Meha u kthye në fushë 10 muaj më herët se që parashikuan mjekët
Mesfushori kosovar i Paderbornit, Alban Meha, ka bërë të ditur se mjekët i kishin thënë se do të mungojë minimalisht një vit. Por, ai në fushë u kthye në kohë rekord, pasi kishte ndjekur një program të detajuar.
Mesfushori i Kombëtares së Shqipërisë në muajin maj të vitit të kaluar kishte dëmtuar këmbën. “Sipas kirurgëve dhe mjekëve, pas atij dëmtimi unë nuk do duhej të luaja futboll minimalisht një vit. Por nuk ishte ashtu. Ndoqa një program të detajuar, u stërvita mirë dhe u riktheva në kohë rekord”, ka treguar Meha të enjten për “westfalen-blatt.de”.
Meha më 20 korrik të vitit të kaluar pësoi lëndim, por më 28 shtator ai u kthye në fushë, plot 10 muaj më herët se që parashikuan mjekët. Për mesfushorin kosovar ka folur edhe trajneri i Bielefeldit, Stefan Kramer, që nuk i ka kursyer lëvdatat.
“Meha është një nga gjuajtësit më të mirë të kampionatit për goditjet e dënimit, ndaj duhet të bëjmë kujdes”, ka thënë Kramer. Meha 27-vjeçar është pjesë e skuadrës së Paderbornit që garon në Bundesliga 2 të Gjermanisë. Ai në 12 ndeshje për Paderbornin këtë edicion ka shënuar pesë gola dhe ka kontribuuar me tri asistime.


