Uji Dea

Mehaj: FSK do ketë stërvitje të përbashkëta ushtarake të udhëhequra nga SHBA

/ 3 minuta lexim
Eco Higjiena

Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se me projektligjin e miratuar nga Senati Amerikan, Ushtria e Kosovës do ketë trajnime të përbashkëta ushtarake nën udhëheqjen e ShBA-së.

Mehaj, përmes një shënimi në Facebook e ka përshëndetur vendimin e Senatit Amerikan, për projektligjin i cili parasheh bashkëpunim të ngushtë në mes të Kosovës dhe ShBA-së, në fushën ushtarake.

Ai tha se me këtë projektligj, ushtria e Kosovës do ketë trajnime të përbashkëta ushtarake nën udhëheqjen e ShBA-së.

“Sipas këtij projektligji ushtria jonë së bashku do të angazhohen në trajnime dhe stërvitje të përbashkëta ushtarake të udhëhequra nga SHBA”, ka thënë ai.

Ngritja e kapaciteteve ushtarake të Kosovës, shkollimi e trajnimi sipas Mehajt do të zhvillohen me mbështetjen e ShBA-së.

“Ngritja e kapaciteteve tona, shkollimi, trajnimet, misionet dhe operacionet ushtarake, janë zhvilluar dhe do të zhvillohen gjithnjë në bashkëpunim dhe me mbështetje SHBA-të si partneri ynë strategjik”, tha ai.

Fundamenti

Ndryshe, Projektligji vjetor për mbrojtje i Senatit do ta shtojë Kosovën në listën e vendeve të Evropës Lindore që kualifikohen për trajnime ushtarake amerikane gjatë kohës kur tensionet janë të rritura në Ballkan.

Akti fiskal i Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, për të cilin Senati është planifikuar të fillojë diskutimet këtë javë, e lejon Kosovën të angazhohet në stërvitjet ushtarake të udhëhequra nga SHBA për të rritur ndërveprimin me forcat e NATO-s. Një gjë e tillë do t’i mundësonte Kosovës të merrte rimbursime për trajnime nëpërmjet stërvitjeve ushtarake shumëpalëshe me anëtarët e NATO-s dhe Partneritetit për Paqe të NATO-s, listë kjo e vendeve, e cila përfshin edhe rivalin e Kosovës, Serbinë.

Si një anëtare e Partneritetit për Paqe të NATO-s, Serbia organizon rregullisht stërvitjet ushtarake “Platinum Wolf” me SHBA-në dhe aleatët e saj në NATO dhe synon ta bëjë këtë përsëri këtë vit.

“Komiteti vlerëson përpjekjet e Departamentit të Mbrojtjes për të mbështetur Republikën e Kosovës ndërsa punon për të zhvilluar dhe përmirësuar forcat e saj të sigurisë kombëtare, veçanërisht përpjekjet për të rritur profesionalizimin, rritjen e ndërveprueshmërisë dhe përforcimin e aftësisë së Kosovës për t’iu përgjigjur kërcënimeve të jashtme dhe hibride.”, bëhet e ditur në një raport të komisionit që shoqëronte projektligjin.

Raporti thekson gjithashtu se Komiteti i Shërbimeve të Armatosura të Senatit “mbështet zgjerimin e bashkëpunimit të sigurisë kibernetike” me forcat e armatosura kosovare, duke udhëzuar Sekretarin e Mbrojtjes, Lloyd Austin, që të informojë Kongresin mbi përpjekjet për ta bërë këtë deri në fund të vitit.

“Komiteti beson se Departamenti i Mbrojtjes duhet të identifikojë fushat për të çuar më tej bashkëpunimin ekzistues të sigurisë kibernetike dhe gjithashtu mundësi të reja për të forcuar partneritetin dypalësh”, potencohet në raport./Telegrafi/