shumta, por ai me urtësinë, patriotizmin dhe respektin që kishte në popull ia dilte që me shumë lehtësi këto ‘vëlla-vrasje’ ti pajtonte.

Mehmet Devaja ishte një vizionar shumë i madh, ai kishte vetëm një qëllim që populli shqiptarë të jetonte i pavarur, ai me vizionin e tij kërkonte që çdo vendim i marrur për popullin shqiptarë duhej të mendohej për 100 vite. Kolonizimi i trojeve shqiptare filloi nga rrethi i Gjilanit duke u shtrirë në tërë Kosovën, duke ju marrë tokat shqiptareve e duke ju dhuruar kolonve serb.

Eco Higjiena

Në këtë padrejtësi dhe diskriminim të popullit të tij, Mehmet Devaja, nuk mundi të rrinte indiferent. Ai i mërzitur nga këto mori guxim me disa deputet dhe me parinë e Anamoravës mësyen Beogradin për tu ankuar e reaguar te mbreti. Nga vetëdija se çfarë gjendje po përjetonte populli shqiptarë – duke i vrarë, plaçkitur e duke i dëbuar nga vatrat e tyre, me shpejtësi disa patriotë shqiptarë ndër ta ishte edhe Mehmet Devaja dhe të prirë nga Xhafer Deva iniciuan formimin e Lidhjes së Dytë Shqiptare të Prizrenit , që do të ishte kontinuitet i Lidhjes së Parë të Prizrenit.

Me 7 shtator 1943, Xhafer Deva shkoi në Prizren, ku u takua me disa personalitete ku u vendos që të organizojnë një mbledhje ku do të merrnin pjesë përfaqësuesit e të gjitha krahinave shqiptare. Të nesërmen me 8 shtator u dha lajmi për kapitullimin e Italisë fashiste, por Xhafer Deva për t’ju kundërvuar planit serb mbledhje rreth vetës disa atdhetarë të shquar siç ishin: Rexhep Mitrovica,Bedri Pejani, Xhelal Mitrovica, Mehdi Frashëri etj, të cilët ishin të burgosur dhe ende mbaheshin në Porto Romano.

Mehmet Devaja i cili një jetë ja kushtoi popullit të tij, në asnjë moment nuk ju dhimbsej vetja për popullin që aq shumë e deshti. Ai luftoi me tëre qenien e tij, ishte udhërrëfyesi i shumë gjeneratave të familjes Devaja, të cilët sot mund ti gjejmë në shumë Institucione të ndryshme të Kosovës, familje e cila është një familje atdhetare e intelektuale. Sot shumë rrugë në Gjilan, Prishtinë, Ferizaj, Viti e në fshatin Radivojc me shumë krenari mbajnë emrin e Mehmet Devajës.

Në shenjë respekti për këta trima Instituti Albanologjik në Prishtinë ka mbajtur një ekspozitë e cila ka pasur qëllimin mbledhjen e informatave për të botuar një libër për rrugëtimin e trimave të kohës. Prezent në këtë ekspozitë ishin edhe dy figura të ndritshme të familjes Devaja e popullit të Kosovës, Kurtesh e Mexhit Devaja të cilët me shumë emocione kanë theksuar për stërgjyshin e tyre, Mehmet Devajën.

“Ishte një moment krenarie që stërgjyshi ynë – Mehmet Devaja ishte e pjesë e kësaj historie. Ai ishte udhërrëfyes i shumë brezave në familjen tonë. Është krenari që stërgjyshi ynë ishte pranë shqiptarëve në momentet më të vështira të historisë, ku populli ynë ishte buzë shfarosjes. Do të jemi gjithmonë krenar me të dhe më të gjitha ata trima që nuk kursyen jetën e familjet e tyre, që ne sot të jetojmë në lirinë e shumë pritur. Lavdi për të gjithë trimat e heronjtë e Kosovës”, kanë thënë Kurtesh e Mexhit Devaja./rajonipress/