Mehmedi, i impresionuar me Freiburgun

Admir Mehmedi ka mbetur i impresionuar me ambientin në Freiburg. Sulmuesi shqiptar iu bashkua klubit gjerman si huazim për një sezon nga Dinamo Kyevi.
22 vjeçari kishte lëvizur drejt Ukrainës në janar të vitit 2012, pas eksperiencës së shkëlqyeshme që e pati me Zurichun, por për të erdhën ditë të vështira në Dinamo, ku nuk arriti asnjëherë ta gjejë një vend stabil në formacionin e parë.
Pas 18 muajsh në vendin nga ish Bashkimi Sovjetik, përfaqësuesi zviceran, i cili pati vetëm 13 ndeshje nga fillimi, vendosi ta provojë veten tek skuadra gjermane, e cila këtë sezon luan në Europa League.
“Gjithçka më ka impresionuar mua këtu. Kam gjithçka. Jam afër familjes dhe krejt atmosfera në klub është mjaft familjare. Kjo është ekzakt ajo që kisha nevojë për zhvillin tim”, deklaroi Mehmedi.
Freiburgu e ka mundësinë e blerjes definitive të lojtarit gjatë verës së vitit të ardhshëm, nëse futbollisti shqiptar nga Maqedonia e tregon veten.
Sezonin e fundit, Freiburgu e pati mjaft pozitiv, duke përfunduar në pozitën e pestë të elitës së futbollit gjerman.